• |
ide | kryesore

Profil/ Kush është koka e “Cosa Nostra” i arrestuar si pasardhës i Toto Riina

Kryesore, Lajme



I kishte fiksim përgjimet. Për këtë shkak “koka” e organizatës më të famshme mafioze në Itali, “Cosa Nostra” Settimino Mineo nuk mbante celular. 80-vjeçari u arrestua mëngjesin e së martës në një operacion të gjerë të policisë së Palermos që vuri në pranga 46 persona.

Mineo bënte në dukje një jetë prej një argjendari, por lidhjet e tij me mafian ishin të hershme. Ai mori në dorë drejtimin e organizatës mafioze pas arrestimit të Toto Riinës i njohur si “Capo dei Capi”. Mineo ndoqi një tjetër linjë të drejtimit të mafias italiane. Ai mbajti një profil të ulët në publik, por ndërkohë aktivitetet e organizatës nisën të gjallëroheshin.

Ishin të shumtë italianët që u habitën kur dëgjuan emrin e tij pasi në publik dihej pak. Mediat italiane zbulojnë se 80-vjeçari e përdorte makinën sa më pak të ishte e mundur dhe ecte vazhdimisht në këmbë. Mineo, merrej gjatë ditës me dyqanin e tij në qendër të Palermos. Ai bëhet “bossi” më i vjetër i mafias siciliane i arrestuar ndonjëherë. Shkonte i takonte personalisht familjet mafioze në rastet që kishin probleme dhe nuk zhvillonte takime të mëdha mes kokave të grupeve mafioze pasi e konsideronte të rrezikshme.

Ngjitja në krye

Për herë të parë për të kishte folur për prokurorët i penduari i famshëm i “Cosa Nostra”, Tommaso Buscetta. Në vitin 2006 ai u arrestua së bashku me “padrinon”, Antonino Rotolo. I ishte bashkuar Toto Riina-s që në vitin 1982. Në atë kohë i shpëtoi një prite ku mbeti i vdekur vëllai i tij, Giuseppe. Pak kohë më vonë i vranë një tjetër vëlla, Antonino. Mineo kishte armik Stefano Bontade, i njohur si “Princi i Villagrazia”.

Në vitin 1984, ishte prokurori Giovani Falcone që e arrestoi për herë të parë. Gjatë marrjes në pyetje “gjysh Settimo” iu përgjigj: “Nuk e di për çfarë po më pyesni. Unë kam rënë nga qielli”. U dënua me 5 vite burg në nje mega proces të asaj kohe. U arrestua sërish në vitin 2006 dhe qëndroi në burg për 11 vite. Ai u akuzua se në “Cosa Nostra” kishte rolin e ambasadorit. Ishte personi që ruante raportet mes familjeve mafioze si Corso dei Mille, Bolognetta dhe Partanna Mondello.

Në të njëjtën kohë kontrollonte bizneset dhe punët ilegale ndërsa mbante kontaktet edhe me mafian amerikane. Madje, kishte në plan të udhëtonte drejt SHBA-ve vetëm pak javë më pas pasi sapo kishte marrë pasaportën e tij. Mediat italiane shkruajnë se për asnjë moment në burg nuk u pendua.

Rikthimi i “Kupolës”

Me vdekjen e Toto Riina, “gjyshi” vendosi rregullat e tij, disa prej të cilave vinin nga e kaluara. Ai riktheu “Kupolën” për drejtimin e punëve. Nga përgjimet dhe hetimet e antimafias zbulohet se e ka mbledhur vetëm një herë atë në 26 maj të këtij viti pasi nuk pëlqente që të binin në sy. Takimi u zbulua në njërin nga përgjimet e krerëve të mafias. Francesco Colletti tregonte në telefon se “kishte ndodhur diçka e madhe dhe shumë e bukur”.

“Po. Ndodhi diçka e bukur… shumë gjë serioze. Shumë… E madhe. Njerëz vendallinj. Të moshuar… kishte edhe të ardhur. Pati një fjalim shumë të mirë. Foli për rregullat. U fol vetëm për rregullat sot” – thuhej në përgjim.

Më pas ai tregon njërin nga rregullat e shefit të ri të mafias. “Mos u përziej në punët që nuk të takojnë. Mos u përzje. Kështu duhet. Jemi miq, por… Edhe diçka tjetër. Askush nuk mund të flasë në shtëpinë e tjetrit. Nuk ka të autorizuar.” –thuhet në përgjime që kuptohet se kjo ka të bëjë me ndarjen e territoreve. Një tjetër rregull është marrja e vendimeve në “Kupolë” dhe të tjerët janë të detyruar të binden.

“Na duhet t’i dalim zot kësaj. Fola me “gjyshin”. Nuk po të përmend emra. Në fund të mbledhjes u çuan të gjithë në këmbë dhe i puthëm dorën. Dolën të gjithë një e nga një”.

Një skenë e vërtetë me filmin “Kumbari”. ©Përgatiti LAPSI.al



2 Comments

    1. Pikerisht, mafia e leshit kta, mafien e ke me kollare qe te vejn 20% e hudhu perpjet po nuk ia dhe, ky ka pas byth me iu kundervu naj peshku nga roma apo dinte te trembte bashkfshataret e vet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *