• |
ide | kryesore

Greqi/ Shqiptari gjendet i vdekur në burg

Lajme, Të fundit



Një shqiptar u gjend i varur në një qeli. Viktima Gëzim Shekaj, 33 vjeç nga Vlora, u mbajt në burg përtej afatit. Shekaj e kishte përfunduar kryerjen e dënimit 20 ditë më parë. Ngjarja ka ndodhur në burgun Koridalo në Athinë.

Sipas medias greke ngjarja ka ndodhur në spitalin e burgut.

Ndonëse rrethanat e kësaj ngjarjeje janë ende të paqarta, një mik i Gëzimit shprehet se përgjatë 20 ditëve që 33-vjeçari është mbajtur përtej dënimit në burg, i janë injektuar gjilpëra vazhdimisht. Ai akuzon se një veprim i tillë është bërë me qëllim për ta çuar atë drejt vdekjes. I riu nga Vlora është i katërti shqiptar që humb jetën në burgjet greke.

Miku i Gëzim Shekajt akuzon dhe Policinë se po përpiqet që të mbajë të fshehtë ngjarjen. Gjithashtu, ende nuk ka asnjë reagim nga ambasada shqiptare në Athinë mbi këtë ngjarje. Gjatë dy muajve të fundit, pikërisht pas vrasjes së ekstremistit grek në Bularat të Gjirokastrës në fillim të muajit tetor, ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi ka pasur disa sulme që kanë sjellë 9 persona të vrarë dhe 4 vetëvrasje.

DENONCIMI
Pak orë pas lajmit për gjetjen e 33-vjeçarit të varur në qeli, një mik i tij në Greqi, i cili gjithashtu po vuan dënimin në burgun e Koridalos, reagoi duke akuzuar mjekët e spitalit të burgut. Fisnik Hasi thotë se mjekët e spitalit të burgut i kanë injektuar 4 gjilpëra të riut në harkun kohor të 20 ditëve.

“Shoku im i burgut Gëzim Shekaj është gjetur i varur. Mjekët grekë i kanë injektuar 4 gjilpëra. Ai është keqtrajtuar në burg. Grekët nuk donin që ai të dilte i gjallë”, është shprehur Hasi, që ka qenë në të njëjtën qeli me 33-vjeçarin nga Vlora. Gjatë viteve të fundit ka pasur disa raste, ku të burgosurit shqiptarë në Greqi kanë humbur jetën si pasojë e keqtrajtimit dhe dhunës. Rasti që ka bërë më shumë jehonë në media është ai i Ilia Karelit (Kudret Kume).

Ngjarja ndodhi në mars të vitit 2014 dhe dhuna ndaj tij u dokumentua dhe me video. Gardianët e burgut u hakmorën ndaj shqiptarit, pasi vrau me thikë një prej gardianëve të burgut Nigrita, me pretendimin se i kishte mohuar lejen për të takuar nënën e tij. Dokumenti i dhunës me pamje solli më pas pranimin e dhunës nga vetë gardianët e burgut si dhe dënimin e tyre për një veprim të tillë. Por, nga ana tjetër shumë raste të tjera të dhunës dhe vdekjeve misterioze të shqiptarëve në burgjet e Greqisë kanë mbetur të pazbardhur.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *