• |
ide | kryesore

Nga Skënderbeu në Korçë tek Skënderbeu në Tiranë, disfata e Partizanit këtë vit ka këtë emër…

F1, Sport



Kishte që në javën e parë që nuk humbiste Partizani, e për ironi të fatit humbjen e parë e të vetme sezonale, deri sonte, të kuqtë e kishin pësuar përballë Skënderbeut. Në Korçë ishte vetëm java e parë e kampionatit dhe ecuria e mëtejshme e skuadrës së Gegës e bëri të dukej aksident kalimtar.

Sic duket, nuk ka 1 pa 2. Historia u përsërit në Selman Stërmasi këtë herë me bardhekuqtë imponues me dy gola spektakolarë dhe një demonstrim force, nga ata që të shuajnë shpresat. Mbrojtja më e mirë e kampionatit nuk është e tillë kur vjen puna të luajë kundër Skënderbeut: nga katër gola të pësuar në total, tre janë vepër e korcarëve dhe dy nga Muzaka…

Pak rëndësi ka pastaj se në 8 javët e tjera, praktikisht një fazë loje, prapavija e Gegës ka rezistuar me performancë të denjë europiane, me vetëm një gol të pësuar. Skënderbeu e tregoi jashtë dhe brenda se di të fitojë, të luajë e të mos pësojë. Tani skuadra e Shehit ka sulmin më të mirë me 15 gola dhe mbrojtjen më pak të mundur, bashkë me Partizanin me 4 gola.

Ajo që ka goditur Partizanin, nuk është kreu i humbur, por dështimi i dytë radhazi kundër skuadrës pretendente për titull. Ishte e qartë cilado skuadër që synonte titullin, testin e kishte me Skënderbeun dhe të kuqtë dështuan me sukses në të dy provat. Jo vetëm rezultati, por edhe loja e të besuarve të Shehit ishte brilante, për nga strategjia dhe interpretimi.

Asgjë nuk iu la rastësisë, që nga e djathta fluturimthi e Muzakës, që e parë nga një kampionat të rëndësishëm, apo nga ndonjë kampion ndërkombëtar, do të bënte jehonë për një shumë se një javë e deri tek perla e Bregut. Nuk vlejti për asgjë rikthimi i Hoxhës mes shtyllave për Partizanin, sepse të ndalësh këtë Skënderbe duhet shumë më tepër…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *