• |
ide | kryesore

Të dënuarit në grevë urie, Avokati i Popullit bën thirrje për mbylljen e burgut të Burrelit

Lajme, Të fundit



Institucioni i Avokatit të Popullit kërkoi mbylljen e burgut të Burrelit.

Ky reagim erdhi pas hapit që 18 të dënuar në burgun e Burrelit ndërmorën për t’u futur në grevë urie për shkak të kushteve të këqija me të cilat trajtoheshin.

Përmes një njoftimi për shtyp Avokati i Popullit sqaron se ekipi i këtij institucioni ka arritur të sigurojë dëshminë e këtyre të dënuarve që po refuzojnë ushqimin.

Institucioni i Avokatit të Popullit bën me dije se prej të paktën tre vjetësh janë konstatuar kushtet e papërshtatshme të këtij institucioni, ndërsa është kërkuar edhe mbyllja e tij. Sipas AP-së të dënuarit hasen me kushte të vështira dhe aspak të përshtatshme për kryerjen e funksioneve të veta në mënyrë dinjitoze.

REAGIMI: 

Menjëherë pas sinjalizimit në linjën tonë të dedikuar nga të burgosur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Burrel, përfaqësues të Avokatit të Popullit kanë mbërritur në këtë burg ku mësohet se disa të dënuar po refuzojnë ushqimin në kuadrin e një greve urie të shpallur prej tyre.
Ekipi i Avokatit të Popullit në mision faktmbledhës, ka arritur të sigurojë deklarime nga 18 të dënuar të sektorit të sigurisë së lartë në këtë institucion.
Nga deklarimet është konstatuar se: disa vuajtës të dënimeve për vepra të ndryshme në këtë burg kanë nisur me refuzimin e vaktit të drekës si shenjë e shpalljes së një greve urie në shenjë proteste për mosplotësimin e një numri kërkesash të tyre.
Shkaqet kryesore të këtij refuzimi përfshijnë kushtet e këqija të jetesës në këtë institucion të vuajtjes së dënimit të cilat lidhen me infrastrukturën e vjetëruar dhe te amortizuar të këtij burgu.

Gjithashtu, të dënuarit ngrenë pretendime mbi cilësinë e trajtimit ushqimor që u jepet në këtë institucion, për mungesën e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve, për procedurat e transferimit nga burgje të tjera për në burgun e Burrelit, etj.
Drejtuesit e burgut të Burrelit janë aktualisht në negociata me pjesëmarrësit në grevë dhe janë informuar mbi protokollin e saj.
Institucioni i Avokatit të Popullit sjell në vëmendjen e publikut por edhe të autoriteteve përgjegjëse, se prej të paktën tre vjetësh janë konstatuar kushtet e papërshtatshme të këtij institucioni e është kërkuar nga ana e institucionit tonë mbyllja e burgut të Burrelit për shkak të kushteve të tij vërtet të vështira dhe aspak të përshtatshme për kryerjen e funksioneve të veta në mënyrë dinjitoze.
Avokati i Popullit nënvizon se ndonëse në disa prej institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale anembanë Republikës vërehen përpjekje për përmirësim të infrastrukturës dhe kushteve, zgjidhja tërësore dhe pa asnjë përjashtim e problemit të atyre burgjeve që ende nuk arrijnë të marrin “notë kaluese” për sa u përket kushteve që ofrojnë për qytetarët që kryejnë dënimet në to, mbetet një sfidë për autoritetet tona përgjegjëse.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *