• |
ide | kryesore

Mohammed Bin Salman thyen heshtjen: Vrasja e gazetarit Khashoggi një krim i shëmtuar

F1, Planet



Princi i fuqishëm i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman, ka thyer heshtjen e tij publike për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, duke thënë se incidenti ishte një “krim i shëmtuar që nuk mund të justifikohet”.

Duke folur në Konferencën e Iniciativës për Investime të Ardhshme, të quajtur “Davosi në shkretëtirë”, princi tha se të gjithë fajtorët do të dënoheshin dhe se Arabia Saudite dhe Turqia do të punonin së bashku “për të arritur rezultate”.

Këto ishin vërejtjet e tij të para që nga protestat globale mbi vrasjen e gazetarit të Washington Post në konsullatën saudite në Stamboll. Anëtarët e stafit të sigurisë së princit janë mes të akuzuarve nga autoritetet turke, si personat përgjegjës për vrasjen e Khashoggit.

Mohammed Bin Salman njoftoi se do të bëhet një ristrukturim i agjencive të sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe tha se “drejtësia do të mbizotëronte”.

“Incidenti që ndodhi është shumë i dhimbshëm, për të gjithë sauditët … Incidenti nuk është i justifikueshëm,” tha Bin Salman.

Princi i Kurorës shtoi: “Ata nuk do të jenë në gjendje të na ndajnë për sa kohë që ka një mbret të quajtur Salman bin Abdul Aziz dhe një princ kurore me emrin Mohammed bin Salman dhe një president në Turqi me emrin Erdogan”. 

Jamal Khashoggi/ Çfarë fsheh afera e vrasjes së gazetarit saudit? 

Të martën, Donald Trump tha për herë të parë se Mohammed Bin Salman mund të ishte përfshirë në operacionin për të vrarë gazetarin disident saudit.

“Epo, është princi ai që po drejton gjërat atje (në Arabinë Saudite) më shumë në këtë fazë. Ai (Mohammed Bin Salman) po drejton gjërat dhe kështu nëse dikush do të ishte (fajtor për vrasjen e gazetarit), do të ishte ai,” – u shpreh presidenti amerikan, Donald Trump.

Një numër i madh biznesesh dhe figurash politike kanë dalë nga konferenca “Davosi në shkretëtirë”, si pasojë e vdekjes së gazetarit, një kritik i shquar i sundimtarit de facto të Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman.

Presidenti turk, Rexhep Taiip Erdogan foli me Bin Salman të mërkurën dhe të dy diskutuan hapat e nevojshme për të zbardhur të gjitha aspektet e vrasjes së Khashoggi.

Erdogan: Vrasja e gazetarit saudit në Turqi ishte e planifikuar 

Ndërkohë, në Stamboll, një këshilltar i presidentit të Turqisë u shpreh se Mohammed Bin Salman kishte “gjak në duart e tij” mbi Khashoggin.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *