• |
ide | kryesore

Ditët e errëta të Thomas Strakoshës

Kryesore, Sport



Tension i lartë në dhomat e zhveshjes së Lazio dhe në qendër të kritikave është ai që pak muaj më parë ishte idhull i tifozerisë. Portieri shqiptar Thomas Strakosha është vënë nën akuzë, tashmë jo vetëm nga tifozët, por edhe nga shokët e tij të ekipit.

Rezultatet jo të mira në javët e fundit të bardhekaltërve të kryeqytetit italian kanë nxitur konfliktet në radhët e lojtarëve për të gjetur fajtorët. Pika që derdhi gotën e zemërimit duket se është pësimi i një goli në minutën e 99-të në përballjen me Sampdorian në stadiumin “Olimpico” të Romës, javën e kaluar në Serie A.

Pas një krosimi nga mesfusha topi ka përfunduar në zonën e portierit dhe Saponara e ka dërguar në rrjetë. Menjëherë tifozët akuzuan portierin e kombëtares shqiptare për dalje të gabuar në momentin e pësimit të golit.
Në ato momente edhe mbrojtësi Acerbi i është drejtuar Strakoshës me fjalët: “Çfarë bëre kështu?” Strakosha nuk ia ka zgjatur, por i është drejtuar me gishtin në gojë duke i thënë: “Mbylle!”.

Mediat italiane flasin se trazirat kanë vijuar më pas edhe në dhomat e zhveshjes. Portieri shqiptar dhe mbrojtësi italian kanë shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin. Acerbi e ka akuzuar për keqmenaxhim të lojës në minutat e fundit. Sipas të njëjtave burime në këtë situatë ka ndërhyrë trajneri, Inzaghi. Ai ka folur për një gabim të të gjithë repartit mbrojtës, pa vënë gishtin mbi emra të përveçëm.

“Duhet të jemi më të kujdesshëm” – e ka mbyllur tekniku debatin.

Akuza të forta vijnë edhe nga tifozët. Kapoultrasi i grupit “Irriducibili”, Fabrizio Diabolik i drejtoi akuzat nga shqiptari: “Çfarë i duket vetja atij fëmije? Të heshtë para një mbrojtësi që jep shpirtin në fushë dhe ka eksperiencë. Nuk është hera e parë që na dënon. Ishte ai që vitin e kaluar na hoqi Championsin me gabimet ndaj Interit!”.

Vetë portieri 23-vjeçar i ka shmangur komentet direkte. Ai ka bërë vetëm një koment në Instagram ku ka postuar një foto të pikëlluar nga ndeshja të shoqëruar me fjalët: “Bla, bla, bla”.

Për ta ngushëlluar kanë menduar shokët e tij. Felipe Anderson nga Londra i shkruan: “Gjithmonë me atë fytyrë. Jepi, se pas pak do të shkojë çdo gjë shumë mpirë. Të dua shumë”. Correa i dedikon 3 zemra Durmishi i shkruan: “Je më i miri”.

Këtë sezon mes Seria A dhe Europa League, Strakosha ka pësuar gjithsej 20 gola, nga të cilët 18 në kampionat dhe 2 të tjerët në Europë. Pas barazimit 2-2 me Sampdoria mësohet se ka pasur një takim kokë më, kokë mes drejtorit sportiv, Igli Tare, portierit dhe trajnerit Inzaghi. Ata me siguri e kanë qetësuar se “nuk ka qenë vetëm faji i tij”, por i kanë kërkuar të tregojë më shumë siguri në portë. “Corriere dello Sport” shkruan se në përgjithësi skuadra është e bashkuar në krah të portierit. Ai konsiderohet një futbollist me mjaft potencial dhe që është rritur mjaft në 2 vitet e fundit, por mjaftojnë vetëm disa gabime që të vihet në shënjestër të kritikave.

Kritikat më të mëdha për Strakoshën kanë të bëjnë me mënyrën si hap lojën, sidomos kur përdor këmbët. Kanë qenë të shumta rastet kur pasimet kanë qenë konfuze, por opinioni sportiv në Itali thotë se aio ka ende probleme edhe në daljet nga porta për të larguar topat nga ajri. Kritika pati shumë edhe në fund të sezonit të shkuar. Shkak u bë një dalje me vonesë në ndeshjen ndaj Salzburg që i eliminoi nga Europa League në golin e Haidara. Nën akuzë u vendos edhe për golin e Ceccherini (pavendosmëri në dalje në një goditje dënimi të kundërshtarëve) në barazimin 2-2 në kampionat kundër Crotone dhe së fundmi ndeshja kundër Inter që shënoi mospjesëmarrjen në Champions League pasi Strakosha largoi një top nga zona në mënyrë të paqartë i cili u bë shkak për ndërhyrjen e penalltisë të De Vrij ndaj Icardi.

“Strakosha është një portier me kualitet, por që duhet të përmirësohet më shumë” –shkruan “Leggo.it”. Përgatitësi i tij atletik, Grigioni është duke punuar fort që Strakosha të korrigjojë gabimet. Pranë tij tashmë ndodhet më shpesh edhe babai, Foto, ish-portieri legjendar i kombëtares shqiptare.

“Strakosha është vetëm 23 vjeç, është shumë i ri, dhe zgjuarsia është pjesë e moshës së tij, por ka dy miq të shkëlqyeshëm pranë tij, që do ta ndihmojnë atë të përmirësohet dhe të rritet, duke kapërcyer këtë moment negativ” – shkruajnë mediat italiane. ©përgatiti LAPSI.al



1 Comment

  1. Cuna me vje keq per kto qe do them por ky eshte realiteti,Ky Strakosha o bir i babait te vet,nje portier nen mesatar qe maximumi duhet te loz ne kategorine e3 dyte italiane dhe mbajeni mend aty ka per tu katandis ,bota te ve kapelen sipas kokes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *