• |
ide | kryesore

PROFIL/ Fundi i Nikolla Gruevskit, 10 vjet kryeministër tashmë në arrati

Kryesore, Lajme



Prej 4 ditësh ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është zhdukur. Korrieri i gjykatës nuk e gjeti 3 herë në shtëpi për t’i dhënë vendimin për refuzimin e ankesës për shtyrjen e dënimit me burg për rastin “Tanku”. Ish-kryeministri është dënuar me 2 vjet burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës gjatë blerjes për nevojat e qeverisë të një “Mercedesi” në vlerë rreth 600 mijë euro.

Mbrëmjen e së hënës ministria e Brendshme firmosi urdhër-arrestin për të dhe fotoja e tij u shfaq në listën e persona “të kërkuar” nga policia. Autoritetet policore bastisën shtëpinë dhe më pas edhe zyrat e VMRO-DPMN-së, por nuk e gjetën. Gruaja e tij tha se herën e fundit e kishte parë të premten, por nga ajo ditë ai është zhdukur. Njeriu që drejtoi për 10 vjet Maqedoninë (27 gusht 2006 deri në 18 janar 2016) dhe që për 14 vjet ishte kreu i një prej dy partive kryesore të vendit VMRO-DPMNE, tashmë është në arrati.

Po kush është Nikolla Gruevski?

“Maqedonasit e duan ose e urrejnë atë. Për kundërshtarët e tij, Nikolla Gruevski është i korruptuar, populist, një makiavelian i pashpirt dhe armik i medias së lirë. “Jo, jo, jo”, thonë mbështetësit e tij. Ai është i pastër si një bilbil, modest, tmerri i milionerëve që shmangin taksat dhe një njeri me vlera familjare” – do të shkruante Tim Judah në një profil të botuar në “The Economist” në vitin 2011.

I lindur në vitin 1970, Gruevski erdhi në jetë në një familje as të privilegjuar, por as të varfër. Babai i tij merrej me mobilie dhe dizajnim, nëna e tij ishte infermierë dhe pasi prindërit u divorcuan, ai përfundoi me mamanë. Kur ishte 4 vjeç, ajo shkoi të punonte në Libi, si mijëra maqedonas të tjerë dhe e mori atë me vete.

Ka një episod të shkurtër në fëmijëri gjatë të cilit Gruevski ëndërronte të bëhej doktor, futbollist ose kozmonaut. Për një gjë nuk mendonte shumë, ajo ishte politika.

Babai i tij kishte lindur në Greqinë veriore, gjyshi i tij ishte mobilizuar me ushtrinë greke dhe u vra duke luftuar italianët në Shqipëri pas pushtimit italian në vitin 1941. Atëherë, në prag të luftës civile në Greqi, njësoj si mijëra sllavë të Maqedonisë së Greqisë, familja u arratis në veri, në atë që njihej atëherë si Maqedonia e Jugosllavisë. Ndoshta është ky përbërës emocional pjesë e përplasjes me Greqinë?

“Jo”, – thotë Gruevski, deri më tani ai nuk ka qenë i interesuar kurrë për këtë histori. Po ashtu ai thotë se nuk është ndjerë i prekur kur vizitoi fshatin e të parëve në vitin 2001.

Familja e re e Gruevskit nuk fliste shumë për politikën, me një përjashtim. Daja e tij, Jordan Miljakov, fliste për politikën gjithë kohën. Miljakov ishte përfaqësues i një firme maqedonase tekstilesh në ish- Çekosllovaki. Kur Jugosllavia nisi të rrëzohej, Gruevski mendoi të bashkohej me dajën e tij dhe shkoi në një shkollë filmi atje.

Megjithatë ai kishte studiuar ekonomi në vendlindje. Dhe zoti Miljakov u bë ministri i parë i Brendshëm në qeverinë që çoi Maqedoninë drejt pavarësisë në vitin 1991.

Miljakov kujtohet me nderime nga shumë njerëz. Ai ishte personi që urdhëroi sekuestrimin e dokumenteve të ushtrisë jugosllave, çka do të thoshte se maqedonasit nuk mund të mobilizoheshin për të luftuar kundër kroatëve. Menjëherë pas kësaj, ai u vra në një aksident të dyshimtë automobilistik në Serbi.

Incidenti nuk bëri që Gruevski të hynte në aktivizim politik. Megjithatë ai dilte me disa anëtarë të partisë nacionaliste që drejton tani, emri i së cilës është aq i gjatë sa edhe inicialet janë të lodhshme: VMRO- DPMNE.

Pas universitetit, ku nuk iu përkushtua dhe aq shumë dramës dhe boksit, Gruevski hyri në sektorin financiar që po lindte dhe u bë personi i parë që bëri tregti në bursën e Shkupit.

Hyrja në politikë dhe ngritja

Në vitin 1996, ai i hyri politikës, duke u bërë këshilltar lokal në kryeqytet. Vitin tjetër nisi të shkruante për ekonominë. Ja, kështu nisi e bëri emër si ekonomist. Në vitin 1998, ai u bë ministër i Tregtisë dhe në vitin 1999, ministër i Financave.

Sot kur thua emrin Gruevski të vjen ndërmend statuja gjigante prej bronzi e Aleksandrit dhe të gjitha statujat e shenjtorëve e politikanëve që janë ngritur çdo javë si pjesë e një politike për të zgjeruar identitetin kombëtar. Por pak vite më parë ishte ndryshe. Ky ishte personi që nisi derregullimin e ekonomisë, prezantoi tatimin mbi vlerën e shtruar, taksën e sheshtë dhe rikthimin e pasurive të sekuestruara nga komunistët.

Në shumë aspekte, Gruevski ishte për partinë e tij njeriu i duhur, në vendin e duhur, në kohën e duhur. Me komunizmin në largim dhe Maqedoninë e pavarur, një teknokrat që fliste anglisht si Gruevski ishte tipi i duhur për të rifreskuar partinë. Por shumë pak prisnin që djaloshi me mendjen tek ekonomia do arrinte të nxirrte jashtë loje kundërshtarët, do merrte në dorë partinë dhe do fitonte 3 herë rresht.

Vitet e para kur u bë kryeministër në vitin 2006 u karakterizuan nga rritja dhe fokusi tek ekonomia. Më pas erdhi Samiti i Bukureshtit në vitin 2008 ku Greqia bllokoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO për shkak të emrit.

“Isha i shokuar,” – thotë zoti Gruevski. Më pas luajti me kartën e nacionalizmit dhe fitoi. Shumë maqedonas u gëzuan me statujën e Aleksandrit, por LSDM në atë kohë në opozitë thoshte se “Gruevski është mishërim i djallit”.

Thuhet se ai ka ditur të ketë sukses edhe me popullatën shqiptare në Maqedoni, që përbën mbi një të katërtën e vendit me 2 milion banorë. Vite më përpara, Maqedonia ishte në prag të një konflikti civil gjithëpërfshirës, me gueriljet etnikë shqiptarë kundër forcave të sigurisë. Më pas Gruevski u fut në koalicion me Ali Ahmetin, ish-liderin e këtyre gueriljeve. Qeveria kishte një ministër shqiptar të mbrojtjes dhe një zëvendëskryeministër që përgjigjej për integrimin evropian.

Rënia e Gruevskit

Politikani 48-vjeçar do të mbahet mend për projektin kontravers “Shkupi 2014” që gëlltiti plot 560 milionë euro nga buxheti i shtetit. Po ashtu ai nuk do të harrohet edhe për kthesën që i bëri prejardhjes së popullit maqedonas nga sllavë në maqedonas antik. Më 25 gusht 2006 Gruevski formoi qeverinë e re e cila përbëhej nga ministra të rinj të moshës 30-vjeçare. Po ashtu edhe në zgjedhjet e parakohshme në vitin 2008 ai sërish fitoi dhe bëri koalicion me BDI-në. Gruevski dhe partia e tij i fituan edhe zgjedhjet e vitit 2012 ku sërish hyri në koalicion me BDI-së.

Ai fitoi edhe zgjedhjet e vitit 2016, por nuk formoi dot shumicën për të hyrë në qeveri. Në zgjedhjet lokale që u mbajtën në tetor të këtij viti partia e Nikolla Gruevskit, VMRO-DPMNE pësoi humbjen më të madhe, duke fituar vetëm 5 komuna nga 80 që janë gjithsej. Pas kësaj ai dha dorëheqje. Në kongresin e jashtëzakonshëm që u mbajt 23 dhjetor ai u shpall kryetar nderi i partisë, ndërsa në krye të saj u zgjodh Hristijan Micovski. Emri dhe zëri i Nikolla Gruevskit u dëgjua shpesh në të ashtuquajturat “bomba” të opozitës të cilat i publikonte lideri i LSDM-së Zoran Zaev në vitin 2015.

Në ato regjistrime telefonike, Gruevski merr pamjen e një autokrati i cili ndëshkon dhe shpërblen sipas bindjeve të veta, qeveris së bashku me familjen, miqtë dhe të besuarit. Bën tregti me koncesione, qesh për fatkeqësinë e të tjerëve, toleron krime të ndryshme, kërkon gjithmonë zgjedhje me hile, vjedh prona për veten dhe partinë.

Nuk është e qartë nëse vetëm bombat e shkatërruan Gruevskin. Ai humbi shpejt mbështetjen e ndërkombëtarëve. Pas kësaj vijnë një sërë procesesh gjyqëore që e akuzojnë për shpërdorime në detyrë dhe korrupsion. Ai tashmë është një i arratisur i drejtësisë që duhet të vuajë 2 vite burg. Nëse kapet do të dërgohet me forcë në burgun e Shutkës. ©Përgati LAPSI.al



1 Comment

  1. KUR DHE SA DO TE PRESIM NE SHQIPTARET QE TE ARRESTOHEN KRYEMINISTRA ISH KRYEMINISTRA MINISTRA ,DEPUTET GAZETAR, DOKTORR GJYKATES ,PERKUROR SE DERI TANI JANE ARRESTUAR ROJE PORTASH,PSE KA VENOSUR NJE TULL,PSE KA PREKUR MATESIN E DRITAVE DHE KETA TE ARRESTARI DERI TANI NUK PAGUHEN MA TAKSAT E POPULLIT KETA TE TJERET PAGUHEN ME TAKSAT E SHQIPTARVE PER TI VJEDHUR PLACKITUR DHE NE FUND PER TI BURGOSUR .DHE SE FUNDMI NGA KAZANI KA DALE QE KRYEMINISTRI KA SHKELUR KUSHTETUTE. NE QOFTE SE EHTE E VERTET CFAR PRITET TE SHKOJ TE BEJ SHOQERI ME GESKIN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *