• |
ide | kryesore

“Mbajeni në mendje: Franca ju do”!

Planet



Me vënie kurorash dhe me një ceremoni emocionuese në Bundestag u kremtua Dita Kombëtare e Përkujtimit të viktimave të luftës dhe dhunës. Presidenti francez Macron mbajti një fjalë emocionuese.

Duartrokitje të ngritur në këmbë në Bundestag, në orën përkujtimore të Ditës Kombëtare të Përkujtimit: kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë. Ato i takuan Presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili mbajti këtë vit fjalimin qendror në ceremoninë përkujtimore. Që e ftuan për këtë takim, për këtë Macroni falenderoi shprehimisht. Ky është një sinjal i madh i pajtimit, tha ai. “Asnjë popull nuk e ka rivlerësuar me kaq sinqeritet historinë e tij, për të nxjerrë mësimet e tij nga historia, si Gjermania”.

Gjermania i ka kapërcyer “demonët e etur për gjak të nacionalizmit”. “Unë jam krenar, që Franca ka luajtur një rol në këtë ringritje në këmbë”, tha Macroni. U punua që të ngrihet një projekt evropian dhe që t’i zgjatet dora njëri-tjetrit. Përbashkësitë tona janë më të forta se dallimet tona”. Në momente, në të cilat nga Franca mund të kishin ardhur edhe fjalë ndoshta të pakuptueshme, vetëm një gjë është e rëndësishme:”Mbajeni në mendje, që Franca ju do”, tha Emmanuel Macroni.

Apel insistues në drejtim të evropianëve

Një kapitull të rëndësishëm të fjalës së tij prej 20 minutash, Macroni ia kushtoi Bashkimit Evropian. Evropa ndodhet në udhëkryq, tani nevojitet patjetër më shumë angazhim. Presidenti francez bëri thirrje për një “përpjekje të përqendruar”, për të bërë Evropën më të rezistueshme në kohët e një nacionalizmi të ri. “Sot duhet të hapim një kapitull të ri, këtë ia kemi borxh Evropës”. BE ka nevojë për mëvetësi më të madhe dhe fuqi më të madhe, për t’u dëgjuar në botën e së ardhmes. “Evropa dhe në të çifti gjermano-francez ka detyrimin, që të mos e lërë botën të rrëshkasë në kaos”, tha Macroni.

Evropa duhet të mbajë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen dhe sigurinë e saj, ka nevojë për një sovranitet më të madh evropian. “Kjo luftë nuk është fituar, nuk do të fitohet kurrë”, tha Macroni. Veç kësaj, duhet përballuar ndryshimi i klimës, konfliktet tregtare dhe sfida të tjera. “Ne dëshirojmë të gjithë një rend të ri botëror”.

Presidenti pranoi, që ripozicionimi i shkakton edhe frikë BE. “Secilit prej nesh do t’i duhet t’i ndajë në kuptimin e një komunitarizimi kompetencat e tij vendimore, politikën e tij të jashtme, politikën e tij të migrimit dhe të zhvillimit si dhe një pjesë në rritje të buxhetit të tij ose madje të të ardhurave nga taksat”, tha Macroni.

Pajtim nuk do të thotë harrim

Tradicionalisht, ceremoninë e përvitshme përkujtimore për Ditën Kombëtare të Përkujtimit e organizon Federata Popullore Përkujdesja Gjermane për varret e luftës. Presidenti i saj, Wolfgang Schneiderhahn theksoi në fjalën e tij në Bundestag se pajtim nuk do të thotë harrim. “Pajtimi nis, kur ne dallojmë dështimin tonë dhe të tjerëve, pranojmë fajin e edhe vuajtjen e të tjerëve.”

“Të gjitha përpjekjet për të relativuar vitet e errëta të historisë sonë gjermane ose për t’i banalizuar ato, vetëm shtrojnë rrugën për paragjykime të reja, për konflikte të reja dhe për luftëra të reja”, tha Schneiderhahn.

Në organizimin e ceremonisë përkujtimore morën pjesë edhe futbollistë të rinj nga Gjermania, Britania e Madhe dhe Belgjika. Ata lexuan letra dhe treguan fate jetësore të ish-futbollistëve të shoqatave të tyre, të cilët qenë vrarë duke luftuar si ushtarë. “Lotët nuk kanë ngjyrë”, tha një futbollist i Klubit Futbollistik Brügge, duke pasur parasysh fuqinë lidhëse për popujt të futbollit. Veç kësaj, sportistët vizituan në kuadër të projektit “Futbolli kujton” varreza ushtarësh në disa vende, për të kuptuar tmerret e luftës.”

Vënie kurorash te Roja e Re

Për Emmanuel Macronin dhe Frank-Walter Steinmeierin dita nisi në një kinema të vjetër në pjesën lindore të Berlinit. Nën titullin “Youth for Peace – 100 vjet Lufta e Parë Botërore, 100 ide për paqen” atje u takuan në këtë fundjavë 500 të rinj nga 48 shtete të Evropës, Afrikës dhe Lindjes së Afërme, për të diskutuar si mund të sigurohet paqja në botën më të paqetë dhe si mund të forcohet kohezioni”.

Me pjesëmarrjen në ceremoninë përmbyllëse, Macroni dhe Steinmeieri shprehën mbështetjen e tyre për projektin e organizatës gjermano-franceze të rinisë.

Presidenti i Gjermanisë, Steinmeier theksoi se duhet përtërirë premtimi “kurrë më luftë”. “Nevojiten para së gjithash ide të reja”, tha ai. Idetë më të vlefshme janë më të brishtat. Prandaj është një mrekulli, tha ai, ajo që patën arritur nënat dhe baballarët e pajtimit evropian. “Është detyrim përtëritja dhe ruajtja e kësaj mrekullie”. Nga historia duhet mësuar, për të shmangur keqkuptime të reja, tha Steinmeieri.

Së bashku me krerët e shtetit gjerman, me Kancelaren Angela Merkel, Presidentin e radhës të Këshillit Federal Daniel Günther, Presidentin e Gjykatës Kushtetuese Andreas Voßkuhle dhe me zëvendëspresidenten e Bundestagut, Claudia Roth, të dy presidentët vendosën më pas kurora te Roja e Re, në qendrën përkujtimore të Republikës Federale Gjermane për viktimat e luftës dhe të sundimit të dhunshëm./Deutsche Welle



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *