• |
ide | kryesore

Nëntë javë kampionat, nëntë trajnerë të shkarkuar, mes Superiores e Kategorisë së Parë

Sport



Vladimir Gjoni e ka çuar në nëntë numrin e trajnerëve të shkarkuar që kur ka filluar kampionati, e po flasim këtu vetëm për Superioren e Kategorinë e Parë. Tekniku i Egnatias ndeshjen e humbur me Orikun e ka patur të fundit në pankinën rrogozhinase. 2-0 e zbriti formacionin e Gjonit nga vendi i parë në të pestin, edhe pse diferenca aktualisht është vetëm dy pikë nga Pogradeci kryesues.

Gjithësesi tekniku ka shpjeguar se divorci mes palëve nuk është vendosur nga kjo ndeshje, por për një sërë faktorësh, ku parësore ishin problemet familjare të teknikut. Mund të jetë edhe kështu, por zyrtarizimi erdhi pas një humbje, që rrogozhinasit nuk e kanë kapërcyer dot, duke lënë të mendohet se rezultatet nuk kanë qenë ato që shpresonin tek Egnatia, që këtë sezon pretendon të prekë promocionin.

Ajo që ka më shumë rëndësi është se trajnerët janë të sakrifikuarit më lehtë se të gjithë të tjerët në futbollin shqiptar. Gjoni pasoi vetëm me dy ditë Elvis Plorin, që u dorëhoq nga Kastrioti. Ndoshta tekniku nuk kishte më cfarë të jepte në Krujë, ashtu si deklaroi edhe në përfundim të ndeshjes së humbur me Kukësin 1-2, por fakti që u zyrtarizua menjëherë në pankinën e Burrelit, të bën të mendosh se dorëheqja nuk paska qenë kaq e dëshiruar.

9 javë kampionat në Superiore, 7 në Kategorinë e Parë dhe 9 trajnerë të shkarkuar – shifra pesimiste për një institucion, ai i trajnerit, që po humb respektin cdo vit e më shumë. Ka nga ata që u larguan që në javën e parë, madje pa humbje, si Gersi Arbri i Tomorrit, por edhe të tjerë si Bledar Devolli tek Kamza e Ndriçim Kashami tek Besëlidhja, që nuk iu dha kohë e deri tek Stavri Nica, që dorëhiqet cdo tre javë, por tani ka marrë frenat e Kastriotit.

Janë 5 trajnerë të kategorisë së Parë të larguar deri tani, Nica, Arbri, Kashami, Merxha e i fundit Gjoni dhe 4 në Superiore Ze Maria, Devolli, Plori, Kostic, por natyrisht shifrat janë të destinuara të rriten akoma, shpresojmë jo paralelisht me javët e kampionatit…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *