• |
ide | kryesore

Shef i sektorit të arbitrave, Jareci: ”Nuk ekziston gabimi i qëllimshëm”

F1, Sport



Në një skaner arbitral, Sokol Jareci, shef i sektorit të arbitrave në FSHF i sheh gjërat pozitivisht, pavarësisht se njerëzit e tij janë kontestuar shumë shpesh në harkun e 17 javëve të këtij kampionati, por edhe gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. Arbitrat, pjesa gjithnjë e kontestuar e futbollit, edhe kur ata kanë të drejtë dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Por jemi mësuar të bëjmë polemika. Edhe kur nuk ka i krijojmë, por në një frymë ku mungesa e besimit të imponon të paragjykosh edhe atë që nuk duhet, arbitrat nuk kanë pasur një 2018 të lehtë.

“Në të gjithë performancën, apo kaosin që ngrihet mbi arbitrat, mendoj se jemi në rrugën e duhur – theksoi Jareci -. Kemi arbitra të rinj që po bëjnë mirë dhe kemi edhe vendime të vështira që janë marrë në mënyrën e duhur. A bëhen gabime? Po bëhen, por kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri po shohim edhe në kampionatet e huaja, ku është edhe ndihma e Video Asistent Referee”.

“Nuk ka gabime të qëllimshme” është një term i lehtë për tu thënë, por aspak për tu besuar, në një futboll ku besimi është gjëja që mungon më shumë se cdo gjë. E megjithatë, Jareci ka bindjen se askush nuk ka tendencën për të gabuar, por edhe arbitrat mbeten njerëz.

“Nuk më pëlqen termi i përdorur gabime të qëllimshme, sepse nuk ekzistojnë gabimet me dëshirë – thotë Jareci, ndonëse pak vështirë për tu besuar se cdo gjë është me duar të pastra. Duhet të kemi parasysh se arbitrat janë njerëz dhe gabimet ndodhin, ndonjëherë për mungesë përqendrimi, ndonjëherë për asistim të gabuar, apo për mungesë vizibiliteti, por mbetemi gjithnjë tek njerëzorja”.

Nën akuzë kanë qenë edhe emrat më të rëndësishëm si Enea Jorgji, i freskët nga titulli si arbitri më i mirë i 2018. Performanca e elbasanasit është gjykuar shpesh si me dy standarte: e pakapshme jashtë Shqipërisë dhe problematike në Superiore, por jo për Jarecin…

“Jorgji është një nga më të mirët – shpjegoi shefi i sektorit të garave – dhe fakti që mori cmimin si arbitri më i mirë i 2018 tregoi se nuk bën mirë vetëm në ndeshjet ndërkombëtare. Duhet vetëm ti japim pak më tepër besim arbitrave e të mos i paragjykojmë në rastin më të parë, e ndonjëherë edhe ende pa nisur ndeshja”.

Nuk ka VAR në futbollin tonë e madje nuk do të ketë në të ardhmen e afërt e megjithatë ekziston vetëm një kurë për të përmirësuar edhe shumë raportin arbitrim futboll. Përpos javëve të gabuara ku cdo gjë shkon kundër parashikimeve e ku të gjithë janë të pakënaqur me të gjithë, pak më tepër besim për Jarecin do të bënte punë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *