• |
ide | kryesore

Analiza/ Çfarë kërkojnë studentët dhe çfarë premton Rama

Arkiva, Kryesore



Protestat studentore, që tashmë kanë një javë që kanë mbërthyer kryeqytetin dhe qytete të tjera të mëdha të vendit, pa diskutim që duhen parë dhe analizuar në një kontekst shumë më të thellë se sa ai i pakënaqësive nga tarifat universitare dhe kushteve të vështira infrastrukturore në auditorë dhe konvikte, vlerëson opinionisti Armand Shkullaku nga Tirana.

Kjo analizë vjen pas një jave të protestave të pandërprera të studentëve të Universiteteve të Shqipërisë, të cilët po kërkojnë ulje tarifash studimi dhe përmirësim të cilësisë në shkollimin e lartë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë, sipas zotit Shkullaku, protesta masive e studentëve, ndoshta e para e këtij lloji për nga pjesëmarrje dhe kohëzgjatje në 25 vitet e fundit, më shumë se një presion ndaj qeverisë për plotësimin e disa kushteve konkrete, është një revoltë ndaj sistemit në përgjithësi, i cili sipas tij, ka kohë që, jo vetëm studentët, por edhe shtresa të tjera të popullsisë nuk i përfaqëson më.

“Më shumë se sa për tarifat e shkollimit, të rinjtë janë sot në rrugë në emër të së ardhmes së tyre të pasigurt, të nivelit të mjerë të arsimimit, të zëvendësimit të meritokracisë nga partitokracia, të humbjes së çdo ideali, shprese dhe ëndrre për të jetuar me dinjitet në këtë vend”, shprehet Shkullaku.

Ai shton se studentët janë në rrugë edhe në emër të prindërve të tyre, për të cilët ai thotë se janë të kërrusur nga taksat e çmimet e larta, të pafuqishëm për të reaguar kundrejt padrejtësive, të humbur “përballë pushtetit të më të fortit, më të pasurit, më banditit”.

“Ata janë në rrugë edhe si revoltë ndaj poshtërimit që u bëhet dijeve dhe idealeve të tyre, sepse janë të dënuar të qeverisen nga injorantë, kriminelë, hajdutë dhe të paaftë, të cilët në emër të votave të marra kanë fituar edhe të drejtën për të marrë nëpër këmbë jetën e qindra mijëra shqiptarëve”, vlerëson Shkullaku.

Duke thënë se studentët e Shqipërisë nuk e ndjejnë veten pjesë të një shoqërie demokratike, ku dhe ata të kenë zë në kapitull, ata kanë shansin të rikthejnë lirinë e mohuar.

“Të rinjtë sot ndoshta nuk arrijnë dot ende ta artikulojnë frustrimin e tyre me këtë sistem që po u merr frymën, por është e sigurt që e ndjejnë deri në palcë padrejtësinë dhe për këtë arsye protesta e tyre është e fuqishme edhe pa mbështetjen e politikës. Ata kanë misionin e shpagimit edhe në emër të prindërve të tyre, që sistemi i deformoi si njerëz të lirë e të dinjitetshëm, me presionin e vendit të punës dhe bukës së përditshme”, thotë ai.

Që nga java e kaluar mijëra studentë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, që lidhen me koston e lartë të studimeve në universitetet publike dhe cilësinë e arsimit, përmes protestës në Tiranë.

Pas disa përpjekjesh për të zbutur tensionet, përfshirë premtimin për të ulur tarifat e provimeve të mbetura, kryeministri Rama të hënën është lidhur drejtpërdrejt në rrjetin social Facebook për të biseduar me studentët, përmes pyetjeve që ata i adresojnë për qeverinë.

“Dua të komunikoj dhe të përpiqem të shpjegoj pse dialogu është i domosdoshëm”, tha kryeministri.

Studentët pjesëmarrës në protestë kanë refuzuar çdo lloj negociate me qeverinë, duke insistuar në plotësimin e kërkesave të tyre.

Zoti Shkullaku beson se këto protestat do të vazhdojnë dhe do të jenë edhe më të forta. Sipas tij, kryeministri plotësoi një pjesë të madhe të kushteve, por kjo nuk është çështje tarifash, por çështje besimi tek sistemi që kanë ngritur politikanët shqiptarë dhe veçanërisht organizata e “Rilindjes”.

“Ky besim ka kohë që është thyer dhe nuk mund të ngjitet me plotësimin e disa kushteve, apo me fjalimet prekëse ala Fidel Kastro të kryeministrit. Abuzimi i qeverisë ka mbërritur kulmin, tani është radha e reagimit qytetar”, tha ai.

Ai vlerëson po ashtu se ky është “akti i parë i zgjimit”, dhe beson se ky do jetë një proces që patjetër do të kërkojë zgjidhje të reja politike dhe “jo thjesht në ndërrimin e ca figurinave në karriget e pushtetit, por të reformimit të vetëm sistemit”.

Si përgjigje ndaj protestës, të enjten, Ministria e Arsimit u pajtua të heqë pagesat për provimet e mbartura, si dhe vazhdimisht, së bashku me kryeministrinë i kanë ftuar studentët për një dialog për të gjetur zgjidhje të përbashkët.

Tarifat e shkollimit në universitetin shtetëror të Shqipërisë konsiderohen të jenë ndër më të lartat në rajon dhe Evropë, sa i përket shkollimit publik.

Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Evropë me GDP prej 4,868 dollarë për koke banori, ndërkohë që sipas Bankës Botërore në vitin 2017, është shpenzuar në arsim 2.49% të GDP, që është nën mesataren evropiane.

Gresa Kraja/ Europa e lirë



10 Comments

  1. Studentet te vazhdojne protesten, te tregojne qe nuk iu fyhet inteligjenca nga trafikantet, rrugacet, hajdutet…

    1. Studentet duhet patjeter ta rrezojne ?organizaten mafjoze te “ripjelljes” nga pushteti per ndryshe e mori lumi kete vend dhe e piu e zeza kete popull..

  2. Degjoni edin:” fare mirë mund të takohemi në sallën e parlamentit në sytë e gjithë popullit shqiptar”
    Eshte i modh!??
    Tamam si ramiz alia i coi studentet 1990 tek pallati i brigades…
    Se…ai ate njihte ..ky ka kuvendin .
    Faljani se eshte edhe i semure..!?

  3. Degjoni edin:” fare mirë mund të takohemi në sallën e parlamentit në sytë e gjithë popullit shqiptar”
    Eshte i modh!??
    Tamam si ramiz alia i coi studentet 1990 tek pallati i brigades…
    Se…ai ate njihte ..ky ka kuvendin .
    Faljani se eshte edhe i semure..!?

  4. Pas edvinit Urgjencë kombëtare është ÇRRËNJOSJA E SORROIZMIT që kultivon vetëm parrazitë.

  5. Mendohe seriozisht doreheqjen , dhe dorezoju institucioneve te drejtesise.
    Kjo do ishte dinjitoze.
    Por ti se ben dot, se je zhytur aq shume ne zullum, as fryme nuk merr dot.

  6. na can katin dhe kta studentet tani po behen te bezdisshem. mos na zeni rrugen se skemi ku kalojme me makine o palla se rruget sjane vetem te juajat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *