• |
ide | kryesore

“The Economist”: Shqipëria, demokraci hibride që nuk di të qeverisë

Kryesore, Lajme



Shqipëria u rendit në vendin e 76 në botë në Indeksin e Demokracisë të publikuar nga The Economist. Në raport me një vit më parë, Shqipëria ka të njëjtin pikëzim, në 5.98, ndërsa është përmirësuar me një vend.

Treguesi ku vendi ynë merr më pak pikë është ai i funksionimit të qeverisë me 4.71 pikë, duke u renditur me vende të tilla si Ukraina, Bosnja, Gjeorgjia, Bjellorusia, Rusia, të cilat marrin pak pikë në indeksin e funksionimit të qeverisë. Ndërsa më mirë dinë të qeverisin vendet e tjera të rajonit, si Serbia, Maqedonia dhe Mali i ZI me nga 5.36 pikë secila. Një pikëzim i ulët i këtij treguesi nënkupton që “nëse vendimet e marra në mënyrë demokratike nuk mund ose nuk zbatohen atëherë koncepti i demokracisë nuk është shumë kuptimplotë, por është një guaskë boshe”.

Më mirë, Shqipëria renditet në treguesin e “lirive civile”, me 7.65 pikë, e ndjekur nga “procesi elektoral dhe pluralizmi” me 7 pikë, “pjesëmarrja politike” me 5.56 pikë dhe “kultura politike” me 5 pikë.

Në Europën Lindore, Shqipëria renditet e 13-a dhe bën pjesë në regjimin e demokracive hibride, ku përfshihen 39 shtete. Demokracia hibride është kategoria e tretë e renditjes së renditjes së The Economist, pas demokracisë së plotë, demokracisë me probleme, ndërsa kategoria e katërt është regjimi autoritar.

Vendi më demokratik në botë është Norvegjia, i ndjekur nga Islanda, Suedia, Danimarka, Irlanda, Finlanda, Zvicra, Holanda, Luksemburgu dhe dhjetësha e vendeve më demokratike në botë mbyllet nga Gjermania.

Indeksi i demokracisë i Njësisë së Inteligjencës të The Economist bazohet në pesë kategori: procesi zgjedhor dhe pluralizmi; liritë civile; funksionimi i qeverisë; pjesëmarrja politike; dhe kulturën politike, ku më të rëndësishme janë kushtet për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme konkurruese dhe aspekte të kënaqshme të lirisë politike.

Indeksi, i cili vlerëson gjendjen e demokracisë globale në 2018-n, për herë të parë në tre vjet nuk ka shënuar përkeqësim, por gjithsesi ka pasur përkeqësime të dukshme në disa shtete europiane si Italia, Turqia dhe Rusia. Ndërsa Azia ka shënuar përmirësimin më të madhe sesa çdo rajon tjetër./monitor



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *