• |
ide | kryesore

Shqipëria nuk ka çfarë të humbasë: Panucci e rreshton me tre sulmues

F1, Sport



Renditja në këtë rast dikton përtej mungesave, që do ta kishte bërë cdo trajner të ishte i kujdesshëm në rreshtim. E pra kundër Skocisë, kuqezinjtë e Christian Panuccit nuk kanë çfarë të humbasin, përvecse ti largohen vendit të fundit në Divizionin C1, për të shmangur rënien, në turneun ku pretenduam kualifikimin, duke imagjinuar madje deri edhe finalet e Euro-2020.

Kështu në seancën e fundit stërvitore, italiani ka marrë lajmin më të mirë, ose të paktën atë që priste me padurim: Eros Grezda ka punuar me grupin, pa ndjerë shqetësime dhe duket i sigurtë që do të nisë nga minuta e parë.

Në fakt, Panucci të sigurtë kishte vetëm Strakoshën mes shtyllave dhe dyshen e qendrës Djimsiti-Mavraj. Pjesa tjetër është e gjitha e diktuar nga mungesat dhe domosdoshmëria për të kërkuar rezultat. për të suportuar një ofensivë me tre elementë, tekniku hoqi dorë nga tre mbrojtës, për të propozuar përsëri 4-3-3 ku Veseli do të marë vendin e Hysajt të skualifikuar dhe Binaku, që rival të krahut ka vetëm 19 vjecarin Ademi, do të luajë në të majtë.

Mesfusha është më e ekuilibruar, edhe pse skualifikimi i Bashës i ka krijuar jo pak kokëcarje Panuccit. Duhet të ishte Loret Sadiku, por do të jetë ai që e zëvendësoi, Ergys Kaçe. Jo më kot tekniku e bëri zëvendësimin kokë për kokë. Xhaka e Memushaj do të kompletojnë repartin, edhe pse vëmendja këtë herë do të jetë nga treshja e sulmit, duke qenë se jemi në kërkim të fitores.

Balaj, i entuziazmuar nga rikthimi në Shkodër, ndjen atmosferën e shtëpisë dhe është gati të udhëheqë repartin, në asistimin e dy lojtarëve me teknikë fine e dinamizëm si Grezda e Uzuni. Beratasi e ka fituar me performanca vendin në hiererkitë e Panuccit, ndërsa Grezda shihet si lojtari që mund të bëjë diferencën në një ndeshje delikate si kjo.

Shqipëria dhe Skocia kanë nga tre pikë në Divizionin C1, në kohën kur Izraeli udhëheq me 6. Karakteristikë e grupit është se të gjithë kanë fituar në shtëpi dhe ndoshta ky është oguri më i mirë për kuqezinjtë kur të zbresin në Loro Borici në orën 20.45.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *