• |
ide | kryesore

Unë studenti protestues ju ftoj të na bashkoheni

Blog

Unë jam Igli Tola, studenti ekselent, por edhe i ‘mikluar’ i së enjtes në “Të Paekspozuarit” (ky ishte epiteti që mu vendos nga disa analistë fill mbas emisionit).  Pak rëndësi ka sulmi personal ndaj meje, por ajo që më indinjon realisht është se ftesa publike ndaj të gjitha shtresave sociale, veçanërisht drejtuar intelektualëve dhe ‘opinion leader’-ave nuk ju duk serioze atyre, edhe pse ajo ftesë vlente (dhe vlen) dhe për Ata.

Pavarësisht se më cilësuan ‘të mikluar’ nëshkrimet dhe opinionet e tyre, dhe kauza jonë u duket e vdekur pa filluar, ne nuk bëjmë ndasi dhe respektojmë kontributin tuaj edhe duke menduar ndryshe nga ne. Madje, thellë-thellë shqetësimet tona konvergjojnë.

Së pari, bastardimi i teksteve shkollore, fenomeni ‘google translate’ në librat universitar dhe në përgjithësi cilësia e dobët e mësimdhënies është ngritur edhe nga ne si kërkesë, që lips zgjidhje imediate. Por, vetëm se realiteti socio-ekonomik i rënduar i studentëve dhe familjeve tona, na pamundëson të jemi idealist siç na kërkoni Ju.

Ndaj kërkojmë së pari zgjidhjen e çështjeve siː tarifa studimi të përballueshme, kushte njerëzore në konvikte, auditore dhe salla të qenësishme etj; elemente bazike që do të na rikthejnë dinjitetin. Gjërat e tjera që Ju parashtroni absolutisht që qëndrojnë, por duken paksa luks i tepruar në kushtet tona.

Duket se protesta jonë është idealizuar dhe butaforizuar shumë. Edhe mitizuar, e sidomos pritet shumë prej saj, duke edhe mos na përkrahur. Ne besojmë që kjo protestë, mbase nuk do të shkundë gjithë Shqipërinë (por edhe nqs e realizojmë do të jetë akoma më mirë), por auditorët po. ti shkundë e trondisë, që në themel të funksionimit të çdo universiteti të jenë të drejtat dhe nevojat e studentëve, sikundër në çdo shtet europian.

Jemi studentët e dhjetorit që nuk kërkojmë pushtet, por shtet. Një shtet që funksionon me transparence dhe demokraci. E po ashtu, lëvizjen tonë nuk duam ta përziejmë me asnjë organizatë apo formacion partiak, pasi së paku kemi më shumë kredo se ato.

Dufin e zemëratës dhe revoltës e kemi mbi të gjitha me sistemin e korruptuar, sesa me individët dhe pushtetarët e tillë. Me këtë sistem që na merr paratë, rininë dhe energjitë dhe në kundërpërgjigje na jep një diplomë që nuk na siguron as edhe një vend pune. Kështu, në përditshmëri përballemi me situata deluzionuese të këtilla, që kanë shtyrë dhjetëra mijëra prej nesh në kushtet e mungesës totale të shpresës, të braktisin universitetin dhe Shqipërinë gjatë gjithë këtyre 25 viteve të fundit.

Po ashtu, dakortësoj me Ju edhe mbi konstatimin se këtu largësia midis mentarëve (intelektualëve) dhe turmave është shumë më e madhe se kudo tjetër në botë dhe piramida sociale në mes ska shumë njerëz. Duke mos pasur një rreth intektual me ide të caktuara, s’kemi as rryma dhe lëvizje sociale, duke vegjetuar prej dekatash në këtë status-quo. Ato pak intelektual shihen të pafuqishëm të prodhojnë ide udhëheqëse që do ta kishin bërë më të hajrit këtë Shqipërinë.

Pikërisht zgjidhjen e këtij dis-ekulibri social synojmë të arrijmë. Mirë arsimi, demokracia dhe transparenca në Universitete dhe shkolla do të formojë profesionistët dhe intelektualët e mirëfilltë të së nesërmes. Individë me bagazh, vullnet dhe moral të lartë që do të ngushtojnë hendekun e sotëm dhe që do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë për ne dhe brezat në vijim.

Ndaj edhe një herë si studentë protestues po Ju ribëj ftesën juve, sikundër çdo qytetari dhe intelektuali të indinjuar për t’iu bashkuar kauzës tone.  Kauzë ku na janë bashkuar dhe shumë pedagogë. Jo ata që na nxisin të endemi dhe sorollatemi rrugëve dhe në fund të paguajmë haraçin (zarfin) për të marrë provimin. Por profesorët e vërtetë, që u pikon shpirti kur na shihnin në ato auditore mesjetare apo kur diplomat shpërndahen pa din e iman.

Igli Tola, student ekselent i Masterit në Financë, Fakulteti i Ekonomisë

2 Comments

    1. Vej bast qe ti ske kuptu asgje cfare ka then djali. Duke u ndjere inferior ske ca ben tjeter dhe i fut nje ofendim.

      Ndoshta të duket vetja me i zgjuar keshtu…
      Bravo te qofte, keshtu duhen njerzit, si puna jote… Injorant, qe kur skane çfarë thonë, i fusin nje te share kot pa lidhje dhe nuk sjellin asgje konstruktive ne debat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu