• |
ide | kryesore

Tirana nuk di të fitojë, por Duro nuk e mban premtimin

F1, Sport



” Jam i bindur se do të shohim një ndeshje ku Kamza do të dominojë si me lojë ashtu dhe me rezultat”, premtoi para ndeshjes tekniku i Kamzës Klodian Duro, por këshu nuk ndodhi, aq në njërin e as në tjetrin aspekt. Kamza e Tirana ndanë një barazim që nuk i bën punë askujt, madje favorizon mbi të gjithë Luftëtarin, nëse do të dijë të fitojë.

Duro nuk e mbajti premtimin, por të paktën nuk doli i mundur, falë golit të një ish-bardheblu si japonezi Fukui. “Kurthi” i Kamzës që rreshtoi në fushë të dënuarit e lajmëruar, ndryshe nga sa ishte trumpetuar vetëm një ditë më parë nuk dha frytet e shpresuara, edhe kundër një skuadre që nuk di të fitojë.

Tirana e Ardian Memës në dy ndeshje ka vetëm një pikë dhe nuk ishte kjo ajo që drejtuesit e bardhebluve mendonin kur larguan Ze Marian, për të marrë asistent trajnerin e Flamurtarit. Vendosja e diktatit mund të shihet si lëvizja e duhur nga Mema, por mund të jetë e kundërta. Ajo që vuan Tirana, të paktën në dy ndeshjet e Memës, është prezenca e Ngoo. Sulmuesi që me shumë mundësi e mbylli me Tiranën do të ishte shumë më tepër efikas në zonë, se Sentamu.

Afrikani shënoi vërtetë golin e vetëm të 24 herë kampionëve, por nuk shfrytëzoi asgjë nga krosimet që vinin nga krahët, ku të paktën Greca është kthyer të jetë ndër protagonistët, ndërsa Hasani po rigjen formën më të mirë.

Kamza mori një pikë, që për mënyrën si erdhën gjërat është tepër e cmuar. Humbja do ti kishte dhënë dorë Tiranës të shkëputej në 4 pikë nga skuadra e Duros, por kështu nuk ndodhi dhe të dyja përpëliten në vendin e 7 e të 8, respektivisht bardheblutë 9 pikë e Kamza 8, por nëse Luftëtari fiton në Krujë, ftohtësia e zonës së rënies nga Kategoria do të ndihet më shumë në kryeqytet.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *