• |
ide | kryesore

Nuk kemi lider thotë Mavraj, por flet si i tillë: “Kundër Uellsit luajmë edhe për Panuccin”

Sport



Tradhëtarë brenda dhomave të zhveshjes nuk ka: të gjithë janë me trajnerin, të paktën po të dëgjosh kapitenin e kombëtares, Mërgim Mavraj, njeriu që ndoshta u akuzua pa emër si një nga ata që la në baltë teknikun Italian, Christian Panucci, me kartonin e kuq të marrë në minutën e 22 të ndeshjes së humbur 0-4 me Skocinë. Të martën në Elbasan Arena vjen Uellsi dhe kuqezinjtë në këtë miqësore luajnë edhe për trajnerin…

“Është shumë e vështirë të përcaktosh një gjë që mungon. Janë shumë gjëra që mungojnë – deklaroi Mavraj -. Kemi edhe mundësi tjetër për t’u kualifikuar në Europian. Shqiptarët e kanë treguar që kohën e vështirë e kthejnë në forcë. Trajneri ka përkrahje maksimale nga çunat. Asnjëherë nuk ka ndodhur e kundërta. Nesër do luajmë edhe për trajnerin tonë”.

Një këmbanë alarmi, që tregon se të gjithë janë në të njëjtën anije, që lundron në det të trazuar, në kërkim të qetësisë. Nuk ka një fajtor sipas Mavrajt, të gjithë kanë përgjegjësitë e tyre dhe është koha për kombëtaren të fillojë të funksionojë si një trup i vetëm.

“Largimi i Panuçit? Nëse ndodh kjo gjë, është e qartë që çdo pjesëtar i ekipit ka përgjegjësi – i doli situatës ballazi kapiteni -. Nëse nuk i kryejmë si duhet porositë e trajnerit, natyrisht që ndikojmë në përkeqësimin e situatës. Më ka dhembur në shpirt kur dëgjoja në stadium tifozët, që ishin kundër trajnerit. Duam të bëjmë të pamundurën për të rregulluar gjërat”.

Një lider kërkohet, por ndoshta referuar statusit që përligj etiketimin që i vesh kapiteni, Mavraj ka të drejtë. Nuk kemi pasur kurrë lider, e megjithatë kemi qenë të suksesshëm. “Jemi Shqipëria, asnjëherë nuk kemi pasur lider. Ka skuadra që nuk kanë lider, po prap kanë sukses. Na mungon vetëbesimi që ta sjell suksesi. Është mirë të kemi një lider që bën gola, të largon nga situata e keqe, por në botë të tillë ka vetëm dy” përfundoi kapiteni, sigurisht duke iu referuar Cristiano Ronaldos e Lionel Messi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *