• |
ide | kryesore

Denoncime për doktoratura të kopjuara, studiuesja Gresa Latifi shpjegon rastet e plagjiaturës

Lajme, Të fundit



Këto ditë në media janë paraqitur disa denoncime të kërkimeve shkencore, veçanërisht nga ish-zv.ministri i Arsimit, Taulant Muka.

Muka, pasi denoncoi për plagjiaturë një artikull të zv.ministrit të arsimit Ervin Demos, i cili dha dorëheqjen menjëherë pas kësaj, vazhdoi me denoncime për Ogerta Manastirliun, Mimi Kodhelin e së fundmi dhe për doktoreshën e shkencave në ekonomi, Monika Kryemadhin.

Për ta sqaruar më mirë se kur një punim shkencor konsiderohet plagjiaturë, na vjen në ndihmë kërkuesja shkencore, gjithashtu pedagogja e Technische Universität München (TUM), Gresa Latifi.

Ja si e përkufizon Gresa Latifi termin plagjiaturë, duke na treguar rastet kur kemi të bëjmë me këtë shkelje:

Plagjiatura cilësohet si një mashtrim, që kërkuesi shkencor i bën vetes dhe të tjerëve në lidhje me origjinalitetin e informacionit dhe dijes, përkatësisht kur pikëpamjet, mendimet, gjetjet e të tjerëve dikush i paraqet si të vetat.

Pra, marrja e meritave të dikujt tjetër, për atë që ai ka shkruar dhe raportuar, pa ia atribuar këto merita kërkuesit shkencor të punimit origjinal, quhet plagjiaturë.

Mendimet, informacioni i marrë nga dikush tjetër për një çështje ose fenomen mund të përdoret, por duhet të citohet, duhet të tregohet se kush e ka rrëfyer/shpjeguar ose raportuar atë fenomen para se të vinte ty në duar.

Pavarësisht nëse bëhet “padashje” ose me qëllim, plagjiatura është një krim i rëndë akademik, që i zhvesh meritat dikujt, në mënyrë joetike.

Për ta zbërthyer më në hollësi si term, plagjiatura mund të jetë:

1.E drejtëpërdrejtë, huazim fjalë për fjalë.

2.E tërthortë, kur autori përdor fjalë zëvendësuese, për të ilustruar të njëjtin informacion/ gjetje/ pikëpamje të marrë nga dikush tjetër, pa e atribuar dhe pa i dhënë kreditet burimit të caktuar.

Shembuj ilustrues:

Stam et al. (2018) konkludon se kontinenti i Evropës ende nuk ka krijuar infrastrukturë institucionale adekuate për tërheqjen e investimeve profesionale.

Një autor tjetër bën:

  1. Plagjiaturë direkte: “Kontinenti i Evropës ende nuk ka krijuar infrastrukturë institucionale adekuate për tërheqjen e investimeve profesionale”, duke mos iu referuar burimit të informacionit (në këtë rast Stam et al. 2018)

2.Plagjiaturë e tërthortë (e njohur si mozaik): “Në Evropë ende nuk është krijuar një ambient i përshtatshëm institucional për të rritur numrin e investimeve profesionale”. Në këtë rast autori (ai që bën plagjiaturë), luan me fjalë të tjera për të dhënë një informacion të riprodhuar më parë, duke mos cituar autorin e këtij informacioni.

Nuk do të kishte plagjiaturë në këtë rast:

Sipas, Stam et al. (2018), Evropës si kontinent nuk do t’i mungonin investimet profesionale në rastin kur ajo (Evropa), do të kishtë funksionizuar një kornizë institucionale përkrahëse për to.

©Lapsi.al

 



1 Comment

  1. Bravo Gresa, Qe po ua shpjegon edhe nje here, Taulanti dhe te tjere e kane bere shume here.
    Shpresojme se shqiptaret ta kuptojne dhe mos ta bejne me ate krim ne te ardhmen.

    Po politikanevet, te vetequajterit profesora, shefat, drejtoret etj., qe kane bere vjedhe, cduhet te behet me keta ???

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *