• |
ide | kryesore

Vettingu për kryegjyqtarin e Beratit, dyshime te pronat dhe shpenzimet për shkollën e djalit në SHBA

Lajme, Të fundit



Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ngritur dyshime mbi burimet financiare për pasuritë e paluajtshme të kreut të gjykatës së Beratit, Agron Vavla, si dhe shpenzimet e tij për shkollimin e djalit në SHBA.

Nga Besar Likmeta

Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Agron Vavla u përball të mërkurën me procesin e rivlerësimit kalimtar. Trupa gjykuese që ka kreu hetimin administrativ për Vavlën përbëhej Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja.

Vavla është emëruar gjyqtar në vitin 1995. Pjesën më të madhe të karrierës së tij ai ka punuar gjyqtar në Gjykatën e Beratit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar kryetar gjykate.

Gjatë seancës dëgjimore, relatorja e çështjes, Etleda Çiftja bëri me dije se pas marrjes së dokumentacionit nga institucionet ndihmëse është vendosur që rivlerësimi i gjyqtarit Vavla të kryehut vetëm për kriterin e deklarimit të pasurisë.

Ai pohoi se sipas raportit të Inspektoriati të Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, subjekti nuk ka kryer deklarim të saktë, nuk ka burime të ligjshme, ka kryer deklarime të rreme, nuk ka kryer fshehje të pasurive dhe nuk ka konflikt interesi.

Ajo shpjegoi se pavarësisht dokumentacionit të administruar nga ILDKPKI, KPK ka kryer një hetim të thelluar administrativ për verifikimin e deklarimeve të gjyqtarit Vavla, lidhur me fshehjen e mundshme të pasurisë dhe burimet.

Kështu, lidhur me një apartament 57.1 m2 të blerë nga Enti i Banesave në qytetin Beratit, Çiftja pohoi se kishte mospërputhje të çmimit të deklaruar nga subjekti rivlerësimit në vitin 2003 me çmimin e pasqyruar në kontratën e shitjes.

Edhe për apartamentin 110.8 m2 në vlerën rreth 42 mijë euro dhe garazhin 17.12 m2 me vlerë 4 mijë euro të blerë vitin 2015 në Tiranë, në rrugën “Pjetër Budi”, KPK ka gjetur se çmimi i deklaruar nuk është i saktë. Relatorja Çiftja sqaroi se Vavla ka deklaruar se e ka blerë këtë pasuri me çmimin 383 euro për m2, ndërkohë që çmimi real është 110 mijë lekë për m2.

Komisioni ka gjetur probleme edhe lidhur me huanë 30 mijë euro që gjyqtari ka marrë nga një i afërm i bashkëshortes së tij i cili jeton e punon prej vitesh në Itali. Sipas relatores Çiftja, mungon dokumentacioni ligjor i huadhënies dhe nuk dihet se si është transferuar shuma nga Italia. Ndërkohë, komisioni ka gjetur se bazuar në të dhënat e sistemit TIMS, në datën kur është nënshkruar kontrata noteriale e huadhënies, i afërmi i bashkëshortes të gjyqtarit Vavla nuk ka qenë në Shqipëri. Gjithashtu, sipas KPK, nuk ka dokumentacion për burimet e ligjshme të huadhënësit.

Komisioni ka konstatuar edhe mungesën e të ardhurave për 2.27 milionë lekë që kanë shërbyer për plotësimin e vlerës për blerjen e apartamentit dhe garazhit në Tiranë.

Gjatë seancë dëgjimore, Vavla ka replikuar lidhur me mospërputhjen e çmimit të deklaruar për blerjen e shtëpisë në rrugën ‘Pjetër Budi,’ duke u shprehur se kontrata e shitjes së apartamentit është nënshkruar para noterit. Gjithashtu, ai shtoi se ka dorëzuar pranë komisionit edhe dy kontrata të tjera shitje për apartamente në të njëjtin pallat nga ku rezulton se çmimi është thuajse i njëjtë. Vavla u shpreh se lidhur me të ardhurat e të afërmit të bashkëshortes, ka dorëzuar dokumentacion të institucioneve italiane, të cilat edhe pse nuk janë të përkthyera duhet të merren si prova.

Gjyqtari Vavla ka vazhduar më tej duke pohuar se huadhënësi i ka sjellë paratë duke ardhur herë pas herë në Shqipëri dhe se nuk duheshin marrë për bazë të dhënat e sistemit TIMS, pasi nuk ishte i besueshëm, pasi kishte mjaft raste kur ishte konstatuar një gjë e tillë.

Deklarimi i subjektit të rivlerësimit se blerjen e një automjeti në Gjermani në vlerën 1 milion e 680 mijë lekëve e kishte mundësuar falë të ardhurave nga familja dhe nga shitja e një makine tjetër në shumën 3000 euro, nuk ka qenë bindës për komisionin. Sipas relatores Çiftja, Vavla nuk kishte dorëzuar dokumentacionin e kontratës së shit-blerjes në Gjermani ku të ishte e pasqyruar edhe vlera e mjetit.

Sipas KPK-së, edhe lidhur me blerjen e letrave me vlerë në vlerën e 2.9 milionë lekëve nuk ka burim të ligjshëm të ardhurash. Komisioni ka kryer një analizë financiare për të ardhurat dhe shpenzimet e subjketit, ku me anë të përllogaritjeve aritmetike, që nga viti 2004 deri në vitin 2017, është konkluduar një balancë negative që rezulton në shumën e 7 milionë lekëve. Relatorja e çështjes pohoi se gjatë shpjegimeve, gjyqtari Vavla nuk ka qenë dakord me analizën financiare dhe ka kërkuar ekspert kontabël për të verifikuar të kundërtën. Vavla shtoi se për analizën financiare janë marrë për bazë të dhëna nga anketimet lidhur me minimumin jetik, kur sipas tij nuk ka një dokument nga INSTATapo ILDKPKI lidhur me këtë gjë.

Në fund, relatorja Çiftja u ndal edhe tek shpenzimet për shkollimin e djalit të gjyqtarit Vavla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komisioni ka konkluduar se për shkollimin e djalit janë shpenzuar 64 mijë USD dhe për jetesën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 12 mijë USD, në një vlerë totale prej 76 mijë USD. Relatorja Çiftja u shpreh se, Vavla ka deklaruar se kjo shumë është mundësuar nga disa burime, 8 mijë USD nga shitja e një makine dhe nga të afërmit, 34 mijë USD nga sponsori i tyre, një i afërm, ndërsa 41 mijë USD nga një shtetas amerikan, bashkëshorti i motrës, i cili ka marrë kredi në emër të tij që do të shlyhet kur të mbaronte shkolla.

Gjyqtari Agron Vavla ka ndërhyrë menjëherë duke u shprehur se nuk kishte thënë kurrë sponsor. Ai është konsideruar si mbështetës. “Për akomodimin ka paguar edhe bashkëshorti i vajzës, por ai është mbështetës. Ndërkohë, familjarët kanë bërë dhurata, janë mbledhur rreth 4500 USD. Ju keni kërkuar listë, por sipas zakonit është ofendim të mbash listë për këtë gjë”, u shpreh Vavla.

Relatorja e çështjes ka vazhduar më tej duke u shprehur se mungon dokumentacioni për shumën e dhënë nga shtetasi amerikan.

Ndërkohë, ajo ka theksuar se trupa gjykuese ka refuzuar thirrjen si dëshmitar të personit që jeton në Itali, për të cilin Vavla ka deklaruar se i ka dhënë një hua prej 30 mijë eurosh që i ka përdorur për blerjen e apartamentit në Tiranë.

Mbrojtja e gjyqtarit

Pasi Komisioni bëri publike gjetjet e konkluduara gjatë hetimit administrativ lidhur me deklarimin e pasurisë së gjyqtarit Agron Vavla, ky i fundit ka parashtruar prapësimet e tij për më shumë se dy orë.

Duke i kujtuar trupës gjykuese se vetëm një ditë më parë ai gjendej në pozicionin e tyre, u shpreh kundër të gjitha gjetjeve.

“Përfundimi i hetimit është bërë vetëm mbi pasurinë dhe jo për dy kriteret e tjera. Ligji thotë se rivlerësimi bëhet për të tre kriteret dhe vendimi mund të bazohet edhe mbi një kriter. Ju mbroni rrogën tuaj, unë timen, do ushqej dhe unë fëmijët”, pohoi ai para trupës gjykuese.

Ai pretendoi se gjetjet janë të pabazuara në fakte e prova. Lidhur me apartamentin 57.1 m2, Vavla tha se e ka blerë në cilësinë e personit të pastrehë në vitin 1993 dhe se ka pasur kontratë me kusht për të paguar 30 mijë lekë si garanci. Sipas Vavlas, kjo pasuri është vlerësuar në vitin 1993 në vlerën e 90 mijë lekëve ndërsa vlera përfundimtare ka qenë 404 mijë lekë.

“Në vitin 2003 kur ne kemi deklaruar pasurinë, ju nuk e dinit çfarë ishte. As ILDKPKI nuk kishte një format me anekse të rregullta. Më është thënë të jap çmimin real, jo të kontratës deri në vitin 2013”, ju drejtua gjyqtari komisionit.

Lidhur me apartamentin 100.8 m2 dhe garazhin 17.12 m2 të blerë në Tiranë, Vavla sqaroi se gjithmonë e ka deklaruar shumën e blerjes në euro, duke qenë se e kishte blerë në valutë pasi kështu kishte dashur shitësi. Sipas tij, vlerësimi duhej të ishte kryer me kursin e euros në momentin e kryerjes së aktit të shit-blerjes.

“Më jepni një kontratë shitjeje ku një të jetë bërë me referencë të tregut dhe të ketë pasur vullnetin e palëve. S’ka. Për këtë arsye ju kam dorëzuar dy kontrata të tjera. Referenca është vetëm për të paguar tatimin në burim, vetëm nga shitësi dhe jo nga blerësi. Ndërkohë, zona është 2/5 dhe jo 2/4. Vlera nuk është 110 mijë lekë m2”, pretendoi ai duke ngritur dyshim mbi seriozitetin e punës se ekspertëve. Më tej Vavla tha se burimi i të ardhurave duhet verifikuar që prej vitit 2008 dhe jo në vetëm në vitin 2015. “grupi hetimor ka verifikuar gabim, prandaj ju kërkova ekspert ligjor”, theksoi ai.

Ndërkohë, kryesuesja e seancës, Firdes Shuli i tërhoqi vërejtje për të disatën herë që të mos vazhdonte të deklaronte të dhëna të cilat i kishte parashtruar në shpjegimet e mëparshme, por të përqendrohej tek provat apo të dhënat e reja.

Lidhur me huan 30 mijë euro, ai tha se e kishte marrë nga i afërmi i bashkëshortes rreth 10 vite më parë me interes 2% për ta shlyer pjesërisht çdo vit nga 3600 euro, kur ai të vinte me pushime dhe se e kishte shlyer këtë vit. Vavla pohoi se për të ardhurat kishte depozituar dokumentacionin përkatës nga autoritetet italiane, por se sa të ardhura kishte krijuar ai ndër vite nuk mund ta vërtetonte pasi nuk kishte autoritetin përkatës. Kreu i Gjykatës së Beratit pohoi më tej se kishte depozituar dokumentacion të autoriteteve italiane që vërtetonin se i afërmi i bashkëshortes së tij kishte nisur punë në Itali që prej vitit 2002 bazuar në një kontratë me afat të pacaktuar dhe vazhdonte të punonte ende atje.

Lidhur me transferimin e shumës ai pohoi se i afërmi nuk kishte pasur detyrim që të deklaronte vlera më të vogla se 10 mijë euro dhe se transaksioni ishte kryer me lekë xhepi në disa periudha.

Vavla bëri të ditur se kishte punuar për rreth pesë vite edhe jashtë sistemit si pedagog dhe se kishin punuar edhe fëmijët e tij që tani ndodhen jashtë shtetit. Ai shtoi se kishte bërë edhe ai një analizë financiare bazuar në gjendjet, të ardhurat dhe shpenzimet e deklarua dhe se balanca sipas tij ishte zero.

Lidhur me mungesën e dokumentacionit të automjetit të blerë në Gjermani ai u shpreh se ka pasur një faturë blerje, por se nuk kishte detyrim ligjor për ta mbajtur ndërkohë kur mjeti është ligjëruar në shtetin shqiptar. Kryegjyqtari i Beratit theksoi se u ka dhënë dosjen e zhdoganimit të makinës ku gjendet deklarata e vlerësimit të mjetit me kodin 6, që sipas tij dogana e ka vlerësuar 10050 euro pasi referenca ka qenë rreth 12 mijë euro dhe shumëzohet me 80%, duke dhënë vlerën 9920 euro që së bashku me vlerën e transportit të përcaktuar 175 euro shkon në total 10075 euro. “Ç’kusure ka subjekti të paragjykohet për vlerën e mjetit!?”, u shpreh ai. Vavla pohoi se të gjitha burimet e të ardhurave janë të deklaruara dhe se nuk ka asgjë për të fshehur.

Duke shfaqur krenarinë për djalin e tij që studion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku edhe jeton e punon aktualisht, Vavla tha se komisioni ka kryer analizë edhe pas deklaratës veting duke tejkaluar kompetencat.

Ai shpjegoi se për të aplikuar për studime kishte disa kushte dhe se ndër to kishte dhe kushte financiare. Më tej gjyqtari tha se ato 1.2 milionë lekë që kishte gjendje ja kishte dhënë djalit dhe se nuk kishin më shumë mundësi dhe u detyruan të kërkonin mbështetje tek të afërmit. Ndërkohë, Vavla pohoi se edhe djali kishte krijuar të ardhura në vlerën e 700 mijë lekëve pasi kishte punuar në Shqipëri para se të largohej me studime në SHBA. Sipas subjektit të rivlerësimit, në konkluzionet e komisionit kishte papërputhshmëri shifrash. Ai shtoi se për jetesën në SHBA të djalit janë shpenzuar rreth 12 mijë USD deri në vitin 2017. Ndërkohë familja e motrës i ka paguar qiranë për rreth 6-7 muaj kur ka shkuar fillimisht në SHBA. Për 4500 USD të dhëna nga familjarët, këto nuk janë vetëm nga prindërit, por edhe nga të afërmit e tjerë. Ndërkohë, ai shtoi se djali ka deklaruar të ardhura nga puna në Amerikë në vlerën e 11 814 USD-ve dhe 1000 USD të tjerë për punë online. “Ju kemi dhënë gjithë hyrje-daljet në llogarinë rrjedhëse të tij. Detyra ime është që të ardhurat e krijuara janë në rrugë të ligjshme dhe këtë gjë e kam provuar”, theksoi Vavla.

Lidhur me mbështetjen nga shtetasi amerikan, Vavla tha se djali ishte i detyruar të kryente një ‘intership’ dhe ai ka punuar falas, kurse lekët janë transferuar direkt tek banka, por nuk mund të shpenzoheshin.

“Kjo marrëveshje është me interes zero, mes xhentlemenësh, për një djalë ekselent. Jo mes meje dhe shtetasit amerikan”, u shpreh gjyqtari Vavla për paratë që shtetasi amerikan i kishte dhënë djalit të tij.

Ai kërkoi që të merren për provë gjithë dokumentet e ardhura nga shteti amerikan dhe ai italian, duke i konsideruar si prova të plota. Më tej Vavla përmendi edhe një dokument të lëshuar për kontrollin e pastërtisë së figurës nga kompania ku punon i biri, duke pretenduar se është verifikuar për disa muaj ai dhe gjithë anëtarët e familjes për pastërtinë e figurës nga autoritetet e kompanisë amerikane.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtari Agron Vavla kërkoi që veç pranimit si prova të dokumenteve të siguruara në shtetin italian dhe amerikan, të pyetej në cilësinë e dëshmitarit i afërmi i bashkëshortes së tij për huan 30 mijë euro të përdorur për blerjen e apartamentit në Tiranë, si edhe ekspertimin e nënshkrimit të tij me atë që gjendet në kontratën noteriale të huadhënies.

Ai kërkoi konfirmimin në detyrë. Vendimi do të shpallet më datë 21 dhjetor, ora 09:00./BIRN



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *