• |
ide | kryesore

Shorti Euro 2020: Precedentët e Shqipërisë me kundërshtarët e Grupit H

F1, Sport



Shqipëria duhet të bëjë llogaritë me kundërshtarët e Grupit H në objektivin për t’u kualifikuar në finalet e Euro 2020. Askush prej Francës, Islandës, Turqisë, Moldavisë e Andorras nuk është e panjohur për kuqezinjtë, por statistikat i nxjerrin fitues vetëm në pak prej tyre.

E nisim me Francën kampione e Botës. Skuadra e Deschamps është ajo më e kuotuara për tu kualifikuar në grupin e kuqezinjve. Në shtatë ndeshje në total, të vetmet rezultate pozitive kundër Les Bleus i kemi marrë pikërisht kur drejtohet nga tekniku aktual, vetëm se janë marrë në miqësore. 5 humbje, 1 barazim e një fitore kundër Gjelave, që rezultatin më të thellë kundër kuqezinjve e kanë arritur në marsin e 1991 kur triumfuan në Francë 5-0.

Islanda mund të jetë forcë e dytë e grupit, të paktën sa i takon vazove, por në bilancet statistikore, ka vetëm një ndeshje më shumë të fituar. Në pesë sfida, ishullorët kanë tre fitore dhe dy humbje me kuqezinjtë, duke mos e provuar kurrë barazimin. Fitorja e fundit e Shqipërisë është në miqësopren e 2004, ndërsa fushata eleminatore për Kupën e Botës 2014 ka sjellë dy humbje përballë Islandës.

Barazi e plotë kundër Turqisë, skuadër me të cilën jemi ndeshur me shumë se me cdo kundërshtar të Grupit H. Katër fitore për cdo skuadër dhe dy ndeshje të përfunduara në barazim. Ka një të dhënë në fakt, që e bën Turqinë superiore: vetëm një nga katër fitoret kuqezinjtë e kanë arritur në eleminatore, tre të tjerat, përfshirë të fundit pak muaj më parë me Panuccin, kanë ardhur në takime miqësore.

Pjesa që na bën të ndihemi favoritë është ajo kundër Moldavisë e Andorrës. Në asnjë nga tre përballjet nuk jemi mundur nga Moldavia, duke regjistruar 2 fitore e një barazim, edhe atë në një miqësore.

Ndërkohë, Andorra krenarinë e vetme e ka se fitoren e parë në histori e ka marrë pikërisht përballë Shqipërisë në 2002, me fitoren 2-0. Më pas statistikat janë sërisht në favor të kuqezinjve me dy fitore, edhe pse skuadrat nuk janë takuar kurrë më parë në një fushatë eleminatore.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *