• |
ide | kryesore

Humbje dhe dëmtime: Dinamo e Zagrebit miqësorja e gabuar e Partizanit

F1, Sport



Partizani i ka dhënë fund miqësoreve të fazës përgatitore në Antalia, por testi sado i rëndësishëm kundër Dinamos së Zagrebit nuk kishte fund të lumtur për të kuqtë, e nuk po flasim këtu për rezultatin. Kroatët fituan me përmbysje, por shqetësimi për Skënder Gegën janë dy dëmtimet që nuk mbyllën ndeshjen: Bruno Telushi e Dilaver Duka.

Nota pozitive të ndeshjes sigurisht që kishte, mjafton të shohësh rezultatin e humbjes kundër gjigantëve kroat, apo të kujtosh se rezultati ishte në favor të Partizanit deri në minutën e 28, ose në barazim për një pjesë loje. Goli i dytë në tre ndeshje për Jurgen Bardhin, që konfirmon një tjetër aspekt pozitiv të fazës përgatitore, ashtu si treguesi tjetër, që Partizani shkoi në gol, në të tre takimet.

Pas dy barazimeve kundër kundërshtarë turq, kryeqytetasit morën edhe humbjen e parë, ndaj një rivali të rëndësishëm, por ndoshta gjërat nuk do të kishin shkuar kështu nëse Telushi nuk do të linte fushën e lojës pas 20 minutash, i dëmtuar. Një problem i madh për Gegën, që humb vlonjatin e mesfushës pikërisht përpara startit të kampionatit, edhe pse duhet parë cfarë do të tregojë rezonanca magnetike për Telushin e Dukën, që la gjithashtu fushën e lojës në fundin e pjesës së parë.

Dinamo barazoi shifrat tetë minuta pasi Telushi braktisi mesfushën, duke lënë të lirë, pikërisht një nga ata që kishte nën kujdes, Moro të realizonte në portën e Alban Hoxhës. Dinamo vulosi rezultatin me rifillimin e lojës, me golin e Petkoviç, por përtej rezultatit e në pritje të zyrtarizimit të një sulmuesi të ri, Gega pret me frikë kontrollet mjekësore për Telushin e Dukën.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *