• |
ide | kryesore

Patozi: Ilir Meta na përfaqëson më shumë se kushdo tjetër

Blog, Lajme
patozi.jpeg



Nga Astrit Patozi  

Ilir Meta i ka kapur të papërgatitur dhe i ka shokuar të gjithë. Madje edhe ata që janë gëzuar aq shumë me mosdekretimin e Sandër Lleshit, sa po e përjetojnë si një fitore të tyren, vetëm se mendojnë që kjo i prish punë Edi Ramës.
Por edhe ata vetë duken në vështirësi për ta mbështetur presidentin e tyre, ndaj po vonojnë pak të shprehen. Jo se kanë marrë ndonjë mesazh për vetëpërmbajtje, si deputetët e Partisë Socialiste, por sepse, fjala vjen, duhet të shpjegojnë se si ka mundësi që ai dekretoi pa asnjë problem, për të mos thënë me shumë qejf, “gogolin” e mafias dhe të krimit, Fatmir Xhafa, para një viti, por nuk “u bind” dot edhe pasi u mendua gjatë për Sandër Lleshin.
Por mbi të gjitha, duhet të pranojnë se për ta Kushtetuta është si një vëllim me poezi, që çdo president që vjen e lexon si të dojë vetë, sepse ndryshe i bie që Bujar Nishani vjet, kur tha se, me gjithë se dëshirën e tij nuk e rrëzonte dot propozimn e kryeministrit, ka qenë në shërbim të Edi Ramës.
Kurse të tjerët në qeveri po e konsiderojnë si një gjëmë që i ka pllakosur papritur kombit dhe po përgatiten për hakmarrjen finale. Përveç Erion Braçes, që foli përpara dhe pa ngritur dorën për të marrë leje, të tjerët po shtrëngojnë dhëmbët me zor që të mos e shajnë me libër shpie Presidentin, për të cilin mendojnë se vetëm i tyre nuk është. A thua se nuk ishin të njëjtët që përpara një viti mblodhën firmat, u vunë në rresht dhe votuan në parlament për ta çuar Ilir Metën në fronin e kreut të shtetit.
Sepse atëherë “ashtu ishte një punë” dhe pozicioni i Presidentit të Republikës po shërbente haptas si kusur për një pazar më të madh, nga i cili do të rezultonin pak më vonë fitues. Kurse tani po çuditen se si ka mundësi që “prej ferrës së vogël ka dalë lepuri i madh”.
Sigurisht, që ka edhe një palë të tretë shqiptarësh normalë, që e përjetojnë me dhimbje dhe trishtim këtë degradim të Republikës. Prej të cilës duan të ikin një orë e më parë, por jo kushdo e ka këtë mundësi. Ata nuk e meritojnë aspak këtë Shqipëri, që përveçse e pajetueshme, po bëhet qesharake dhe e paparashikueshme me krizën apo precedentin, që krijon mosdekretimi i ministrit të Brendshëm.
Kurse, për mua asgjë në politikë nuk ndodh rastësisht, ndaj askush nuk duhet të habitet. Është thjesht një shenjë e qartë se kalbëzimi i sistemit tonë politik është duke prekur fundin dhe mbase kjo do të shërbejë diçka për zgjimin pozitiv të kësaj shoqërie. Sepse nuk mund të kërkosh dhe as të presësh normalitet në një vend ku zgjedhja e presidentit trajtohet si “dënim” për kundërshtarin politik.
Ilir Meta nuk mund të jetë sot as heroi i një pale dhe as delinkuenti i palës tjetër. Por ai është padyshim sot një prej simboleve më të ndritshme të një klase politike të zhytur në amoralitet, në korrupsion dhe abuzime me pushtetin. Dhe si i tillë duhet trajtuar, si një produkt tipik “made in Albania”, i atyre që po qajnë dhe po gëzohen nga “burrnia” apo “pabesia” e tij e fundit. Sepse Ilir Meta na përfaqëson sot më shumë se kushdo tjetër, jo thjesht se është President i kësaj Republike të mbaruar.

Rrefuzimi i Lleshit/ Paralajmërimi dhe precedenti që krijoi Meta 



4 Comments

  1. O Patoz !
    A ka mundësi që ti leshë këto pordhacëritë me kritikën ndaj të gjithë politikanëve “anormalë” siç i quan ti edhe gjithë kolegët e PD, e si një qytetar “normal”, duke ditur se Shqipëria është qeverisur nga dymetroshi Rama në këto 6 vite, të bësh analizën e kësaj qeverie ?
    Nëse e ke të vështira nga ta kapësh analizën tënde, se Rama ka bërë shumë zullume. po të rekomandoj që të meresh vetëm me kriminalizimin e ekzekutivit e legjislativit që solli ai, e me skandalin e madh që e kthehu Shqipërinë në rekordmene të trafikut të drogës në Europë.
    E kujt po i intereson se ti e urren Bashën ?
    Veç nja 5-6 të rënëve nga fiku si ti, apo familjes tënde , askujt nuk i interesojnë broçkullat që thua për Lulzim Bashën. Jo më ty që nuk të ka kush në hesap, por edhe kieministri Rama po bëhet qesharak kur kujton se po e zhvlerëson ate duke e tallur e përgojuar.

  2. Patozi eshte dhe -Gjinushi-qe te perfaqeson ty denjesisht se e ke patur kryetar partie mos e harro.Ama kur te behet ai edhe njehere deputet bashke me ty .Po iku ajo kohe tani do tregohet—Na ishttttteeee nje hhhheeerrrree-.

  3. Edhe nëse do ti pranojmë plotësiht si të vërteta ato që i zhbraz këtu për Ilir Metën, derisa vetë me cilësinë e zv.kryetarit të PD nuk e hape gojën asnjëherë që ta kritikosh ate e Berishën për qeverisjen në koalicion, kjo kritikë për te duket haptazi se i adresohet tani PD që është në opozitë sëbashku me LSI.
    Gjithë merakun e ke për të diskretituar Bashën që “gëzoheshka” që Meta po i bie kokës Ramës e nuk ja miratoi gjeneralin mirditor Lleshi. Më i mirë, sipas teje, qenka spurdhjaku Braçe që vazhdon të jetë kundërshtar i Metës e i dyti pas tij qenke zotrote.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *