• |
ide | kryesore

Studentët e Kosovës kërkojnë liberalizimin e vizave, pyesin Mogherinin: Izolimi është vlerë e BE-së?

Lajme, Të fundit



Studentët e Kosovës kërkojnë liberalizimin e vizave. Përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherinit studentët i kanë drejtuar një pyetje:

“A është izolimi vlerë e BE-së?”

Përmes një marshi protestues që nisi nga Fakulteti Filozofik e deri zyra e BE-së, studentët e quajtën padrejtësi, mashtrim e izolim, mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në formë simbolike, në një kuti vendosën pasaportat e tyre që i quajtën të pavlera.

Ja si shprehet studenti Bekim Ibishi për këtë:

“Arsyeja pse gjendemi këtu është që të kërkojmë llogaridhënie nga BE-ja për mos liberalizimin e vizave, kur të gjithë këta janë në festë dhe kanë harruar të gjitha brengat e tyre, ne nuk mund të festojmë si ta sepse jemi i vetmi popull në Evropë që jemi i izoluar, andaj këta na kanë shndërruar pasaportat tona në të pavlera, dhe ne u kemi sjell një dhuratë ku ne i kemi futur vuajtjet tona si dhuratë për festat e tyre. Ne nuk mund t’i vizitojmë as familjarët tanë, këta mund të vizitojnë anë e mbanë botës, nga të dëshirojnë. Jemi i vetmi vend në Evropë që jemi izoluar, dhe për atë arsye jemi ardh që të kërkojmë llogaridhënie : a është izolimi vlerë e BE-së?”, u shpreh ai.

Një tjetër student, Blendon Arifi, ka treguar për simbolikën e vendosjes së pasaportave të tyre në kuti si dhuratë për BE-në.

“Simbolika e sotme e studentëve të UP-së është e veçantë dhe lidhet me një ditë të shenjtë, ditën e kërshëndellave, ditë kjo e cila bart me vete këtu e shumë vite e shekuj mesazhin e bashkëpunimit, tolerancës, dashurisë dhe mirëkuptimit mes njerëzve. Në të gjithë truallin evropian jemi të vetmit që s’mund të lëvizim lirshëm dhe rrjedhimisht të festojmë, në të gjithë truallin evropian jemi të vetmit që jemi të getoizuar dhe të izoluar gjithandej, në të gjithë truallin evropian jemi të mashtruar e madje edhe të pashpresë, neve nuk na intereson politika e as nuk duam të jemi pjesë e saj, as e partive politike, dhe as e ndonjë lëvizje qytetare”, shprehet ai.

Ndërsa studenti Edison Syla, para protestuesve u shpreh se popullit kosovar po i bëhet fyerja më e madhe që mund t’i bëhet dikujt.

“Jemi mbledh sot këtu për disa dhurata simbolike drejtuar zonjës Mogherini, që përmes këtyre dhuratave me ja përçuar mesazhin se qysh është duke e lënë, çfarë gjendje është duke e lënë këtë popull, qysh është duke e izoluar, edhe se qysh pasaporta e këtij populli është bërë e pavlerë”, tha ai.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *