• |
ide | kryesore

Nga 9-1 i 1961 tek kartoni i kuq për Vecino: Juventus-Inter një histori polemikash dhe armiqësie…

F1, Sport



Të premten do të jetë ndeshja e 170 mes Juventus-Inter, një bilanc që i buzëqesh bardhezinjve (81 fitore kundër 46 zikaltër e 43 barazimeve) edhe pse gjithmonë është një sfidë që shkon përtej rezultatit në fushë. Për ti dhënë një fillim këtij rivaliteti të vecantë, duhet kthyer në 1961 kur ndeshja në Torino u ndërpre për shkak të një prezence të tifozëve mbi normën e lejuar: iu dha fitorja në tavolinë miqve, si thuhej në rregulloren e atëhershme, por Juventus apeloi dhe më pas fitoi ndeshjen e riluajtur. Në momentin e rikuperimit të ndeshjes, bardhezinjtë e kishin fituar kampionatin dhe atëherë presidenti zikaltër Angelo Moratti për protestë zbriti në fushë të rinjtë: përfundoi 9-1 për Juventus, ndeshja e fundit e Giampiero Boniperti dhe e para e Sandro Mazzola, autor i golit të vetëm të miqve.

Gjashtë vjet më pas një nga gazetarët më të mëdhenj sportivë italianë shpiku termin Derby i Italisë për sfidat mes Juventus e Inter: Gianni Brera nuk e shpjegoi kurrë në detaje origjinën e këtij përcaktimi, por ishte një homazh për dy skuadra me rivalitet të egër, duke qenë ato më të titulluarat në vendin fqinj (sot Juventus është në kuotën 34, zikaltrit e Milan 18).

Gjatë viteve rivaliteti mes dy klubeve mbeti i ndezur por jo si në vitin 1961, rasti për tiu kthyer zjarrit ndodhi 20 vjet më parë me përplasjen e famshme Iuliano-Ronaldo. Në Torino ndeshja titull përfundoi 1-0 për bardhezinjtë falë një goli të Alessandro Del Piero, por në sytë e tifozëve zikaltër, edhe sot, mbetet vendimi i arbitrit Ceccarini për të mos akorduar një penallti pas ndërhyrjes së Mark Iuliano ndaj Ronaldo Fenomenit, e pastaj në përmbysjen e fronteve fërshëlleu penallti për Juventus me Pagliuca që grushtoi goditjen e numrit 10 bardhezi.

Në 2006, Calciopoli ndryshoi, ndoshta përgjithmonë, historinë e rivalitetit mes Juventus e Inter. Rrëzimi i bardhezinjve në Serie B e dorëzimi i titullit kampion 2005/06 për zikaltrit është akoma motiv debati. Tifozët interistë e quajnë “titulli i ndershmërisë” ndërsa ata juventinë “titull kartoni”.

Tripleta e 2010 e Inter, me polemikat e Josè Mourinho, e shtatë vitet e triumfeve bardhezi janë aktet e fundit të një konfrontimi që nuk është kurrë banal: mjafton të kthehesh tek 2-3 i San Siro në prillin e kaluar me kartonin e kuq për Vecino e një fitore e Juventus që kishte vlerën e një kampionati tjetër të siguruar. Të premten rinis gjithcka nga e para.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *