• |
ide | kryesore

“Streha mes Reve”, filmi i Robert Budinës në Tallin Black Nights Film Festival

Arkiva, Lajme, Të fundit

“Streha mes Reve”,  filmi i dytë me metrazh të gjatë i skenaristit dhe regjisorit shqiptar Robert Budina, do të ketë premierën e tij botërore në Konkurrimin Zyrtar të Festivalit të Filmit Tallin Black Nights. Ai vjen si njē financim i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në bashkëprodhim me RTSH.

I themeluar në vitin 1997 , Tallin Black Nights Film Festival është zgjeruar së shumti duke u kthyer në një prej festivaleve më të mëdhenj të Europës Veriore dhe një ndër platformat më të përqendruara rajonale të industrisë së filmit, duke mirëpritur më shumë se 1000 të ftuar dhe përfaqësues të fushës dhe më shumë se 160 gazetarë nga e gjithë bota.  Përgjatë ditëve të tij shfaqen rreth 250 filma të gjatë dhe më shumë se 300 filma me metrazh të shkurtër dhe të animuar duke shënuar një publik prej më shumë se 80 mijë vetësh çdo vit. Në vitin 2017 festivali është mbuluar në 71 gjuhë të ndryshme të botës me një mesatare të mbullimit mediatik prej 1.1 miliardë njërëz.

Në vitin 2014 festivali ka marrë akreditimin e FIAPF për realizimin një konkurrimi zyrtar ndërkombëtar çka e ka futur atë në të ashtuquajturën Kategoria A e festivaleve të filmit, ndërmjet 14 të tillëve në gjithë botën. Por më e rëndësishmja ai cilësohet së bashku me Festivalin e Kanës, Venecias dhe Berlinale si ndër 4 më të rëndësishmit në përzgjedhjen e filmave të konkurrimit kryesor.

Ndaj përzgjedhja e fimit të regjisorit Robert Budina, në kategorinë zyrtare të këtij Festivali sjell me vete edhe mundësinë e madhe për kinematografinë shqiptare për të qënë pjesë e rëndësishme e industrisë së filmit në Europë dhe në botë.

“Doja të realizoja një film intim, personal të realizmit magjik në kufijtë e përrallës ku koha ka ndaluar dhe historia jonë mund të ketë ndodhur, ndodh, ose do të ndodhë. Kjo ngjarje nuk mund të ndodhte veç mes malesh dhe natyrës së vërtetë, virgjërisë, bukurisë, pastërtisë, qetësisë, aty ku e ka origjinën njëriu dhe ku ka lindur historia e tij”, është shprehur regjisori Robert Budina, i cili e ka xhiruar atë në Luginën e Valbonës dhe Dragobisë.

Në filmin “Streha Mes Reve”, interpreton aktori me famë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj (i njohur për: Taken, Harry Potter dhe Deathly Hallows) në rolin kryesor, atë të Besnikut.

Filmi tregon historinë e Besnikut, një bari që vuan nga një çrregullim mendor, i cili po kujdeset për të atin, një ish komunist, në një fshat në Shqipërinë malore të Veriut. Atje ku fetë e ndryshme kanë gjetur një mënyrë për të bashkëjetuar paqësisht, Besniku është një musliman i devotshëm, nëna e tij ishte katolike dhe vëllai i tij u kthye në besimin ortodoks në Greqi.

Edhe pas zbulimit se xhamia e vjetër e fshatit ishte një kishë dhe se ndërtesa ishte në të vërtetë e ndarë nga dy fetë në të kaluarën, qetësia e jetës së përditshme mund të ruhet vetem me ndihmën e Besnikut. Megjithatë, pas vdekjes së babait të tij, ndryshimet drastike kërcënojnë familjen e Besnikut dhe bariu është i detyruar të krijojë rrugën e tij.

Filmi eshte financuar nga QKK dhe prodhuar nga producentja Sabina Kodra (Era film) në bashkëprodhim me RTSH  dhe Cristian Nicolescu, Rumani (Digital Cube). Streha mes Reve u xhirua nga Drejtori i fotografisë së Radu Jude, Marius Panduru (i cili gjithashtu ka xhiruar filmin “Album”, triumfues në festivalin e filmit të Sarajevës në 2014), montazhier Ştefan Tatu (Wolf) dhe Kompozitor Marius Leftărache.

Kasti filmik përbëhet po ashtu nga Esela Pysqyli, Irena Cahani, Bruno Shllaku dhe Osman Ahmeti dhe të drejtat ndërkombëtare trajtohen nga Distribucioni Gjerman i Pluto Film.

Filmi do të ketë premierën në Shqipëri në datën 13 Dhjetor 2018.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu