• |
ide | kryesore

Refuzim dhe për Ramën? A do ta thellojë Meta krizën?

Arkiva, Kryesore



A do ta thellojë Ilir Meta krizën kryeministri- presidencë duke hedhur poshtë edhe kandidaturën e Edi Ramës për ministër të Jashtëm? Kjo është pyetja që gëlon në stafet respektive të të dy institucioneve, që pas intervistët së kreut të shtetit në “Opinion”, kur e la të hapur mundësinë e shqyrtimit brenda afatit tre ditor.

Në takimin kokë më kokë që Rama dhe Meta zhvilluan në presidencë, përpara se ky i fundit të refuzonte Gent Cakën, mes tyre u zhvillua një bisedë e tensionuar:

Rama: Duhet ta dekretosh ministrin e ri të Jashtëm se ai është një nga njerëzit më të ditur që ka ky vend.

Meta: Po meqë ti thua se është i ditur dhe ka lexuar shumë libra, pse nuk e vendos ministër Kulture…

Rama: Aman, Ilir nuk është koha për shaka.

Meta: Jo, jo e kam seriozisht, propozo Cakën tek kultura dhe merre vetë ministrinë e Jashtme. Mund ta drejtosh më mirë se kushdo përballlë sfidave reale që ka vendi.

Rama: (zë kokën me duar dhe hesht)…

Në fakt kryeministri bëri fiks atë që i sugjeroi presidenti. Pasi i iku vala e parë e inatit, ai llogariti që mund të vetëvendosej “de jure” ministër i Jashtëm dhe duke lënë Gent Cakën në rolin e zvendësministrit, përsëriste skemën e Sandër Lleshit me një zv/ministër që drejton realisht diplomacinë.

Por me sa duket edhe pasi kryeministri e kapërdiu këtë sfidë momentale, presidenti ka gjetur një kleçkë tjetër.

Burime pranë tij po shpërndajnë fjalën se Ilir Meta mund ta rrëzojë edhe propozimin e Ramës për t’u bërë vetë  ministër i Jashtëm. Shkak për këtë mund të bëhet neni 103 i kushtetutës, i cili shprehet qartë se roli i ministrit është i papajtueshëm me çdo punë tjetër. Pra me një fjalë që, ministri i Jashtëm për të cilin Rama ka propozuar vetveten, nuk mund të jetë edhe kryeministër.

Por shpesh kushtetuta varet se si e lexon. Sepse në një nen tjetër të saj (102), thuhet se kryeministri mund të kryejë edhe detyra të tjera të parashikuara në kushtetutë.

Pra kush ka të drejtë?

Me sa duket më shumë se në një betejë ligjore, përplasja Rama- Meta po shndërrohet në një luftë politike. Dhe tentativa për mosdekretimin e Ramës si ministër i Jashtëm, për të cilën kreu i shtetit do të flasë të enjten në ora 21 00 në emisionin “Të Pa Ekspozuarit”, do të shënonte apogjeun e një lufte në një fushëbetejë ku mungon arbitri, Gjykata kushtetuese.

©Lapsi.al



3 Comments

  1. Nje person ne dy funksione,d.t.th,dy funksionare te droguar,Kryeminstri dhe Ministri i jashtem!
    Do te ishte më mire,qe Rama te merrte edhe postin e Ministrit te brendeshem dhe te kultures.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *