• |
ide | kryesore

Tirana e Memës: një pikë në dy ndeshje, por sa gabime diletantësh

Sport



Tek Tirana nuk është një situatë e qetë. Ndryshimi i trajnerëve nuk ndryshoi performancat në fushë të bardhebluve: nëse në 8 javë Ze Maria mori 8 pikë, në dy javë Ardian Mema ka marrë vetëm një. Ajo që ka shqetësuar më tepër teknikun janë dy gola të pësuar në mënyrë identike në dy javë, që e bënë Memën të shprehej me tone të ashpra.

“Duhet ta shoh edhe një herë golin – tha Mema – por janë gabime që nuk mund të ndodhin, si i thonë në gjuhë popullore, ta falësh ndeshjen vetë”.

Tirana nuk fitoi në fakt asnjë nga dy ndeshjet me Ardian Memën në pankinë, madje pësoi gola për faje individuale, duke e nervozuar së tepërmi teknikun. Ai kundër Flamurtarit ishte një neglizhencë e plotë prapavije ku fajtorët nuk është e vështirë ti dallosh.

 

 

Vetëm se reagimi i bardhebluve nuk ishte ai që pritej nga Mema. Edhe kundër Kamzës reparti difensiv bëri pothuaj të njëjtin gabim, duke lejuar golin e dytë të pësuar në dy ndeshjet e fundit, ku llogaritë penalizojnë teknikun dhe klubin. I pashmangshëm reagimi i teknikut në përfundim të ndeshjes me fjalë të rënda, që dikujt mund ti ketë djegur më shumë…

Referimi ishte për portierin e bardhebluve Ilion Lika, që në rastin e golit të Kamzës, grushtoi goditjen e dënimit të Plakut, duke e lënë topin në këmbët e Fukuit, që nuk e pati aspak të vështirë të shënonte. Gabime flagrante, individuale dhe jo të sistemit të lojës, që për momentin i kanë kushtuar pikë të rëndësishme bardhebluve, vetëm një pikë larg zonës së ftohtë të renditjes.

Tirana nuk fiton, është fare pranë zonës së rënies nga Kategoria dhe në këtë formë nuk është e vështirë të parashikosh problemet që i dalin përpara Memës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *