• |
ide | kryesore

Kërcënimi i Trump: Do të mbyll kufirin SHBA-Meksikë

Lajme, Të fundit



Presidenti i Amerikës, Donald Trump, ka kërcënuar se do të mbyllë kufirin SHBA-Meksikë, në rast se Kongresi nuk miraton miliarda dollarë financime për ndërtimin e murit.

Në një seri postimesh në “Twitter” presidenti tha se alternativa ndaj financimit të projektit të tij të murit do të ishte ndarja totale nga Meksika. Ai ka kërkuar dhe që fabrikat amerikane të automobilëve të tërheqin filialet e tyre nga ana tjetër e kufirit.

Ky kërcënim ka ardhur në kulmin e përplasjes politike, që ka çuar në një mbyllje të pjesshme të qeverisë amerikane dhe që duket se do të dominojë edhe fillimin e vitit të tretë të Presidencës së Trumpit.

“Do të detyrohemi të mbyllim kufirin jugor, tërësisht, nëse demokratët nuk do të na japin paratë që na duhen për të përfunduar murin, si dhe të ndryshojnë ligjet qesharake të emigracionit, në të cilat vendi ynë është mbërthyer”, shkroi Trump në Twitter.

Me kufirin e mbyllur, Trump tha se ai do t’i çojë marrëdhëniet SHBA-Meksikë në nivelet para arritjes së marrëveshjes “NAFTA”, që hapi dyert për tregti të lirë në Kanada, Meksikë dhe SHBA.

“Kjo do ta kthente industrinë e automobilëve sërish në SHBA, atje ku e ka vendin”, tha ai. Trump kërkon 5 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri të gjatë më shumë se 3.200 km, që sipas tij do të ndalonte emigracionin e paligjshëm që është bërë një “magnet” për kriminelët, drogat dhe terroristët.

Kundërshtarët, veçanërisht në Partinë Demokratike, thonë se një mur fizik nuk është praktik dhe se ideja është të përdoret si mjet politik për të ushqyer ksenofobinë në bazën djathtiste të Trumpit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *