• |
ide | kryesore

“Eja me armë”, çfarë po ndodh me hetimet për vrasjen në ish-bllok

Lajme, Të fundit



Qëndrimi në qelitë e paraburgimit vë në rrezik jetën e Elion Hatos. Ai duhet të mbahet në ambjentet e një spitali civil, ku mund të marrë shërbim të specializuar. Në këtë përfundim kanë dalë ekspertët e Mjekësisë Ligjore, për gjendjen  e Hatos, një prej të plagosurve në masakrën e ish-bllokut mbrëmjen e 4 tetorit. I paraburgosuri i është drejtuar gjykatës së Tiranës me kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë, pasi kërkon të trasferohet në një spital në Turqi, ku mund të kryejë një ndërhyrje për heqjen e tre plumbave që ka në trup.

Gjykatësi Artan Gjermeni e ka administruar në dosje ekspertizën mjekoligjore, por ende nuk ka dalë me një vendim. Kjo për faktin se prokurorët kanë kërkuar kohë për ta shqyrtuar ekspertizën që të mbajnë qëndrimin e tyre pro apo kundër kërkesës së të paraburgosurit. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e ish bllokut, prokuroria ka administruar në dosje provën e radhës. Bëhet fjalë për ekspertizën e telefonit të viktimës, Fabian Gaxha, i cili ishte pjesë e grupit të biznesmenit Ervis Martinaj. Burime nga prokuroria thanë se në aparatin celular janë zbuluar disa komunikime në Whats up mes Gaxhës dhe Elion Hatos. Me screen-shotin e një mesazhi të ardhur në telefonin e tij, dërguesin e të cilit është duke e hetuar prokuroria, Hato i ka kërkuar gaxhës të vijë menjëherë në lokal Monopol i pajisur me armë, shkruan News 24.

Sikurse rezulton në dosje, fill më pas, Gaxha ka hyrë në lokal dhe është konfliktuar me komandon Meviol Bilo, që shoqëronte biznesmenin Ervin Mata. Në debat e sipër 26 vjecari ka qëlluar më armë. Sulmit i është kundërpërgjigjur Bilo, duke e lënë atë të vrarë, ndërsa të plagosur mbetën Ervis Martinaj dhe Elion Hato, të cilët u ndaluan në spital dhe vijojnë të mbahen nën masën e arrestit me burg. Në kërkim për ngjarjen janë tashmë vetëm biznesmeni Ervin Mata dhe komando Meviol Bilo. Të gjithë të arrestuarit e tjerë janë liruar nën masën e detyrimit për paraqitje.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *