• |
ide | kryesore

Balili sot te Krimet e Rënda. Katër akuzat që rëndojnë mbi të

Lajme, Të fundit



I ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit”, Klement Balili, do të dalë sot përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Ai do të njihet me akuzat si dhe do të bëhet një rivlerësim i masës së sigurisë, dhënë në mungesë më shumë se dy vite më parë. Paraditen e djeshme, në shortin e hedhur të Krimet e Rënda, gjyqtare e seancës paraprake u caktua Miliana Muça, ndërsa kjo e fundit do të bëjë edhe rivlerësimin e masës së sigurisë.

Hetimet për Balilin u mbyllën dhe paraditen e së martës, prokurori i çështjes Ened Nakuçi dorëzoi dosjen me 4 akuza në Gjykatë me kërkesë për të kaluar çështjen në gjykim dhe marrjen si të pandehur të shumëkërkuarin Klement Balili.

Ky i fundit u vetëdorëzua në Policinë e Shtetit, pikërisht gjatë momentit që dosja ishte dorëzuar në Gjykatë, ndërsa avokati Theodhori Sollaku, tha dy ditë më parë se i mbrojturi prej tij nuk i ishte larguar drejtësisë, pasi gjatë këtyre dy viteve drejtësia shqiptare nuk kishte bërë asnjë veprim që pengohej nga mosprania e Balilit. Ndërkohë, kujtojmë se hetimet ndaj tij kanë përfunduar në momentin që janë administruar të dhënat e reja nga autoritetet greke.

Gjatë seancës që pritet të zhvillohet sot, gjyqtarja Miliana Muça do të marrë në shqyrtim edhe provat e reja të Prokurorisë për këtë çështje, që janë dëshmitë e dy skafistëve që dyshohet se Balili ka kontaktuar si dhe disa përgjime. Pas momentit të arrestimit, Klement Balili është vendosur në Drejtorinë e Policisë, ku gjatë ditës së djeshme ka pasur edhe një takim me familjarët e tij. Ndërkohë, pas verifikimit të masës së sigurisë, nëse mbetet në fuqi “Arresti në burg”, Balili do të transferohet në qelitë e paraburgimit në Tiranë.

HETIMI

Prokurori i çështjes pritet të kërkojë nga Gjykata lënien në fuqi të masës së sigurisë dhënë dy vite më parë, ndërsa në kërkesën për gjykim thuhet se Klement Balili implikohet në trafikun e rreth 700 kilogramëve lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, të papërpunuar. Sipas organit të akuzës, në datën 6 maj 2016, dy skafistë u nisën nga brigjet e Sarandës për të transportuar me skafin “Vasilikis” ngarkesën e kanabisit.

Sipas dyshimeve, ata kanë komunikuar me Klement Balilin, i cili gjithashtu ka komunikuar edhe me një shtetas grek për mënyrën se si do të zbarkohej droga në Zakinthos. Autoritet greke thonë se, kanë identifikuar se numri me të cilin ka folur një prej skafistëve të arrestuar është i Klement Balilit.

Një fakt i tillë është kundërshtuar nga ky i fundit nëpërmjet avokatëve të tij. Ndërkohë, burime bëjnë me dije se në përgjigjen e kthyer nga autoritetet greke, ku janë edhe dëshmitë e dy skafistëve, nuk rezulton se ata kanë implikuar Klement Balilin. Ndërkohë, nga vendimi i Gjykatës për Krime të Rënda, që caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” dy vite më parë, ekzistojnë disa përgjime. Konkretisht, numri që autoritet greke dyshojnë se ka qenë në përdorim të Klement Balilit është identifikuar gjatë bisedave më njërin prej skafistëve, ku ai thirrej Keli.

Referuar mediave greke në vitin 2016, ato kanë shkruar se në hetimet për zbardhjen e rrjetit të drogës ku pjesëtarë dyshohet të ketë qenë edhe Klement Balili, kanë marrë pjesë edhe agjentë të DEA-s amerikane.

“Në hetimet për goditjen e këtij rrjeti ka bashkëpunuar DEA, struktura policore amerikane e specializuar në luftën kundër drogës dhe ambasada amerikane në Athinë”, shkruante “Kathimerini”, dy vite më parë. Sipas së njëjtës media, ky rrjet i trafikut të drogës shtrihej në Greqi, Belgjikë, Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Holandë, Britani, Austri dhe Norvegji. Droga dërgohej me skafe nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas prej andej shpërndahej në Europë me kamionë. /panorama



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *