• |
ide | kryesore

Mea Culpa e Memës, kthen Ngo’o: poker ndaj skuadrës së fundit që Tirana kishte mundur në kampionat

F1, Sport



Në ndeshjen për të mos u humbur, bardheblutë i japin një goditje të rëndësishme zonës së rënies nga Kategoria, duke mundur 4-0 skuadrën e fundit, ndaj së cilës kishin marrë fitoren e fundit në kampionat.
Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi në këtë ndeshje përvec fitores dhe Tirana, i dhuron vetes pak qetësi dhe Ardian Memës 3 pikët e para, që kur është ulur në pankinë, duke shijuar ndoshta një sulmues më shumë për gjysmën e dytë të janarit: atë Michael Ngoo, që iu deshën 8 minuta për të treguar sa vlen.

Ajo kundër Flamurtarit nuk përsëritet në Selman Stërmasi, ndoshta edhe për faktin se Kastrioti e pësoi goditjen shumë më shpejt se mund të fillonte strategji në lojë e sipër. Alla e gjykoi 11 metërsh pengimin e Sentamut dhe Hasani nuk bëri gabime nga pika e bardhë, për avantazhin e minutës së 12. Krutanët nuk kishin mbi të gjitha besim e u dukën të dorëzuar pa i lujtur shanset e tyre, duke lënë inisiativën në këmbët e kryeqytetasve. Gabim po të mendosh se bëhet fjalë për 24 herë kampionët dhe një organikë me kualitet pavarësisht pozitës në renditje.

I djegur shpesh herë, nga rezultati që mbetej pezull, Mema kërkonte sigurinë, me cdo kush. Siguri që e mori nga Bedri Greca 4 minuta nga fundi i pjesës së parë. Asistin e Halilit, sulmuesi e finalizoi me qetësinë që i duhet në këtë moment Tiranës.

Erën e ndryshimeve e konfirmuan 20 minutat e Ngo – anglezit plangprishës që mund të bëhet deciziv, ashtu si tregoi me gol pas 8 minutash në fushë, ashtu si u imponua në fushë, e ashtu si Sentamu mbylli llogaritë, ndonëse në pozicion jashtë loje. Era e ndryshimeve të paralajmëruar nga Mema fryu në drejtimin e duhur, e kushedi 14 pikët, janë hapi i parë për të parë në 2019 krejt tjetër për Tiranën.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *