• |
ide | kryesore

Intervista nga protesta/ Për studentët duhet të paguajnë të pasurit, jo familjet e varfra

Të fundit

Arlind Qorri një nga drejtuesit eLëvizjes për Universitetin, e cila është ne krye të protestës së studentëve pretendon se edhe vetë ndihet i befasuar me pjesëmarrjen: “Unë ende nuk po e besoj realitetin që po bashkëjetoj me mijëra të tjerë. Jemi si në ëndërr, ku një e ardhme e re po lind në zemër të të sotmes”. Ai paralajmëron: “Kam frikë se nëse nuk i plotësojnë në kohë të gjitha kërkesat studentëve situata mund të dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar kështu jo vetëm qeverinë, por krejt sistemin politik në Shqipëri”

-Arlind, studentët kanë dalë në rrugë për protestë, cilat janë kërkesat konkrete të tyre?

Kërkesat janë të shumta, por ato mund të përmblidhen në një: Qeveria duhet të rrisë buxhetin për arsimin e lartë publik. Nga rritja e buxhetit mund të sigurohet edhe ulja serioze e tarifave, edhe investimet e duhura për ta mëkëmbur jetën universitare.

Problemi është i thjeshtë: Kush duhet të paguajë për arsimimin e lartë të lules së rinisë shqiptare: Buxheti i shtetit nëpërmjet taksimit të të privilegjuarve apo studentët dhe familjet e tyre të thjeshta? Ne jemi fort për të parën.

-Kur është vendosur VKM-ja e tarifave dhe a është kundërshtuar në atë kohë?

VKM daton në maj të këtij viti. Asokohe ajo ka kaluar pa u ndjerë dhe pa u bërë publike. Përhapja rastësore e lajmit tre ditët e fundit duket se ishte pika e fundit që e derdhi gotën e zemëratës studentore.

-Ditën e djeshme ministrja Nikolla pati një komunikim me imediat ku ka deklaruar se është tërhequr nga qëndrimi i qeverisë dhe ka pranuar kërkesat e studentëve, a jeni të kënaqur më këtë?

Qeveria shumë vonë ka marrë në konsideratë vetëm njërën prej kërkesave: atë më të lehtën për të nga pikëpamja financiare. Zemra e problemit janë tarifat e larta në të gjitha nivelet e studimeve. Duhet ta ndajmë mendjen një herë e mirë: Ose do ta konsiderojmë arsimin privilegj që gëzohet sipas xhepit ose të drejtë që u garantohet pa asnjë kushtëzim ekonomik të gjithë studentëve meritorë?

Çfarë do të ndodh me tej me protestën?

Protesta do të vazhdojë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.

Pamje nga protesta

-A e shihni ministren Nikolla të frikësuar nga kjo protestë?

Të frikësuar shoh gjithë qeverinë me Ramën në krye. Ata janë shastisur nga masiviteti dhe entuziazmi i paprecedent i protestës studentore. Besoj se kanë frikë se nëse nuk i plotësojnë në kohë të gjitha kërkesat studentëve situata mund të dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar kështu jo vetëm qeverinë, por krejt sistemin politik në Shqipëri.

-Nëse plotësohen kërkesat do të kërkoni dorëheqjen e saj apo do të ndërprisni protestën?

Nuk jam në gjendje të flas për një masë të madhe dhe të larmishme studentore. Koha do ta tregojë se cilat do të jenë hapat që do të hidhen.

-Në gjykimin tuaj, si është Lindita Nikolla si ministre?

Edhe për faj të saj, edhe për faj të politikave arsimore që janë përcaktuar nga qeveria, Lindita Nikolla do të hyjë në historinë e Shqipërisë për keq. Ligji klientelist i arsimit të lartë, që parashikon financimin e universiteteve private me paratë e popullit, ka qenë pika e humbjes së çfarëdo autoriteti moral nga ana e qeverisë dhe ministres Nikolla.

-Këta student, akuzohen,  në disa shkrime që kanë dal në rrjet si student ngelës që refuzojnë të paguajnë tarifat e provimeve për lëndët ku janë mbetës, si është e vërteta?

Të ishin ngelës nuk do të përmbytej Tirana dje dhe sot. Madje shumë prej tyre nuk vijnë thjesht për çështjen e provimeve të mbartura, por sepse u ka ardhur në majë të hundës nga politika arsimore që studentin e konsiderojnë bisht kavalli. Ose studentët bëhen qendra e politikave arsimore, ose universitetet nuk kanë arsye të ekzistojnë.

Për sa u përket “ngelësve”, qeveritarët gojëprishur ndoshta nuk e dinë se sa shumë studentë detyrohen të punojnë. Për pasojë shtyrja e provimeve është e vetmja mundësi që kanë për të studiuar sistematikisht. Po jeta në luks e qeveritarëve i ka shndërruar në qenie të një planeti tjetër. Prandaj flasin rromapërtoma.

Pse mendoni se shpërndahen këto lajme?

 

Janë pjesë e propagandës së qeverisë për të përçarë solidaritetin e popullit me studentët. Por siç është dukur këto dy ditë, propaganda ka dalë huq.

-Nga ana tjetër, për herë të parë shohim kaq shumë studentë të indinjuar dhe të bashkuar në kërkesat e tyre, si e shihni këtë moment të të rinjve?

Unë ende nuk po e besoj realitetin që po bashkëjetoj me mijëra të tjerë. Jemi si në ëndërr, ku një e ardhme e re po lind në zemër të të sotmes.

-A mund të shfrytëzohet kjo energji e protestës së studentëve, edhe për një kërkesë më tepër për të ndryshuar mënyrën se si qeveriset Shqipëria?

Për momentin lumi i protestës mbetet tek universiteti. Po jam i sigurt që pas fitores së kërkesave studentore, shumëkush do të frymëzohet për të kërkuar të drejtat e mohuara. Kështu që me hir apo pahir do të ndryshohet edhe mënyra se si jemi qeverisur këtë çerek shekulli.

-Shumë prej të rinjve po zgjedhin të largohen, a është kjo protestë një kërkesë për të studiuar dhe punuar në vendin e tyre?

Askush nuk largohet me dëshirë nga vendi i vet. Lëvizja studentore e këtyre ditëve do të ringjallë besimin te fuqia e popullit dhe potencialet e Shqipërisë.

DITA. Intervistoi Entela Resuli

7 Comments

  1. ‘ PER STUDENTET DUHET TE PAGUAJNE TE PASURIT , JO FAMILJET E VARFRA’ ahahaha

    Doli nje Robin Hud i koherave moderne. Merrja te pasurve per tua dhene te varferve.

    O kaqol.. ketu jane vetem 2 alternativa . Ose te jete falas dhe te paguhet nga buxheti i shtetit ( taksat tona) , Ose ta paguajne vete studentet , Ose dicka e ndermjetme , pershembull 60% te paguhet nga vete studentet dhe 40% te paguhet nga taksat e perbashketa ( shoqeria) .

  2. Te gjitha pothuajse falas kumunizmi i ka pas …… nuk mendoj qe do pershtatet per nje vend kapitalist me pretendime demokratike….sidoqoft duhet te ket letsime per studentet me te vertet ne gjendje te veshtir…

  3. Drejtues i protestes Arlind Qorri…hahah…Mos genjeni…Ai nuk eshte askushi ne kte levizje…Mjaft me rrena se nuk u shkon…

  4. Arlind, per ke po punon, sepse pak, shume pak studente therasin Jo Politike, nderkohe qe gjithshka eshte politike, vendimi VKM, ligji i arsimit te larte, taksat te gjitha jane politike, te nje partie rilindase dhe kur nuk te pelqejne ato, ngrihesh kunder tyre je kunder kesaj politike dhe te pelqen nje poltike e ndryshme nga kjo qe ka ofruar deri tani kjo qeverisje. Pra Keto thirrje jane per te shpetuar dhe zgjatur kohen sado pak qeverisjes aktuale. STOP. Nuk ndihmon dot ne kete mision, njerezve ju ka erdhur ne maje te hundes, kur ta kuptojne kete nderhyrje ne favor te atyre kunder te cileve jane ngritur kujdes, se kane filluar te kuptohen keto veprime….nga shume njerez.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu