• |
ide | kryesore

Shifrat/ Gjithçka duhet të dini për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

Kryesore, Planet



Çfarë do të ndodhi në ShBA në ato që njihen me termin “Midterms 2018″, ose në zgjedhjet për Dhomën e përfaqësuesve dhe Senatin, që zhvillohen në mes të mandatit presidencial? Këtë të martë, 6 nëntor presidenti Trump do të mundohet të provjë popullaritetin e politikave të tij, ndërsa demokratët do përpiqen të marrin revansh. Po si qëndron kjo garë dhe cilat janë sfidat e saj?

Deri më tani Partia Republikane që mbështet presidentin aktual ka shumicën në të dyja dhomat (Në foton poshtë, shigjeta majtas, Dhoma e përfaqësuesve dhe djathtas Senati) . Por me ‘midterms” kjo mund të ndryshojë sepse 1/3 e vendeve të senatit dhe të gjitha vendet e parlamentit do të rivotohen nesër. Zakonisht kjo lloj gare favorizon opozitën. Por nëse fitorja në dhomë e ulët duket e arritshme ajo e senatit ngjan pothuajse e pamundur për demokratët.

Ç’ndodh me Dhomën e përfaqësuesve?

Aty janë ulur deri më sot 195 demokratë dhe 240 republikanë (grafika poshte). Për të mbërritur shumicën demokratëve u duhen 23 të zgjedhur më shumë. Këto vende nuk janë pak, por në kampin demokrat ka optimizëm për një arsye. Sepse 66 nga të zgjedhurit aktualë që nuk do të garojnë këtë të martë, 39 janë republikanë. Dhe duke humbur një avantazh shumë amerikan që çdo kongresmen i kaluar është i predispozuar të rizgjidhet, republikanët mund ta humbin shumicën dhe bashkë me të edhe mundësinë për të miratuar ligje. Trump dhe republikanët janë të shqetësuar nga humbja e shumicës në Kongres. Këtu fillon shumica e ligjeve, dhe nëse demokratët marrin kontrollin, ata do të kishin një ndikim të konsiderueshëm jo vetëm në prishjen e axhendës së Trump, por edhe do të promovonin axhendën e tyre.

Ç’ndodh me Senatin?

Në senat situata është pak më ndryshe. Aty shifrat janë në favor të republikanëve. Ata e kanë kontrollin me 51 senatorë kundrejt 49 që kanë demokratët grafika poshte).

Në zgjedhjet e 6 nëntorit në lojë janë 35 vende në senat, por nga këto vetëm 9 u përkasin Republikanëve dhe 26 u takojnë demokratëve. Dhe 10 nga këto 26 i takojnë shteteve ku Trump doli në krye në zgjedhjet presidenciale 2016. Pra përmbysja e senatit duket shumë e vështirë për demokratët. Por Senati është institucioni që mund ti pengojë më shumë politikat presidenciale.

Aty mund të kundërshtohen emërimet që bën presidenti për Gjykatën e lartë dhe që kanë ndikim direkt në shoqëri për çështje delikate si abordi apo mbajtja e armëve të zjarrit. Diana Feinshtein, demokratja kryesore në Komisionin e Gjyqësorit të Senatit, tha kohët e fundit se nëse demokratët do të merrnin kontrollin, do të nisin një hetim i ri mbi emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Bret Kavanoug, i cili u akuzua për sulme seksuale nga të paktën 3 gra.

Po ashtu është vota me 2/3 të senatit që vendos për shkarkimin e presidentit, i cili po përflitet kaq shumë. Demokratët kanë vendosur të mos flasin për këtë përpara zgjedhjeve, por nëse ata janë shumicë kur të nisë punimet Kongresi i ri në janar, ata mund të sillen ndryshe. Shumë nga anëtarët e sapozgjedhur, ka gjasa të ushtrojnë presion për këtë – veçanërisht nëse hetimi i Robert Myler del me fakte të dëmshme për presidentin.

Pjesmarrja

Që të ketë një përmbysje të republikanëve do duhet një pjesmarrje e madhe në zgjedhje sepse votuesit e moshuar republikanë janë atë që më së shumti që u drejtohen kutive të votimit në krahasim me të rinjtë që zakonisht përkrahin demokratët.

Por, garat e mesmandatit, zakonisht, karakterizohen nga një fluks më i ulët i votuesve. Kështu katër vite më parë përqindja ishte 36% ndërkohë që në garën presidenciale të 2016 ajo u ngrit në 56%. Prandaj, pavarësisht nga mobilizimi i madh anti Tramp misioni i demokratëve duket i vështirë.

©Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *