• |
ide | kryesore

Vrasja e trefishtë/ Dhëndri e kishte përgatitur ngjarjen, si i vrau vjehrrin dhe vjehrrën

Lajme, Të fundit



Tirana u trondit mëngjesin e djeshëm nga një krim i rëndë në familje, që ndodhi në zonën e Unazës së Re.

Dhëndri ekzekutoi me armë zjarri vjehrrin e vjehrrën, më pas qëlloi veten me thikë e u hodh nga ballkoni. Ai u transportua në gjendje të rëndë në spital, ku nuk i mbijetoi plagëve, duke ndërruar jetë.

Viktimat janë Bujar dhe Xhevahire Mataj, burrë e grua, 63 dhe 52 vjeç, me origjinë nga Korça, të cilët u vranë në banesë nga dhëndri i tyre, Majlind Lila, që më pas vrau edhe veten. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 06:00 në rrugën “Kristaq Mone”, në zonën e njohur si “Astiri” në Tiranë.

Burime nga Policia thanë se autori i krimit, Majlind Lila, 52 vjeç, me origjinë nga Mati, qëlloi disa herë me një pistoletë tip “TT” mbi vjehrrin dhe vjehrrën, duke i lënë ata të vdekur në vend. Të njëjtat burime thanë se trupi i pajetë i 63- vjeçarit Mata u gjet në kuzhinë, ndërsa i bashkëshortes së tij në korridor.

Duket se ajo ka tentuar të shpëtojë pasi ka parë vrasjen e të shoqit, por dhëndri e ka ndjekur, duke e qëlluar nga pas. Pasi është siguruar se i ka vrarë të dy, 52-vjeçari Lila ka tentuar të qëllojë edhe veten, por sipas verifikimeve paraprake të pistoletës, duket se ajo është bllokuar. Për këtë arsye, ai ka marrë një thikë në kuzhinën e viktimave, duke e goditur veten disa herë e më pas është hedhur nga kati i dytë i banesës.

NGJARJA

Autori i krimit të trefishtë, Majlind Lila, prej disa vitesh kishte bashkëjetuar me Nevila Matajn, vajzën e çiftit që vrau. Nga bashkëjetesa e tyre kishte ardhur një jetë një vajzë, e cila sot është 5 vjeç.

Çifti kishte udhëtuar drejt Suedisë disa vite më parë, pasi Lila nuk ndihej i sigurt për jetën e tij, pasi në vitin 2014 kishin tentuar ta vrisnin. Por duket se as atje marrëdhënia e tij me 37-vjeçaren Mataj nuk ka funksionuar, për arsye që ende nuk dihen. Burime nga Policia thanë dje se rreth dy vite më parë ai ishte larguar nga Suedia në drejtim të Greqisë, nuk dihet nëse është dëbuar apo ka ikur me dëshirë.

Ndërsa tri ditë më parë ka mbërritur në Shqipëri, duket me synimin e qartë për të vrarë vjehrrin dhe vjehrrën, pasi me ta kishte pasur shumë mosmarrëveshje, për shkak se nuk e kishin qenë dakord me bashkëjetesën e tij me vajzën e tyre. Pas mbërritjes në Tiranë, Majlind Lila ka përgatitur ngjarjen një natë më parë, ndërsa të nesërmen, dje rreth orës 06:00 të mëngjesit, ka shkuar në shtëpinë e vjehrrit, Bujar Mataj, në rrugën “Kristaq Mone”.

Sipas të dhënave, çifti Mataj ka qenë duke përgatitur kafen e mëngjesit, kur në derë është shfaqur dhëndri i tyre, Majlind Lila. Nuk dihet nëse ka pasur ndonjë debat që ka zgjatur mes tyre apo vrasja ka qenë e menjëhershme. Derën ia ka hapur e zonja e shtëpisë, ndërsa ai është futur fillimisht në kuzhinë, duke vrarë vjehrrin e më pas vjehrrën në korridor. /panorama



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *