• |
ide | kryesore

Rama, i vjetër dhe i lodhur

2, Ide



Arlind Qori

Edi Rama është i vjetër. Edhe i lodhur. I kapur nga oligarkët po e po, por kjo nuk përbën më lajm. Vjetërsia e tij lidhet me varfërinë e imagjinatës politike. Kjo e fundit është sa produkt i mënyrës së qeverisjes, aq edhe i atrofizimit mendor që vjen nga mungesa e leximit dhe rutina e piarit. I ngrati mendon se jetojmë akoma në fillim të viteve 2000, kur të vishje bluzë me ngjyra në vend të pardesyve të bardha merrej për avangardizëm. Ai është anakronik.

Ajo që Rama me të tijtë nuk arrijnë të kuptojnë, pavarësisht ushtrisë së propaganduesve që marrin në punë, është se risia nuk mund të jetë më sipërfaqësore. Ajo nuk varet nga batutat, zgërdhirjet dhe mbushjen e sallave me fakirë që marrin apo presin të marrin rrogën e shtetit. E reja sot është përmbajtje. Ajo shfaqet kudo, por mbi të gjitha në sheshe.

Pika ku Rama var shpresat është lodhja e studentëve. Njëlloj si homologët e tij, ai e mendon protestën sipas skemës së çadrës: Merr një dorë militantësh partie dhe futi në çadër – në daç për hapjen e kutive, në daç për Republikën e Re –, mundësisht edhe me ndonjë grevë urie nga pas, dhe prit që njerëzit të lodhen nga loja e tavllës dhe këngët për kryetarin.

Rama nuk ka përvojë, çka e pamundëson të mendojë, se ç’do të thotë protestë autentike, e vetorganizuar, me një spontanitet dhe entuziazëm mbresëlënës. Për studentët lodhja fizike nuk është e kundërta e entuziazmit. Në raste të caktuara ajo është faktor që e rrit vetëdijen e jashtëzakonshmërisë së asaj që po ndodh.

Po ashtu kjo është e para herë kur mllefi ndaj mbrapshtësive të politikave qeveritare dhe sistemit politik në përgjithësi nuk e mpak, por e ushqen harenë dhe kreativitetin e protestuesve. Bashkimi në një shumësi – sa plurale në përbërje, aq unitare në frymë – jo vetëm po i bind studentët për fuqinë që kanë, por edhe po i vetëdijeson se demokracia nuk është përfaqësim, por drejtpërdrejtshmëri; se zgjidhja e problemeve nuk pritet të vijë nga qielli, por nga toka ku ata janë të rrënjosur prej më se dy javësh; se fjalimi është demode atëherë ku fjala gëlon; se kënga nuk është argëtuese, por motivuese; se poezia nuk i kundërvihet jetës, por është shprehja më e lartë e saj.

Studentët shqiptarë sot po përjetojnë atë që pak popuj kanë arritur ta bëjnë në histori. Ata po ndryshojnë koordinatat e mendimit dhe të gjuhës politike, po vënë në krizë një sistem të tërë politik pa gjuajtur një herë me gur. Ata kanë nxjerrë jashtë loje një kryeministër që, duke mos ditur me kë të flasë, ka filluar të flasë me vete përballë audiencave të sajuara, kanë zhdukur nga korridoret e fakulteteve turlilloj matrapazësh me titullin profesor e me xhepat që po u çahen nga paratë e studentëve për provime e blerje librash me detyrim, kanë tulatur një burokraci të tërë që deri dje jepte urdhra, por sot s’di ku të fusë kokën. Si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë, vajzat janë shumica në pjesëmarrje dhe në frymëzimin e protestës. Nëse ky nuk është emancipim, atëherë flasim kot.

Sot jemi në fazën më të rëndësishme të lëvizjes universitare. Rama po endet si fantazmë në disa fakultete për tri arsye: 1. Të çorodisë studentët për të mos i plotësuar kërkesat e tyre. 2. Të shpëtojë fytyrën duke fituar kohë. 3. Të devijojë në mjegull e sipër vëmendjen nga thelbi i të gjitha problemeve: ligji i arsimit të lartë.
Çoroditjen po përpiqet ta prodhojë duke bërë sikur i pranon kërkesat studentore, pa i pranuar në fakt ato. Do ulim tarifat – thotë, por jo aq sa e kërkoni ju, po aq sa dua unë dhe për kë dua unë. Do të rrisim pjesëmarrjen studentore, por në fakt nuk do ta rrisim se nuk e ka asnjë vend i botës(!!!) Do të reformojmë bordet e administrimit, por duke hequr Lenën e vënë Prenën po nga qeveria.

Shpëtimin e fytyrës e kërkon që nesër, pasi studentët ta fitojnë kauzën e tyre, të shmangë presionin e shtresave të tjera shoqërore. Ai frikësohet se shembullin e studentëve do ta ndjekin punëtorët, të cilëve u del shpirti në fasoneri, call center-a e miniera me rroga mjerane dhe pa të drejta në punë. U frikësohet shitësve ambulantë që mund të bashkohen për ta hedhur policin bashkiak në karrocerinë e makinës kur t’i përndjekë se pse shesin vezë anës rrugës. U frikësohet të vetëpunësuarve dhe biznesit të vogël që mund të kërkojnë lirimin e darës tatimore që u ka zënë fytin. U frikësohet, mbase, edhe atyre pak sipërmarrjeve të mesme prodhuese që shohin se si diskriminohen ekonomikisht në raport me oligarkinë ekonomike të trafikantëve, ndërtuesve, grosistëve të naftës, pronarëve të qendrave tregtare, mediave etj. U frikësohet pensionistëve, të papunëve, pse jo edhe policëve që vuajnë familjarisht pasojat e këtij sistemi zhvatës nga të gjitha anët. Prandaj Rama po kërkon dëshpërimisht dikë që t’i japë dorën.

Po, mbi të gjitha, ai po kërkon që çfarëdo zgjidhje çyryke që po përgatit ta realizojë pa rrëzuar ligjin e arsimit të lartë. Nuk duhet harruar për asnjë rast se ligji i arsimit të lartë ka qenë ligji më klientelist dhe i kontestuar i qeverisjes së tij. Ai është përgatitur në zyrat e pronarëve të diplomoreve private dhe mbështetet në tregtarizimin e universitetit, shndërrimin e studentit në klient që matet nga xhepi dhe jo nga mendja, financimin e privatëve me fonde publike dhe zhbërjen e demokracisë universitare. Ai e di se rrëzimi i ligjit është rrëzim i reformës klienteliste në arsim dhe rrëzimi i kësaj reforme afron ditën e rrëzimit të qeverisë. Edhe sikur askush të mos e kërkojë hapur, kjo qeveri do të bjerë vetë si molla e kalbur nga pema.

P.S.
Banakierja e lokalit ndanë Fakultetit të Shkencave Sociale, me fytyrë të plakur dhe sy që i shndrisnin, po pyeste dikë:

“Kam vajzën studente masteri. Po asaj do t’i ulen tarifat?
Po luftojmë për të gjithë.

Ah sa punë të mirë po bëjnë studentët!” – vazhdoi ajo dhe u nis për në punë.



8 Comments

  1. Ky eshte momenti ku fjala vdes dhe e vetmja gje qe ka rendesi eshte prania. Kauza eshte aq e vetekuptueshme sa e pakundershtueshme. Eshte carku perfekt per retoriken e rames. E vetmja gje qe duhet tashme eshte prezenca ne shesh e punetoreve fason,call center,shites ambulante, pensioniste, biznes i vogel dhe i mesem,fshatare,minatore etj. Rama nuk eshte objektivi i vetem por e pamundur mos jete i pari. Prandaj me te nuk mund te diskutohet per zgjidhje. Ai nuk mund te jape zgjidhje. Ai thjesht mund te jape doreheqjen si hapi fare i pare per zgjidhje.Me tej zgjidhja eshte proces. Ditet e shpreses se mire per ndertimin e lirise dhe kapitalizmit te vertete ne kete vend. M.A.G

  2. Sado te bashkohet fronti konservator ?? me kamunistet e llojit aleks xinxa ,rama i fiton zgjedhjet e 2019 dhe 2021 .Eshte shume e thjeshte puna ,nuk ka asnje faj ligji i arsimit te larte qe arsimi ne Shqiperi ka degraduar prej 25 vitesh.Derisa numri i pedagogeve eshte me i larte se i studenteve vetkuptohet se n c nivel arsimor jemi.

  3. Ky me ngjan me kritikat e Blushit, me Libren e tij. Bejne sikur e kritikojne por duan ti japin oksigjen se eshte ne koma. Blushi me emisionet e Top- it, sa dhe humorin e portokallise e ka bere bajat, meret me opoziten, kur m…..eshte bere mullar nga kjo qeverisje. E ke kot edhe ti Qorr, se gjoja keshtu te ironizon Rama qe te dukeni sikur jeni kundershtare. Ju jeni 1 dhe studentet e jane kuptuar. Le ta marin sa te fuan ortopokantin e te barazojne PD me PS, shkoni ne popull dhe e dine ata se kur jetonin me mire para apo pas 2013. Ska njeri qe nuk e mallkon kete qeveri, perjashto ata qe Ky i ushqen me parate e popullit te mjere. Ska qorr qe e shpeton.

  4. Fatkeqsisht kane te drejte disa nga keta qe komentojne ketu. Ky milet budalle kete qeveri meriton. Sipas kokes edhe festja. Nuk eshte edi rama e keqja me e madhe e ketij vendi. As enver hoxha. E keqja me e madhe eshe ky popull idiot e frikacak qe nuk u ngrit njehere per te drejtat e tija me elementare. Pse mos beje si cub edi rama? E ka shume te qarte se edhe keta qe bejne gam gam tani, prape ate do votojne.

  5. O, ju keni të drejtë. Ai është shumë i vjetër për vitet e shkuara dëm dhe tepër i lodhur, mbase nga droga cilësore kryeministrore( të llojit kokainë). Duket si një 75 vjeçar i rrënuar dhe i sëmurë mëndërisht. Mjerë populli dhe fat i madh për horrat!

  6. E kam dëgjuar Ramën shpesh në monologjet e tij me studentët, që t’ju thotë se tarifat që paguani ju aktualisht për universitetin, janë një pjesë shumë e vogël e parave, krahasuar me paratë me të cilat shteti, me të cilin ai identifikon veten, . Mënyra si e thotë ai këtë, të jep përshtypjen se jam unë që ju jap 70% të parave që ju të studioni.
    Ka një të vërtetë në këtë që ai thotë, ama ai haron të thotë se paratë e shtetit që jepen për arsimin e shërbimet e tjera publike, nuk i ka trashëgimi nga pronat e babait, por përsëeri janë para të mbledhura nga taksat e qytetarëve e ndërmjet tyre edhe paratë e familjeve të studentëve.
    Nga ana tjetër ka edhe mendësi komuniste që përhapin në publik mashtrimin për shërbimet publike që shteti “socialist” ju bën qytetarëve, duke aluduar se në sistemin diktatorial kriminal enverist, arsimi e shëndetësia ishin falas. Një gënjeshtër e trashë e naive.
    Taksat mund të jenë të drejtëpërdrejta, por mund të jenë të fshehta duke ju dhënë qytetarëve nëpërmjet pagave, vetëm 1/100 e vlerës së produktit të punës së tyre, ashtu siç ishin pagat në kohën e diktaturës. Për hir të së vërtetës, edhe diferencat e pagave të një puntori me të një ministri nuk ishin të mëdha. Propogandohej kështu “barazia sociale” si një arritje e madhe e komunizmit, por injorrohej fakti i barrazisë në varfëri e mjerim, e 99.90% të gjithë shqiptarëve, veç kupolës piramidale diktatoriale që kufizohej vetëm tek Blloku i famshëm i. Byrosë politike të KQ të PPSH.
    Por a duhet të kemi nostalgji për këtë lloj barazie në mjerim e varfëri ekstreme ?
    E dëgjoj shpesh që disa neokomunistë të flasin me pasion për “ndryshim sistemi” duke nxjerrë si hall të madh që shoqëria shqiptare në sistemin demokratk kapitalist, është ndarë në shumë të pasur e shumë të varfër.
    Edhe lidhur me qeverisjen e Ramës në këto 5 vite, tek ai përceptojnë gjithë të “këqijat” sipas tyre të sistemit demokratik kapitalist.
    Jo more të dashur neokomunistë !
    Nuk i ka fajet tregu i lirë, konkurenca e lirë e vlerave e aftësive sepse historikisht për gjithë njerëzimin ka qenë kjo konkurencë që ka krijuar progresin e madh ekonomik e kulturor e ndarjen në shtete të pasura e shtete të varfëra. Atje ku ka dominuar shteti ligjor kapitalist, nivelet e jetesës janë shumë të larta e atje ku nuk respektehon ligjet e mungon shteti ligjor, nivelet e jetesës janë më të ultat.
    Mos ngatëroni kapitalizmin demokratik bazuar në shtetin ligjor, me qeverisjen e një farë grupi mafioz që e quan veten socialist e ka sajuar një kapitalizëm oligarkik kriminal të tipit mafioz.
    Kryeministri aktual Rama,nuk përfaqëson as ideollogjinë socialiste e as ideollogjinë e tregut të lirë kapitalist.
    Ai thjeshtë vepron me kultin që i ka vënë vetes, sikur ai është më i dijshmi, ai është “më i gjati”, ai është më i zoti në arrogancën e komunikimit etj. etj.
    Abuzimi i neokomunistëve qëndron në faktin se ata barazojnë oligarkët në kuptimin e biznesmenëve që janë pasuruar në rrugë korruptive e deri kriminale, me të gjithë kapitalistët që për ta janë “armiqtë e njerëzimit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *