• |
ide | kryesore

Alarmi serb/ Turp, shqiptarët po restaurojnë trashëgiminë tone

Arkiva, Kryesore



Në vend të shtetit Serb, qilarët e verës në Rajac dhe Rogljevo, monumente të rëndësisë më të lartë kombëtare dhe kandidatë të mundshëm për në Listën e Trashëgimisë Botërore, janë duke u restauruar nga një organizatë jo-qeveritare shqiptare, e cila financon punimet restauruese.

Organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) me qendër në Tiranë ka vlerësuar rëndësinë e kësaj trashëgimie, gjë që nuk mund të thuhet për Ministrinë e Kulturës në Serbi. Kështu që del qartë se këto dy qytete unike të prodhimit të verës në rajonin e Negotinit, të cilat janë kandidate për në listen e UNESCO-s që në vitin 2010, janë duke u mbrojtur nga shteti i Serbisë vetëm teorikisht. Komplekse të mëdha të qilareve të verës, të ndërtuara në shekullin e 19, po degradojnë çdo ditë, për shkak të pamundësisë nga ana a pronarëve të financojnë riparimet e kushtueshme dhe proçedurat e komplikuara. Thënë ndyshe, shteti i Serbisë, duke i shpallur këto monumente nën mbrojtje të gradës më të lartë, ka vendosur gjithashtu kushte të veçanta për restaurimin e tyre, të cilat duhet të ndiqen nga pronarët, dhe lejet duhet të përftohen përmes Institutit të Republikës për Mbrojtjen e Monumenteve në Beograd. Përderisa kjo është një proçedurë e gjatë dhe e kushtueshme, pronarët nuk e kanë mundësinë ta ndjekin, kështu që kjo trashëgimi unike po shkatërrohet megjithëse nën mbrojtjen e shtetit. Politikanët janë në dijeni të problemeve. Në asnjë fushatë politike nuk kanë munguar politikanët që vizitojnë dhe premtojnë para për monumentet dhe për rrugët, të cilat gjithashtu janë në një gjendje të keqe dhe që mund të konsiderohen historike, duke patur parasydh kohën kur janë ndërtuar. Por kur zgjedhjet përfundojnë, çdo gjë harrohet.

Ndryshe nga politikanët, disa përfaqësues të një organizate shqiptare Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) kanë vlerësuar, që në vizitën e tyre të parë, rëndësinë dhe vlerat e komlekseve të qilareve të verës në Rajac dhe Rogljevo. Banorët e të dy fshatrave e kanë vlerësuar këtë dhe e konsiderojnë CHwB-në si shpëtimtarin e tyre.
– Miqtë tanë nga Shqipëria na mbështetin që të ruajmë këtë struktura historike unike. Me ndihmën e tyre, shumë nga qilaret e verës të cilat janë harruar nga shteti i Serbisë, po restaurohen. Me CHwB-në dhe Bosiljka Tomasevic, një eksperte nga nga Instituti i Republikës për Mbrojtjen e Monumenteve në Beograd, e cila ka vlerësuar rëndësinë e këtyre ndërtesave shumë vite më parë.

– “Qilari im i verës është më shumë se 150 vjeçar, dhe i pikon çatia, dhe unë nuk kam para ta riparoj. Më duhen 3000 euro për investimin, dhe përveç projektit të restaurimit, unë jam i detyruar të përdor tjegulla romake për çatinë, të cilat kushtojnë 3 herë më shumë se ato të thjeshtat. Shteti Serb nuk po bën asgjë për të riparuar, prandaj shumë nga qilaret e verës po rrënohen, dhe të gjithë politikanët ishin këtu dhe premtuan para dhe mbështetje. Kur ata (politikanët) marrin funksionet e tyre të reja dhe dikush ju kërkon ndihmë, ata thonë që është pronësi private dhe nuk mund të financohet me buxhetin e shtetit. Unë druhem që në disa vjet ne do ta humbim qilarin tonë të verës, si nga lista e mbrojtjes dhe nga lista e UNESCO-s. Duket sikur shteti i Serbisë është në pritje të skenarit më të keq, në këtë mënyrë do të kenë një shqetësim më pak.” – thotë Zarko Cvetkovic nga Rajac.

Ekspertët janë në një mendje me Zarko-n
– “Qëndrimi i Republikës të Serbisë, në veçanti ai i Ministrisë të Kulturës kundrejt trashëgimisë tonë kombëtare, mund të shihet përmes mungesës të plotë financiare për punën e Institutit të Republikës për Mbrojtjen e Monumenteve në Beograd, për këto pasuri kaq me vlerë. Mungesa e mbështetjes financiare e ka bërë të pamundur për specialistët që të mbrojnë trashëgiminë vernakulare në zonat rurale, gjë kjo që çon në shkatërrimin e plotë dhe zhdukjen, e kështu Serbia është duke humbur identitetin e saj” – thotë Bosiljka Tomasevic.
Ajo shton që qilaret e verës që janë në mbrojtje nuk kanë ndonjë perspektivë pozitive. Vetëm nëse strategjia e kulturës në nivel kombëtar zhvillohet dhe zbatohet, gjë që do të lejonte për një mbrojtje gjithëpërfshirëse dhe rijetëzimin e qilareve të verës dhe peizazhit të Negotin-it. Kjo grua, që ka meritën për njohjen e qilareve të verës në Rajac dhe Rogljevo si monumente të veçanta të kulturës, shton që shteti Serb nuk mund të fshihet nën alibinë se nuk mund të financojë restaurimin ngaqë ato janë pronë private.
– “Ligji i Trashëgimisë Kulturore nuk flet për ndryshime në lidhje me pronësinë e ndërtesave të mbrojtura, por bën ndryshime me nivelet e mbrojtjes; dhe qilaret e verës, që prej vitit 1983, janë vendosur në nivelin më të lartë të mbrojtjes. Kush dhe çfarë ndikon në braktisjen e trashëgimisë rurale mbetet e paqartë” – thotë Bosiljka Tomasevic.

Justifikimi i dobët i Ministrisë të Kulturës

Në Ministri na kanë siguruar që janë në dijeni për degradimin e qilareve të verës, por nuk kanë mundësi financiare.
– Ne jemi të informuar që CHwB-ja është duke marrë pjesë në restaurimin e qilareve të verës në bashkëpunim me Institutin e Republikës për Mbrojtjen e Monumenteve në Beograd. Në rastin e qilareve të verës pengesa kryesore për investim nga shteti qëndron në faktin që ato janë pronë private. Të investosh në prona të cilat janë private është kundër ligjit për blerjet buxhetore. Këto janë arsyet që bëjnë që në Serbi ne të kemi një problem me investimet në monumente të cilat janë pjesë e trashëgimisë vernakulare. Përsa i përket procedurave për zbatimin e punimeve, ato janë të përcaktuara nga ligji për trashëgiminë kulturore, i cili është aprovuar në vitin 1994, prandaj ne nuk mund të pranojmë që procedurat për të marrë leje janë të komplikuara dhe të shtrenjta” – nga Ministria e Kulturës.

Tekst i gazetes serbe Blic



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *