• |
ide | kryesore

Proteston, prandaj ekziston

Blog



Protesta e studentëve është më së pari protestë për rrëzimin e ligjit të arsimit, së dyti rrëzim i tarifave të marrëzisë së masterit, së treti rrëzimin e idesë së bordeve dhe jo protestë për ndryshimin e personave në borde. Bordet janë vendi i legjitimimit të korrupsionit të vjetër të universitetit, si dhe formimi i një korrupsioni të ri. Ne e dimë shumë mirë që dekani apo rektori janë kthyer në figura të përjetshme. Mjaft të kujtoni emrat e tyre. Kanë mbi 20 vjet që janë shefa, edhe pse nuk përbëjnë as figura intelektuale të shoqërisë shqiptare e as figura të ndritura profesionale. Rektorët dhe dekanët, në më të shumtën e tyre janë aty sepse kanë ofruar shërbime dhe e kanë privatizuar uniersitetin publik. Ndarja e universitetit në shumë rektorate ishte një mënyrë që do t’i shërbente numrit të njerëzve të bordeve, pra do ta kthente njësinë e bordeve në shpërblim për shumë njerëz të administratës së kryeministrit.
Një universitet i korruptuar i bën shumë punë një qeverie që synon të korruptojë e të korruptohet. Qeverisë Berisha i shkonte për shtat një universitet privat pa kriter. Qeveria Rama nisi me mbylljen e dy universiteteve privatë më famëkeqë dhe më pas vijoi me privatizimin e mëtejshëm të universitetit publik. Në një farë mënyre, qeveria Rama i tha drejtuesve të universiteteve: “Ju do të bëni pallë në kurriz të universitetit, pra në kurriz të taksapaguesve dhe në dëm të jetës së të riut shqiptar, por nga kjo duhet të fitojnë edhe njerëz të administratës sime”. Politika e qeverisë Rama, me ligjin e arsimit mund të thuhet shkurt: “Le të ketë oligarki dhe brenda universitetit. Këta jeni ju zotërinj rektorë e dekanë. Por ne do të dërgojmë pranë jush, si anëtarë bordesh, njerëzit tanë që do t’i ushqeni ju, sepse këta janë njerëzit që na mbajnë gjallë neve në qeveri. Ne po ju falim universitetin, dhe ju na ndihmoni të mbajmë qeverinë”. Dhe në të gjithë këtë strategji, humbësi kryesor është studenti dhe familja e tij, humbësi i dytë është shoqëria që gjendet me një institucion më pak, pra universitetin, humbësi i tretë është Shqipëria si vend sepse do të popullohet gjithnjë e më shumë me njerëz të papunë e të diplomuar, dhe njëkohësisht do të zbrazet nga të rinjtë e vet. E pra, në të gjithë këtë strategji, e vetmja e papritur e pallogaritur ishte protesta e studentëve.
E si zakonisht, në protestë të studentëve morën pjesë militantët e partive. Në dhjetorin e dytë, ashtu si në të parin, kur Partia e Punës dërgoi emisarët e vet, futën kokat emisarët. Janë të dy llojeve: ata që kanë për mision ta shuajnë protestën, dhe ata që duan ta devijojnë protestën prej rrëzimit të ligjit të arsimit. Ndaj në këto kushte, studentët nuk duhet të harrojnë se arroganca e pushtetit, cinizmi i Ramës, oligarkia e sistemit është pikërisht në ligjin e arsimit. Studentët nuk duhet të harrojnë se zemra e protestës është bllokimi i një jete universitare të sabotuar, pra bllokimi i vetë universiteteve. Protestat në shesh le të bëhen në data e vende të caktuara, por mbi të gjitha universiteti duhet t’i kthehet studentit.
Duke e bllokuar funksionin e gënjeshtërt të universitetit dhe duke reflektuar e duke e jetuar atë në diskutime dhe lexime, prej këndvështrimit teorik dhe konkretësisë ligjore, studentët më në fund mund të mbërrijnë në statusin e tyre të vërtetë, në njohës profesionalë dhe intelektualë të fushave të tyre. Pra ta sjellin universitetin në një status që duhet ta kishte parimisht, por që nuk e ka patur kurrë në Shqipëri. Kjo do të detyronte dhe profesorët të silleshin ashtu sic duhet të jenë në natyrën e tyre: studentë dhe intelektualë njëherësh. Sigurisht që do të afroheshin më shumë pedagogët e ndërgjegjshëm dhe të sigurtë për dijen e tyre.
Nuk ka mënyrë më të mirë kundër arrogancës oligarke dhe cinizmit pushtetar të qeverisë se ngritja profesionale dhe intelektuale e studentëve. Studentët janë të shumtë në numër dhe shumica e tyre e madhe nuk kanë as idenë më të vogël se sa e bukur është jeta e rinisë universitare. Universiteti ynë ka qenë një vend i boshatisur nga inteligjenca dhe krijimtaria. Kafja dhe të mësuarit për mendësh i kanë shkuar për shtat identifikimit të universitetit me një dyqan diplomash dhe gradash. Plagjiatura është emri më i ndyrë që i ka rënë në supe universitetit shqiptar. Ai është shndëruar në vendin që furnizon grada e tituj për mercenaritë e pushtetit, për ministritë e partive dhe për injorancën e deputetëve.
Portesta do të jetë e gjithanshme nëse shoqëria shqiptare zbulon dhe mbron tërë vendet e dijes dhe krijimtarisë. Deri tani po shohim vetëm protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe atë të studentëve për mbrojtjen e universitetit publik. Shumë vende dhe institucione të tjerë të krijimit dhe shkencës janë zhdukur. Nëse mbrojmë kombëtarisht dhe publikisht, në përmasën e tyre kombëtare dhe publike, institucionet që janë ende, do të mund të kthejmë edhe ata që janë zhdukur prej dhe për interesa të kompanive të betonit dhe zbardhjes së parave të kanabisit. Betoni dhe konkretja i pëlqejnë shumë oligarkisë së kanabisit. Shoqëria e vërtetë ka nevojë për ide dhe virtualitete, për virtyt dhe virtuozitet. Universiteti, Teatri, tërë vendet e shkencës dhe artit e pajisin një shoqëri me shumë burime vullneti dhe me shumë besim e shpresë. Zgjojnë te njeriu, e sidomos tek i riu, para së gjithash te studenti, shumë forma talentesh, te gjimnazisti shumë shije e dije të mundshme.
Protesta e studentëve është një pasurim i vërtetë i imagjinatës politike. Prandaj, te qytetarët ngjizet një shpresë sapo lind një lëvizje sado e vogël studentore. Nëse protesta vijon më tej, shpresa mbahet gjallë dhe shoqëria si bashkësi qytetare dhe politike merr jetë. Mbyllja e protestës është rënie në batakun dhe mjerimin e jetës së rëndomtë.
Proteston, pra ekziston. Ose, ndryshe: punën e rinisë së sotme mos e lërë për rininë e nesërme. Përndryshe do të jesh një brez më i vjetër e shumëfish brezash më i pabesë.
Elvis Hoxha, marrë nga Facebook i autorit



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *