• |
ide | kryesore

Zotëria Balili dhe falenderuesi Rama

Blog



Klement Balili, i ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit”, i ka dhënë dje fund talljes me shtetin shqiptar, teksa është vetëdorëzuar te Policia shqiptare, e cila kishte deklaruar se po e kërkonte me ngulm prej më se dy vitesh. Përgëzime Balilit. I veshur dhe mbathur si për dasmë, pasi ka negociuar me Policinë përmes nipit të tij, pasi është ndarë me njerëzit e tij si zakonisht, Balili i ka ftuar ata që e kërkonin “skutë më skutë” që të kishin mirësinë ta arrestonin. Duhet të jetë hutuar pak Policia e Shtetit nga kjo kërkesë e çuditshme, e të ashtuquajturit “Eskobar i Ballkanit”, por gjithsesi e ka mbledhur veten, i ka thirrur vetëdijes profesionale dhe e ka pranuar ofertën bujare të Balilit, me pak sakrifica, pasi ndërkohë ishte e zënë me zhdëpjen e “studentëve zaptues”, që të mbyllur në universitete nuk po i zbatonin urdhrat e ministrit të Brendshëm për ta mbyllur protestën e tyre.

Është për t’u respektuar Balili. Në momentin më të vështirë të një qeverisjeje që e ka humbur orientimin nën presionin e protestës së studentëve, mes përbuzjes masive dhe skandaleve të përditshme, Balili ka treguar më tepër përgjegjësi për dinjitetin e shtetit të vet sesa vetë Kryeministri i vendit të tij. Ka vendosur të mos e turpërojë më duke e mbajtur nën presionin e institucioneve ndërkombëtare dhe policive të vendeve të ndryshme për ta dorëzuar atë. Sepse këto institucione e dinin fare mirë se ai strehohej në Shqipëri, se mbrohej nga struktura kriminale të shtetit shqiptar dhe bënin presion mbi këto struktura për ta dorëzuar atë. Por shteti i dorëzuar para pushtetit të narkotrafikut nuk mund, nuk donte dhe nuk do ta kapte dot. Balili ka marrë përsipër ta çlirojë shtetin e vet nga kjo barrë e rëndë. Është treguar “zotni” trafikant, i ka vënë disa kushte të vogla Policisë së Shtetit, si p.sh. që policët të silleshin mirë me të (duke i fyer gjithsesi pak sepse ata sillen mirë me të gjithë përveçse me profesor Tupen dhe me studentët), t’i buzëqeshnin pareshtur, të ishin të veshur e të mbathur mirë dhe me të gjitha kopsat e uniformës në vendin e vet, pa bark dhe sidomos të mos u shkonte në mendje që të deklaronin se e kishin kapur, se kjo do ta irritonte shumë. Nuk e dimë çfarë kushtesh për trajtim të mëtejshëm u ka vënë, por detajet do të merren vesh më vonë. Gjithsesi, ai është sot në burg, një sakrificë kjo jo e paktë që ai bën për qeverinë dhe Kryeministrin Rama, sidomos kur ke parasysh faktin se kjo qeveri kolegët e tij i ka “sakrifikuar”, duke i bërë deputetë, kryetarë bashkish, ministra etj..

Përtej sarkazmës, vetëdorëzimi i Balilit nuk ngroh askënd në këto ditë të acarta dimri. Se çfarë kuptimi ka të arrestosh një të ashtuquajtur trafikant, në një vend ku trafiku i narkotikëve dhe kultivimi i bimëve prej të cilave prodhohen lëndët narkotike janë bërë me bekimin e strukturave të Policisë së Shtetit dhe të qeverisë shqiptare në dritë të diellit. Ajo ndoshta tregon vetëm një gjë, që ky aktivitet mafioz nuk do të zhvillohet në format brutale dhe spektakolare që është zhvilluar deri tani, pasi kjo është bërë e pamundur për shkak të presionit të opinionit ndërkombëtar dhe opinionit publik në vend. Paratë e mafies po financohen përmes PPPve dhe formave të tjera në aktivitete të tjera dhe pikërisht këtu duhen kërkuar edhe krerët e vërtetë të mafies. Dhe ajo është shtetërore, politike, është vetë shteti. Balili dhe Balilët janë tepër të vjetër për t’iu përshtatur sofistikimit të aktiviteteve të reja kriminale dhe vetëm po mbyllen në burgje, njësoj si Muji, që me daljen e pushkës u mbyll në shpellë dhe nuk doli më prej andej.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *