• |
ide | kryesore

Refuzimi i dytë për Shqipërinë: Loret Sadiku zëvendësohet pas 24 orësh në listën e Panuccit

F1, Sport



Loret Sadiku ishte emri ndoshta më i spikatur në publikimin e bërë një ditë më parë nga tekniku i përfaqësueses Christian Panucci, për ndeshjet kundër Skocisë e Uellsit. 27 vjecari me pasaportë suedeze po luan në nivele të larta në Superligën turke, por me të njëjtën shpejtësi që driblon kundërshtarët në fushë, e bëri edhe Christian Panuccit dhe ftesës së italianit për të përfaqësuar Shqipërinë.

Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka dhënë asnjë shpjegim, por ndonjëherë faktet kuptohen, për sa kohë në listën e publikuar, 24 orë më pas mesfushori nga Prishtina nuk figuron më, duke u zëvendësuar nga Ergys Kaçe. Kapricio, mungesë respekti, apo mos-akordim, sepse kjo është hera e dytë që Sadiku i thotë jo fanellës kuqezi e nëse bëhet fjalë për një nga dy rastet e para, do të jetë edhe hera e fundit.

Në 2013 titullar tek Helsingborgu, Sadiku konsiderohej lojtar tepër premtues në Suedi, për më tepër që luante me U21 e nordikëve. Por megjithatë atëherë 21 vjecari vendosi të luante për Shqipërinë. Komplikimi erdhi kur Kosova bëri kombëtaren e saj dhe e ftoi, duke bërë që lojtari të konfliktohej me FSHF-në dhe teknikun De Biazi.

Ndërkohë, një tjetër mesfushor firon nga lista e Panuccit: Ylber Ramadani që luan në Danimarkë, me Vejle Boldklub, është dëmtuar në dorë dhe për këtë arsye nuk do të jetë në dispozicion për dy ndeshjet e kombëtares, me Skocinë e vlefshme për UEFA Nations League në datë 17 nëntor ora 20:45, e cila do të luhet në stadiumin “Loro Borici” dhe në ndeshjen miqësore ndaj Uellsit më datë 20 nëntor ora 20:00 në “Elbasan Arena”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *