• |
ide | kryesore

Të ngelësh, turp apo krenari?

Blog



Të ngelësh, turp apo krenari?

Pikësëpari, që tarifa shtesë për studentët mbartës është një marrëzi, për këtë besoj biem dakort që të gjithë. Madje as tarifë vjetore nuk duhet të ketë për studentët, po të marrim parasysh cilësinë e mësimdhënies: Mungesën e bibliotekave, të teksteve të përkthyera, botimeve shkencore, laboratoreve apo mjediseve ku të zhvillohet dhe aspekti praktik etj etj.

Megjithatë, euforia dhe zelli i vrullshëm i marrë prej të paturit të drejtë, nuk duhet të na çojë drejt reagimeve pa logjikë, dhe tjetërsimit të vlerave, nuk duhet të shkojmë deri aty sa të vëmë në piedestal të ngelurit në provime, apo të qenit “ngelës”.

Reagime të tipit: Vlerë dhe krenari janë studentët mbetës se ato sjellin revolucion e ndryshim dhe jo ekselentët që rrinë vetëm duke lexuar, janë tepër të gabuara, të pashëndetshme dhe absurde.

Të ngelësh nuk është as nder dhe as turp. Arsyet pse dikush mund të mos dalë me sukses në një provim janë me dhjetëra, qindra e mijëra, dhe jo domosdoshmërisht mungesa e kapacitetit për të nxënë.

Në një provim mund të ngeli ai që punon, sepse nuk ka mundësi të ndjeki universitetin me kohë të plotë, ngel ai që ka probleme të caktuara në familje, probleme emocionale, mund të ndodh të dalin përpara njëmijë e një arsye që mund të të pengojnë t’ia  dalësh mbanë. Ka padyshim edhe studentë që ndoshta nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm, ose dëshirë për të ndjekur një universitet dhe shkojnë thjesht për hir të presionit të familjes ose shoqërisë. Ka sigurisht dhe analfabetë me master e doktoraturë.

Pavarësisht kësaj me vlerë si njeri të bën qytetaria, as provimet dhe as diplomat.

Por meqë jemi tek Universiteti dhe po flasim për tipologjitë e një studenti dhe vlerat, pa dyshim  që më e mira është është të jesh mundësisht i shkëlqyer me studime, të jesh i përkushtuar në atë që bën dhe ta realizosh me përgjegjësi atë që ke marrë vetë përsipër të bësh, që është të studjuarit në një degë të caktuar.

Provimet e mbartura janë mbi të gjitha një stres i vazhdueshëm dhe  humbje kohe. Gjithashtu janë tregues, në shumë raste i mungesës së seriozitetit, të angazhimit, apo formimit të nevojshëm (sigurisht jo gjithmonë, sepse probabiliteti i rasteve që bëjnë përjashtim është në çdo situatë prezent).

Të mbajmë logjikën e ftohtë edhe në rastet kur na shkelet e drejta, edhe kur në turma gjaku ballkaniko-euforik vërshon me një vrrull të tillë që i bën poseduesit e tij të humbin komplet sensin e gjësë. Nga të paturit të drejtë, nisim e flasim budallallëqe.

Të mbetësh në provime nuk është turp e as mëkat, nuk tregon as sa të trashë apo të hollë jeni mendërisht. Ama kurrsesi nuk mund të jetë krenari.

Studentët duhet të përpiqen të shkojnë drejt dritës, e jo errësirës. Modeli i studentit padyshim që është ekselenti. Dija është padyshim vlerë. Ndryshe, nëse për dikë errësira dhe njeriu tabula rasa është modeli i studentit, atëherë ky i fundit mund të qëndrojë i qetë dhe i pashqetësuar jashtë Universitetit.

©Lapsi.al

K.Th



1 Comment

  1. Po ministresha that qe studentet kanë te drejte
    dtth ninistreshes I funksjonon vetem Frika.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *