Kryeministri, Ramush Haradinaj ka konfirmuar sot se së fundmi pati një darkë me bisedë të tensionuar me presidentin, Hashim Thaçi. Gazeta Express ka raportuar për darkën “me helm” që është ngrënë në shtëpinë e ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli. Ky i fundit e kishte quajtur lajm të pavërtetë. Haradinaj e thotë të kundërtën.
Në një konferencë për media, Haradinaj ka thënë se darka nuk ishte e qetë për shkak se në tavolinë ai e Thaçi kishin diskutuar për idenë e korrigjimit të kufijve.
”Kemi pasur një darkë me Presidentin Thaçi. Patëm rast të bisedojmë gjatë, kishim një bisedë herë me tensione herë të zakonshme. Këto qëndrime ia kam paraqitur edhe ndërkombëtarëve. Besoj se qëndrimet tona i dijnë të gjithë, s’ka ndryshime”, ka thënë Haradinaj.
Përplasja në mes kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi nisi që në bërjen publike të idesë për mundësinë e korrigjimit apo ndryshimit të kufijve të Kosovës.
Express bazuar në burimet e saj, ka shkruar të dielën për darkën e Thaçit e Haradinajt në shtëpinë e Pacollit javën e kaluar, që ka zgjatur deri pas mesnatës./express