• |
ide | kryesore

Kosova nuk pranohet në INTERPOL, reagojnë Haradinaj dhe ambasada amerikane

Lajme, Të fundit

Pasi asambleja e përgjithshme e INTERPOL-it votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në policinë ndërkombëtare, ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai ka shprehur zhgënjimin e tij të thellë për këtë votim pasi thotës e Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.

“Sot, Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, në sesionin e saj të 87-të votoi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës në këtë organizatë. Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e saj të thellë që Kosovës i është pamundësuar të jetë pjesë e familjes botërore të Policisë, që lufton krimin transnacional.

Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik. Votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti.

Qeveria e Republikës së Kosovës, falënderon të gjitha shtetet që votuan për, si dhe të gjithë ata që u përpoqën ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces të rëndësishëm. Kosova do të vazhdojë konsolidimin e institucioneve të saj dhe në një të ardhme shumë të afërt do të jetë edhe anëtare e plotë e INTERPOL-it”, shkruan ai.

Dështimin e Kosovës pët tu anëtarësuar në INTERPOL e ka komentuar edhe ambasada e SHBA në Kosovë.

Në këtë reagim thuhet se Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, që ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore.

Gjithashtu thuhet se do të vazhdojnë të mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE’së. E për të arritur këtë duhet të shmanget provokimet e mundshme dhe tani “më shumë se kurrë, të dy palët duhet ti shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë”.

Reagimi i plotë i ambasadës amerikane

Policia e Kosovës është institucion i integruar plotësisht dhe i aftë, që ka dëshmuar qartazi se ka ndihmuar në shpërbërjen e rrjeteve ndërkombëtare terroriste, të krimeve kibernetike, narkotikëve, armëve dhe të trafikimit me qenie njerëzore.

Shumica e vendeve e kanë parë këtë gjë dhe e kanë mbështetur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, përkundër fushatës, të udhëhequr nga Serbia, për t’iu bërë presion vendeve për ta kundërshtuar kërkesën e Kosovës.

Mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL kurrë nuk ka qenë për pranimin e pavarësisë së Kosovës, por për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit dhe për të mbyllur një boshllëk kritik të sigurisë në Ballkan. Me këtë rezultat, të gjithë humbasim.

Ne vazhdojmë fuqimisht ta mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mundësuar nga BE-ja. Tani më shumë se kurrë, të dy palët duhet ti shpejtojnë përpjekjet e tyre për të arritur marrëveshje për normalizimin e plotë, që është mënyra e vetme për të dy vendet për të ecur përpara në rrugëtimin e tyre për anëtarësim në BE.

Të dyja, Serbia dhe Kosova duhet ta kuptojnë se rrugëtimi i tyre drejt të ardhmes evropiane shkon përmes normalizimit. Për ta arritur këtë, i nxisim të dy vendet që ti shmangin provokimet dhe të punojnë së bashku për arritjen e një ujdie.

6 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu