• |
ide | kryesore

Lufta e ftohtë 140 mijë euroshe, Duka- Panucci

Arkiva, Kryesore, Sport



Asgjë nuk shkon më me çiftin Duka- Panuçi. Këtë të hënë, në prag të ndeshjes kundër Uellsit, trajneri i Kombëtares ka dhënë sinjale të qarta. “Nuk kam folur me Dukën”, “Nuk flas dot në emër të tij”, “Nuk e di nëse do më jepet kohë, por kontrata ime është deri në 2019 dhe jam i lumtur të punoj këtu”, këto janë disa nga shprehjet e italianit në konferencën e shtypit para ndeshjes.

Ato janë të mjaftueshme për të treguar thyerjen që ekziston tashmë mes trajnerit dhe presidentit të FSHF. Megjithëse nuk ka folur publikisht, Armando Duka ka dhënë më shumë se një sinjal që do t’i lajë duart nga ish mbrojtësi i famshëm i Milanit dhe i Realit. Në disa rrethe të ngushta, ai e pati pranuar që Skocia ishte mundësia e fundit për Panuccin.

“E kam gati De Biasin”, ka thënë ai sipas infove që ka Lapsi.al. Dhe si për të rritur presionin mbi teknikun, ai e mbante përkrah në tribunë në stadium njeriun që e kualifikoi skuadrën për në Francë 2016. Por humbja katastrofale në Shkodër (4-0) i ka përshpejtuar gjërat. Dyshimet janë se Panucci tashmë është tradhëtuar edhe nga lojtarët dhe njerëzit e Dukës po përhapin fjalë se ai është shkaktar edhe për atmosferën e tensionuar dhe konfliktuale që ka krijuar me futbollistët dhe stafin.

Lexo më tej:

Kombëtarja: Fundi pa lavdi i Christian Panucci-t

Po atëherë a ka më kuptim të vazhdohet kontrata? A ka kuptim që Christian Panucci të nisë edhe betejën e kualifikueseve për Europianin?

Duket se të dyja palët e kanë ndarë mendjen se asgjë nuk mund të shkojë më përpara. Prandaj mediat pranë presidentit të FSHF-së, kanë filluar të hedhin në treg emra trajnerësh të rinj siç ishte së fundi ai i ish kapitenit të kombëtares, Bledar Kola.

Po përse loja po zhvillohet në kulisa dhe askush nuk e hedh hapin i pari? Për të kuptuar këtë duhet rilexuar mirë deklarata e Panuccit menjëherë pas ndeshjes, humbjes së thellë dhe thirrjeve të tifozëve “Panucci, Panucci, va fan culo”.

“Nuk kam pse tërhiqem. Nëse Duka nuk ka më besim tek unë, atëherë jam i gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë”, tha ai. Pra sipas teknikut, me gjithë 8 humbjet në 13 ndeshje si drejtues i të kuqve, ai nuk ka ndërmend të dorëhiqet.

Panucci nuk heq dorë, por pranon gabimet: topi në duart e Dukës

Por as Duka nuk ka ndërmend të hedhë hapin e parë. Sepse kontata e nënshkruar mes tyre, në 19 korrik 2017 (foto lart) parasheh një pagesë 280 mijë euroshe për periudhën dy vjeçare. Nëse Duka e shkarkon, ai duhet t’i derdhë italianit edhe plot 140 mijë euro që i kanë mbetur. Nëse Panucci dorëhiqet vetë, ai e humbet automatikisht këtë shumë.

Prandaj asnjëri nuk lëviz dhe italiani bëri thirrje “të ulemi dhe të flasim”. Sepse nga ana sportive Duka dhe Panucci janë ndarë. Presidenti i FSHF, të cilin e dërrmojnë tifozët në shkallët e stadiumit, nuk ka më ndërmend të mbajë edhe kostot e trajnerit që tashmë ka fituar mërinë e publikut. Ai “de facto” ka bërë divorc me të. Dhe kur Panucci flet për bisedime, për to do të duhen avokatët. Që palët ta ndajnë në mënyrë sa më të kënaqshme tortën 140 mijë euroshe.

©Lapsi.al



1 Comment

  1. Vetem nje president si Duka mund ti jepte kombetaren nje njeriu pa eksperience trajneri si puna e Pannucit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *