• |
ide | kryesore

Piruetat diplomatike/ Si e ka dredhur Rama qëndrimin në raport me Athinën

Arkiva, Kryesore, Lajme

Edi Rama është shfaqur të enjten në Real Story për t’i hedhur ujë zjarrit të ndezur në Bularat, ku rreth 1000 ekstremistë grekë, shfrytëzuan funeralin e minoritarit Kacifas të vrarë nga policia, për të lëshuar parulla antikushtetuese, ku kërkohej vdekja e shqiptarëve dhe ku Jugu ynë shpallej si Greqi.

Faktin se shteti qëndroi si spektator ndaj këtij dhunimi, që i dënonte protagonistët e manifestimit të Bularatit deri me 10 vite burg, kryeminisrti e ka quajtur një vlerë për vendin tonë. “Unë mendoj se ajo që shihet si dobësi, është forca jonë. Ne nuk jemi një vend ku luftohet me arkëmorte”, tha ai në intervistën me Sokol Ballën.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe.

Edhe në Shqipëri, opinioni duket i ndarë lidhur me faktin nëse shteti shqiptar duhej të tregohej tolerant, apo të zbatonte me rigorozitet ligjet e tij në raport me ekstremistët grekë.

Por kontradikta qëndron se Edi Rama ka ndryshuar qëndrim me 180 gradë në raport me ato që thoshte më parë.

Në fillim të shkurtit të këtij viti, gjatë një bashkëbisedimi në “Zonën e Debatit” me gazetarin nga Prishtina, Baton Haxhiu, ai pati deklaruar se ai i kishte ngritur personalisht tensionet me Greqinë, për të pasur në të ardhmen pozita më të mira negociuese kundrejt Athinës.

Pra kujt Edi Rame i duhet besuar ?

Atij që fitoi aureolën e patriotit që nuk përkulet para fqinjëve dhe që “guxon” t’u përmendë atyre Athinën e banuar dikur nga shqiptarë, emrat e bashkatdhetarëve tanë të ndryshuar forcërisht, çështjen çame dhe faktin se shqiptari Gjergj Dushmani ishte ai që shpëtoi Akropolin? Pra a është i vërtetë kryeministri i intervistës me Baton Haxhiun në shkurt, që predikon strategjinë se grekët marin vesh me forcë, apo ky që foli tek Sokol Balla, si tolerant kozmopolit?

Një kishë e rrënuar në mes

Për të kuptuar këtë është mirë të rikthehesh tek kronologjia e piruetave që qeveria shqiptare e drejtuar nga Rama, ka bërë në raport me Athinën, të cilën Lapsi.al e ka ndjekur hap pas hapi.

Historia e tensioneve fillon në gusht të vitit 2015, me prishjen e një ndërtese karakatinë mbi një kodër të Dhërmiut, që për qeverinë shqiptare ishte një objekt pa leje, ndërsa për qeverinë greke dhe kreun e kishës autoqefale Janullatosin, një objekt kulti. Në parapaskenë qëndronte ideja e nderimit të një murgu ortodoks, Niko Katalani (me origjinë jo greke, por arbëreshe) që kishte qëndruar në të njëjtin vend dhe ku mendohej t’i ngrihej një përmendore kujtimi.

Lexo më tej:

Kisha e Dhërmiut, mediat greke: Edi Rama i ka hedhur benzinë zjarrit

Ministria e jashtme greke, pas një takimi urgjent të Janullatosit me kryeministrin Tsipras në Athinë (25 gusht 2015) e quajti këtë prishje një akt të rëndë. Sot tre vite më pas, kisha e Dhërmiut është ngritur e re, ka marrë lejen duke treguar se ka qenë vetëm një gur në strategjinë e shpallur më pas nga Rama, se duhen çuar tensionet për të arritur tek rezultatet.

Lavazhet e Himarës

Tensioni do të mbërrinte në kulm, kur pasi shumica socialiste e kishte përfshirë Himarën në një Bashki me zonat e Labërisë, duke ulur peshën specifike të greqishtfolësve, në vjeshtën e vitit 2016 do të fillonte një prishje e ndërtimeve në qendër të qytetit për t’i hapur rrugë planeve të Rilindjes Urbane. Rama do të argumentonte se vetëm 6 prej ketyre ndërtimeve, dyqane gjysëm të rrënuara dhe lavazhe, ishin me leje, ndërkohë që Athina do të vinte kujën. Deklaratat e ministrisë së jashtme greke i përmendën Tiranës bllokimin e perspektivës europiane dhe aty thuhej: “Kjo minon rrugën e integrimit për vendin. Provat janë të qarta; si pjesë e planit të zhvillimit të Himarës po prishen vetëm ndërtesat e banorëve që janë me origjinë greke” (lexo linkun poshte Lapsi.al).

Rama provokon tension të ri Athinë-Tiranë

Lufta me Facebook

Në kulmin e kësaj krize Rama i hodhi benzinë zjarrit me një provokim që do të mbahet mend gjatë. Atëhere ai botonte çdo të dielë në faqen e vet në Facebook, një rubrikë të quajtur Amarcord. Në 31 tetor 2016 fotoja që zgjodhi ishte një gravurë e simbolit athiniot, Akropolit, me shënimin, se dikur, në vitin e largët 1686, ai ishte shpëtuar nga shembja prej shqiptarit Gjergj Dushmani dhe mbi të gjitha, se akoma në vitin 1925 qyteti ishte në shumicë me popullsi shqiptare.

Vetëm kaq u desh që debati të merrte flakë. Athina thirri ambasadorin tonë për të shpjeguar këto deklarata kurse ish ministri i jashtëm Nikos Kocias u përgjigj flakë për flakë: “Kujt i pëlqen historia greke dhe kultura greke, ai është i mirëpritur. Vetëm mos të arrijë në pikën që të konsiderojë se këto janë ekskluzivisht të vetat dhe nuk janë greke”.

Edhe më të ashpra u treguan mediat helene. Ato shkuan deri aty sa ta konsideronin Ramën injorant: “Duket se Zoti Rama ka harruar pjesë kryesore të historisë për arsyen se Gjergj Dushmani nuk ishte as arvanitas dhe se shqiptarët e atëhershëm nuk kanë të bëjnë aspak me shqiptarët e sotëm. Injoranca e kryeministrit shqiptar është për qeshur”.

Një tjetër media, e përditshmja “Stohos”, në kryeartikullin e saj bëri thirrje për dëbimin e të gjithë emigrantëve shqiptarë. Ajo i quajti ata “kolona e pestë e Turqisë në Greqi”. Shkrimin, “Stohos”, e shoqëroi me një fotomontazh provokues ku flamuri shqiptar ishte përafruar me atë të Turqisë dhe një ushtar grek i qëllonte me plumba.

Tensionet me Athinën, mediat greke: T’i shporrim shqiptarët

Kjo ndodhte ndërkohë që ministri grek i mbrojtjes, Panos Kamenos, do të shfaqej me uniformë ushtarake gjatë një stërvitjeje të trupave helene në kufi me Shqipërinë, për të deklaruar: “Greqia është e vendosur të mbrojë sovranitetin kombëtar të vendit dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare. E kam fjalën edhe për deklaratat e fundit të z. Rama, për sajesat antihistorike që ai flet e që na sjellin përsëri në kujtesë bashkëpunëtorët e nazizmit. Ishin ata që dolën në anën e humbësve.

Ata ishin në anën e mundur në luftë. Ne nuk do të pranojmë sfida të tilla dhe nuk do të pranojnë raporte të tilla, të cilat dëmtojnë dhe infektojnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Rama u përgjigj në mënyrën e tij, besnik i bindjes se tensioni duhej rritur, ai shfrytëzoi një debat me Vangjel Dulen në parlament për të rimarrë të gjitha temat që kishte hapur me Athinën atë vjeshtë të 2016 dhe luajti me notat emotive të shqiptarëve duke kujtuar fatin e keq të sa e sa mijra emigrantëve që ishin detyruar të ndryshonin emrat për t’i bërë ballë racizmit grek.

“Lindja” e një patrioti

Qëllimi i dytë i kësaj ofensive ishte ai që po përhapte me shpejtësi makina e vet propagandistike. Rama kërkonte t’i bënte të ndiheshin mirë patriotët naivë dhe nacionalistët tanë që mund të krenoheshin se më në fund doli një politikan i lartë shqiptar që nuk ka frikë të vërë pikat mbi i. Se tani vendi kishte një lider të denjë për të përfaqëuar një anëtar NATO-s, që bën politikë i pandikuar nga frika e “fshesës greke” dhe i patrembur nga lobingu negativ që mund të bëjë një Greqi, gjithnjë e më e sfilitur në planin ndërkombëtar.

Me këtë aureolë u paraqit Rama në një nga performancat e veta më të mira televizive që ka pasur për mediat greke. Pas një telefonate sqaruese me Tsiprasin, ai i dha një intervistë të gjatë gazetarit Aleksis Papahelas në Skay TV.

Komentet më pikante të shtypit grek për intervistën e Ramës

I vënë përballë me pretendimet më ektremiste greke, kryeministri shqiptar zgjodhi rolin e të moderuarit. Ai tha se elementi i shpëtimit të Akropolit nga shqiptari Gjergj Dushmaini qe simbol i së shkuarës së përbashkët të dy vendeve, mohoi se Shqipëria zbaton një politikë rivendikuese. E përshkroi çështjen çame si një çështje të të drejtave të njeriut, kërkoi heqjen e ligjit të luftës, theksoi se shembja e objekteve në Himarë është thjesht një pjesë e rilindjes urbane që po bëhet në atë qytet, por edhe në gjithë Shqipërinë.

Shtypi grek u tregua deri diku duartrokitës me këtë intervistë, ndërsa gazeta Kathimerini vuri re se Rama propozoi një paketë zgjidhjesh përfundimtare. Në shkrimin me titull: “Edi Rama në favor të negociatave paketë”, ajo shkruante: “Përmes intervistës që i dha gazetarit Aleksis Papahelas, kryeministri shqiptar ka kërkuar negociata paketë për gjithë çështjet dypalëshe midis Athinës dhe Tiranës. Që nga zonat detare dhe ligji i luftës, deri te krijimi i varrezave ushtarake për të rënët grekë në 1940”.

Koha për zgjidhje?

A fillon në këtë pikë ndryshimi i strategjisë së Ramës për të ngritur tensionet?

Viti 2017 mund të quhet pa frikë viti i përpjekjeve për të krijuar konsensus. Viti kur nisën raportet intensive Bushati- Kotzias për marrëveshjen e detit, për mënjanimin e termave problematikë në literaturën shkollore, për pronat e çamëve dhe varrezat e ushtarëve grekë.

Në maj të këtij viti, Rama dhe Tsipras u takuan kokë më kokë në Athinë në samitin e vendeve të NATO-s. Një muaj më pas, gjatë një takimi elektoral në Dropull, kryeministri shqiptar do t’ia tregonte kështu këtë bisedë një qytetari minoritar që i tha se i kishte parë të afërt me Tsiprasin: “Po ndenjëm gjatë. Unë nuk jam i lehtë, ti e di. Rrugës jemi. Besojmë që do të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet. Ata kanë të drejtat e tyre të kërkojnë më shumë në disa çështje, por ne kemi të drejtën tonë të kërkojmë në disa çështje. Do të gjejmë ekuilibër. Do gjejmë zgjidhje të plotë dhe pastaj do të zhvillojmë një takim në Athinë ose në Tiranë. Janë lënë disa gjëra sikur nuk ekzistojnë”.

Më të njëjtën gjuhë, Rama do të fliste edhe në parlament edhe pas formimit të qeverisë së re të dalë pas zgjedhjeve të qershorit 2017. Ndërhyrja e tij do të cilësohej në shtypin grek larg provokimebve të dikurshme. Gazeta më e lexuar e vendit, Proto Thema e citonte besimin e Ramës se “e ardhmja do të sjellë zgjidhjet e dëshiruara për të dyja palët me dialog real, me këmbë në tokë, jo me deklarata fluturake në distancë dhe marrëdhëniet mes nesh do të ngrihen në një nivel të ri miqësie, respekti dhe bashkëpunimi strategjik”.

Me çfarë rezultati?

Por, që nga ajo kohë ka rrjedhur edhe një vit tjetër, ku marrëveshja e detit ka ngecur dhe në tregun e teorive konspirative qarkullojnë thashetheme se Athina ka paguar shumë para që ajo ta realizojë në favor të saj, ku për ligjin e luftës asgjë nuk ka përparuar, ku për pronat e çamëve nuk ka asnjë dritë të hapur jeshile, ku takimi dypalësh mes kryeministrave ende nuk ka ndodhur dhe kur ngritja e premtuar në rangun e aleatit strategjik është shtyrë.

Të vetmet gjëra që kanë ndodhur janë ato që Greqia kërkon prej kohësh: qytetaria shqiptare për kryepeshkopin Anastas dhe firmosja nga Rama e varrezave të ushtarëve grekë.

Varrezat e ushtarëve, Greqia e kënaqur me vendimin e Ramës, përshëndet Kotzias

Prandaj tani, pas ngjarjeve të dhunës në Bularat, gjithkush ka të drejtën të pyesë? Çfarë pollën politikat plot oshilacione të Ramës? Cilat qenë fryrtet e strategjisë së tij, ngri tensionin që të mbërrish tek rezultatet? Ku shkoi aureola e liderit që përplasej dhëmbë për dhëmbë me grekët dhe e politikanit patriot që flet pa komplekse ndaj tyre? A mjafton në politikë të ribotosh gravura të vjetra dhe t’i thërrasësh në ndihmë statistikave të popullsisë të fillimshekullit të kaluar, kur pas manifestimeve në Dropull nuk je në gjendje të zbatosh ligjet e vendit tënd?

Askush nuk ka përgjigje për këto pyetje, ashtu sikurse askush nuk di të thotë se pse pasi luajti“provokatorin”, Edi Rama u transformua në tolerant, pa marrë asgjë në shkëmbim?

©Lapsi.al

6 Comments

  1. EPO MIRE E KA QE NUK I NDJEK PENALISHTE DHE DUHEN TOLERUAR EXTREMISTET GREK,PASI THIRRJET E TYRE NUK KANE RENDESI PER SIGURIN DHE RENDIN NE VENDIN TONE,RREZIKU VJEN NGA SHPIFJET ATO PO QE CENOJN RENDIN KUSHTETUES PASI REZIKOJNE PUSHTETIN ,THIRRJET NE BULARAT JANE SI SALLATA GREKE.

    1. shteti e quan urtesi heshtjen se shteti eshte shum mikprites ,po ti kishin kete urtesi shteti ne vlersimin maksimal te gjerave sot do tia kishim kaluar ekonomikisht ,Cdo shteti evropian per nga pasurit qe ka vendi,dhe gjitha problemet,do ti kishim zgjillur por fakti qe ne kemi ,kete fat ne nje rrug problemesh galopante pa zgjillje ne shtim nga kjo klase politike ,tregoj tjetergje ,,e kete e tregon raliteti e verteta flet vet ska nevoj deshmish as deshmitaresh kjo seshte mo politik as drejtesi ky eshte mashtrim i mirorganizuar ne nje shekull akoma e mendojne shqiptarin si skllav sherbetore dhe nenshtruar lehtesisht kujdo per nje Cope buk por tashme kjo legjend pe ndryshon sepse interesat jan bere pazar, dhe ne pazar interresash zihet te gjith dhe humbin duke shkuar e drejta ne vend,raliteti sjell bindjet koha perkrahjen dhe fundi te drejten padrejtesia nuk triumfon ,por durimi dhe meshira zotit ullzimi tije po na entuziazmon per me mire,

  2. Jugu ynë u shpall sot ne parlamentin Grek si greqi, me sakte ata kane kohe qe e kane shpallur zyrtarisht si Republika e Pavarur e Vorio Epirit. Nje minute heshtje sot atje per terroristin Katcifas treguan qarte se per çfare behet fjale. Qe kur kane filluar bisedimet okulte midis tiranes dhe athines per varrezat dhe detin greket kete pune e kane marr te mireqene. Ditemiri eshte agjent i tyre prandaj hesht, Rama i kapur dhe kooruptuar nga ana tjeter. Shteti ka rene,rilindasit jane te kapur nga sherbime dhe interesa te huaja dhe po shesin shqiperine

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu