• |
ide | kryesore

Lamtumira e një miku të Kosovës

2, Ide



Paddy Ashdown në Kosovë

1.

“Jam në opozitë”, tha me buzëqeshjen në sy e vetulla të trasha të verdha, “por jam i dërguar nga kryeministri që t’ia jap vlerësimin tim për gjendjen në Kosovë”. Kështu fliste Paddy Ashdown, në zyrën time, në redaksinë e gazetës, ishte viti 1998. Kishte bërë një xhiro nëpër Kosovë, kishte biseduar me guvernatorin serb Angjellkoviq, kishte parë nga afër lëvizjet e policisë dhe ushtrisë serbe, lëvizjet e aty-këtushme të gueriles së UÇK-së; mjaftueshëm për sytë e trajnuar të tij. Si 22-vjeçar kishte komanduar një njësit special ushtarak të marinës britanike në xhunglat e Borneos. Më vonë do të shërbejë në Irlandë të Veriut dhe si pjesëtar i Shërbimit sekret britanik MI6 në Gjenevë, me mbulesë formale diplomatike prej sekretarit të Misionit britanik. Me vite ishte bërë figura e identifikueshme e liberal-demokratëve të Britanisë së Madhe.

Kjo që kishte parë në Kosovë ishte një akt i një tragjedie në zhvillim e që mund të bëhej vetëm më e madhe; një aparat represiv kundër një populli të paaftë të mbrohet vetë.

Dhe verdikti të cilin do t’ia shkruante kryeministrit Tony Blair – është sekret, mos ia thoni kujt, na tha Blerim Shalës dhe mua në zyrë – është se Britania e Madhe patjetër duhej të ndërhynte në këtë krizë që ta pengojë “përsëritjen e Bosnjës”.

Memorandumi të cilin ia dorëzoi Ashdown kryeministrit britanik pastaj u bë pjesë e një politike të ndërtuar britanike, që u bë në masë të madhe prijëse në kontinentin evropian e bashkërenditëse me SHBA-në.

2.

“Di çka do të më thuash”, do të thoshte prapë me buzëqeshjen në sy e vetulla të trasha të verdha disa herë pas lufte, në t’u takuar në Venecia, Paris a cilido vend që na sillte në konferencë së bashku. “Që duhet të jem kryeadministratori i Kosovës pasi të largohet Kouchneri”.

Ia komunikoja fillimisht si dëshirë e pastaj edhe me sens alarmi, jo vetëm për faktin se UNMIK-u në Kosovë ishte një ndërmarrje e çakorduar që funksiononte në masë të madhe në bazë të zemrës së madhe të Bernard Kouchnerit dhe një numri njerëzish të dedikuar, por edhe për shkak të frikës se pas shkuarjes së tyre mund të vinin njerëz më të dobët, pa përvojë ballkanike e pa staturë ndërkombëtare.

Në një moment zhgënjimi timin , sekretari i Përgjithshëm, Kofi Annan, ia ofroi vendin e trashëgimtarit të Kouchnerit, por Ashdown refuzoi, sepse i kishte hyrë garës zgjedhore për deputet. “Koha nuk punoi për mua në Kosovë kësaj here”, më tha.

Dhe të njëjtën gjë ma tha kur sërish ishte hapur vendi i kryeadministratorit, ndërsa ai kishte premtuar se do të konsideronte të bëhej përfaqësues i lartë në Bosnjë-Hercegovinë. Qe i tunduar të vinte, por “tashmë kam dhënë premtime”, më shkroi në një e-mail.

Dhe kur tashmë qe pajtuar ta merrte rolin në Bosnjë, bënte diçka që e ndante prej shumë të tjerëve, filloi t’i testonte mendimet e veta. Në një konferencë më ndau për kafe dhe ma dha analizën e tij për sfidat që e presin në Bosnjë, pauzoi dhe më pyeti se çka mendoja. Kisha vetëm të shtoja edhe pak për të konfirmuar atë që kishte formuluar në një paragraf, se roli i tij ishte në masë të madhe disiplinues, duke përdorur fuqinë ekzekutive në një shtet fatkeq që ende administrohet me një marrëveshje armëpushimi të nënshkruar në një bazë ajrore në Ohio.

3.

Para se të shpallej pavarësia e vendit, Ekipi i unitetit, pjesë e të cilit isha, u takua me të në një sallë të Parlamentit britanik. Tashmë kishte kaluar kohë, aq sa për të krijuar një distancë mes entuziazmit që Bosnja e Kosova të jenë ashtu siç kishte dëshiruar dhe realitetit të shoqërive që zhyten më thellë në shtet të kapur.

Nga Ekipi i unitetit dëgjoi falënderime dhe një listë të gjatë kërkesash që të na ndihmohet aty e këtu, të na bëjnë të pavarur e me ushtri, të kamur e të dashur , anëtarë të OKB-së dhe të çdo gjëje tjetër.

Dhe, meqë kishte të bënte me ata që i konsideronte se ishin miq natyralë të tij, e tha në gjuhën origjinale një thënie boshnjake, që nuk është për t’u ritransmetuar në gazetë e që pak a shumë udhëzon që të mos pretendohet të bëhen veprime vetjake me organe seksuale të të tjerëve. Apo , përkthyer në vernakulare: këqyrni pak me i ba punët vetë.

4.

Është një moment i rëndësishëm që flet me forcën e metaforës, si për të ashtu edhe për ne.

Duke shkuar për të parë vijat e frontit të luftës në zonën e Dukagjinit më 1998, diku afër Junikut sheh fshatarë të tubuar rreth një lumi që kishte më shumë baltë se ujë. Urdhëron eskortën që të ndalet, del prej veturës, dhe kur sheh një viç të zhytur në baltë zbret poshtë, i përvjelë mëngët dhe i heq këpucët e zhytet në baltë deri në gjunjë, e kap viçin për bishti dhe me ngadalë, e me ndihmën e mëpastajme edhe të fshatarëve e nxjerr në lendinë.

Prej javës së kaluar nuk është në mesin e të gjallëve. Tash edhe me dashtë, nuk mund të nxjerrë viçat tanë prej balte.

© KOHA.

 



4 Comments

  1. Nderim për ket Burre qe s’paska bere hije kot mbi dhe,
    Respekt edhe per ty Baton, per ket shkrim e te tjere, per ate qe je nga te paktit qe nuk Ben hije kot, qofsh gjithnje me nder e te mira, Tirana.
    Na duhet ta kemi parasysh ket t’ hidhten:
    Zbret nga makina… përvjelë mëngët, heq këpucët e zhytet në baltë deri në gjunjë, e kap viçin për bishti e nxjerr në lendinë,
    FATI I I
    Vendit te bukur
    Me shumice xhahile e batoner e Piktore e udbasher….

    Te bejne kurban Peshkaqenet, por edhe Kellir-
    ‘Shqipe’ mostrat bejne Xhelat-çiraket
    … e rrahin gjoksin patriotic psh thaq e ramaq farmaqet e te tjeret vargan.

    Prandaj kaq nderim për mikun tend, Baton.
    Ngushellime.

  2. Ndjese te madhe per lapsusin: Batoner ne komentin tim.
    E qarte qe E kisha fjalen per ‘veton’ – vetonsurro

  3. 1,Jam protestuesi. Mooooo. I miiiiiire!!, er- ja. Eni tu mesoj o ngelsa!
    2, kush jane keta zaptues!!!!!, er- ja. Jau tregojnë Uuuuunë o deeeele!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *