• |
ide | kryesore

Darka plot “helm” e Thaçit dhe Haradinajt te shtëpia e Pacollit

Lajme, Të fundit



Nga Berat Buzhala

Të hënën që e kemi lënë prapa Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj, përmes intervistave televizive, në dy studio të ndryshme, njëri në T7 e tjetri në Klan Kosovë, i kanë dërguar mesazhe të forta njëri tjetrit, lidhur me zhvillimet më të fundit për mundësinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Një natë më vonë, derisa tensionet ende nuk kishin rënë, Thaçi dhe Haradinaj janë ftuar nga zëvendëskryeministri Pacolli, për një darkë të përbashkët, me shpresën për t’i ulur gjakrat. Mirëpo, nuk është hera e parë që gjërat shkojnë krejtësisht në anën e kundërt të asaj cfarë ishte menduar.

Kështu, Gazetës Express i kanë treguar tri burime të ndryshme, të afërta me Pacollin, Thacin dhe Haradinajn, se darka, e cila ka zgjatur deri pas mesit të natës, ka qënë cdo gjë tjetër përvec pajtuese.

“Ka pasë të shara, ka pasë ngritje të zërit”, kanë thënë burimet e Expressit, duke shtuar që të pranishëm aty kanë qënë Thaçi, Haradinaj, Pacolli dhe këshilltari i këtij të fundit, Jetlir Zyberaj. Kuptohet, edhe shërbyeset nga Filipinet, që janë staf i rregulltë në shtëpinë prej mijëra metrave katror të Pacollit në Hajvali.

“Pacolli ka qënë tepër i shqetësuar gjatë kësaj darke”, tha një burim tjetër, i cili ka treguar që ka qënë i ftuar që të shkonte në këtë darkë, por për shkak të obligimeve të tjera nuk ka arritur që të merrte pjesë.

“Kjo ka zgjatur deri rreth orës 1 – 2 të mëngjesit”, tha ky burim.

“Haradinaj, me zë të lartë, me ndonjë sharje, i ka treguar Thaçit që asnjë marrëveshje nuk do të kalojë në Kosovë, nëse prekën kufijtë. Haradinaj i ka thënë që nuk do të ketë vend as për Thacin në Kosovë”, ka treguar ky burim, duke shtuar që Thaci nga ana tjetër e ka kërcënuar Haradinajn me prishje të qeverisë.

Se raportet në mes të tyre janë në nivel tepër të ultë, posacërisht pas kësaj darke, ka treguar Thaci në një intervistë që e dha këto ditë në një portal që është në pronësi të ish këshilltarit të tij politik, e ku ai e sulmoi ashpër Kryeministrin e Kosovës.

Në anën tjetër Express ka mësuar se raportet në mes të Thaçit dhe Haradinajt, edhe më tutje nuk i kanë helmuar raportet e Kadri Veselit dhe Kryeministrit Haradinaj. Express mëson se Veseli i ka thënë më shumë se sa njëherë Haradinajt që është ai që vendosë për ta prishur ose jo koalicionin, e jo Presidenti Thaci.

Ajo cfarë edhe më tutje nuk është krejtësisht e qartë, janë raportet Thaci – Veseli. Javë më parë këta të dytë u tensionuar, kur Thaçi i mori më vete në një vizitë në Liqenin e Gazivodës dy ministra të PDK’së, duke e lënë në terr të plotë kryekuvendarin Veseli, i cili kishte planifikuar që t’i shkarkonte disa prej ministrave që më shumë i japin llogari Thacit se Veselit. Gjakrat janë qetësuar kur janë futur në lojë ndërmjetësues të ndryshëm.

Thaci dhe Veseli janë konfrontuar me njëri tjetrin edhe në rastin e gylenistëve. Veseli e kishte kundërshtuar me sa mjete që ka pasur në dispozicion deportimin e gjashtë shtetasëve turq, proces i cili ishte realizuar nga Presidenti Thaçi, i ndihmuar edhe nga ish shefi i shërbimit informativ të Kosovës dhe ish drejtori i policisë, i cili tash është në krye të shërbimit informativ.

Përplasja e Thacit dhe Veselit rreth kësaj cështje kishte zgjatur disa ditë. Veseli e kishte sulmuar Thacin edhe në takime joformale, e edhe në foltorën e Kuvendit, derisa Thaci nuk kishte pushuar asnjëherë së përshpërituri se si Veseli “ka rënë nën ndikimin e familjes së tij, e cila ishte pikëlluar që ishin deportuar mësuesit e fëmijëve të tyre”.

“Thaci e ka goditur Veselin në shumë raste, rreth kësaj cështje,” kanë treguar disa persona që kanë komunikim të rregulltë me Thaçin.

“Unë nuk i marrë vendimet bazuar shtetërore bazuar në emocionet e familjes, sic bën Veseli.”

Në anën tjetër, Thaci ka filluar të frikësohet tej mase kur propaganda e tij ka filluar të shpërndahet në opinion më shumë se sa ai kishte planifikuar. Për këtë arsye Thaçi e kishte nisur fushatën e dytë, gjithashtu të ndytë. Po u thoshte njerëzve të njëjtë që për këtë “temë mos të gabonin të flisnin.” I përfshirë në këto spekulime për Veselin dhe familjen e tij ka qënë edhe një gazetar i njohur në Kosovë, i afërt me Thaçin.

Ishte ky gazetar, ai që në mungesë të Thaçit, u tregonte gazetarëve të tjerë në Kosovë “të vërtetën” pse Veseli po reagonte kaq me emocione rreth kësaj teme.

Detaje të tilla, në dukje irrelevante, janë përcaktues për raportet në mes të udhëheqësve të shtetit. Kurse Thaci, për të arritur qëllime politike, për të lansuar fushata të ndryshme mediale, për ta dredhur të vërtetën, historikisht ka spekuluar për familjet, për vëllezërit, për motrat dhe për bashkëshortet e bashkëpunëtorëve të tij. Deri tash shigjetat e Thaçit kanë qënë të orientuara në drejtim të Limajt, ose edhe të të tjerëve, e tash sa herë që e konsideron që është e nevojshme, ai me të njëjtën metodë i qaset edhe Veselit, e edhe Haradinajt./Express



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *