• |
ide | kryesore

Akuza për trafik droge, Krimet e Rënda zgjasin sërish hetimet ndaj Saimir Tahirit

Lajme, Të fundit



Edhe pse afati për përfundimin e hetimeve për Saimir Tahirin skadoi dje, më 17 janar, Prokuroria e Krimeve të Rënda zgjati me 3 muaj të tjerë këto hetime për ish-ministrin e Brendshëm.

Prokuroria njoftoi se shkak për shtyrjen e hetimeve u bë pritja për përgjigjen për ndihmë juridike nga Mali i Zi dhe përkthimi i disa dokumentave të marra nga Italia.

Kjo është hera e tretë që hetimet për Tahirin zgjaten në pritje të informacioneve nga autoritetet e huaja. Referuar Prokurorisë për Krime të Rënda, ish-deputeti i Partisë Socialiste akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë”. 

Referuar dosjes hetimore, përpos përgjimeve të Prokurorisë së Katanias, një fakt tjetër që të çon drejt dyshimit se Tahiri ka kryer veprat penale për të cilat është vënë nën hetim, është edhe shitja e makinës tip “Audi”. Nga verifikimet, rezulton se Tahiri e ka blerë atë në vitin 2013, për vlerën monetare të 21 mijë eurove dhe ia ka shitur një vit më vonë, me një shifër shumë më të ulët, prej 9 milionë lekësh, kushëririt të tij, Artan Habilaj, shifër që lë vend për dyshime.

Një pikë tjetër ku është mbështetur Prokuroria është edhe lëvizja e lirshme e grupit “Habilaj” në Shqipëri, duke mos u identifikuar as nga radarët. Sipas konkluzioneve të Prokurorisë, rezulton se sistemi i doganave ka qenë i kontrolluar nga personi nën hetim, duke mos bërë regjistrimin e disa shtetasve, në këtë rast të vëllezërve Habilaj, por jo vetëm.

Nga hetimet e deritanishme, këta persona nuk regjistroheshin në asnjë pikë kufitare, pra, kjo, sipas akuzës, të bën të mendosh se ishte diçka e kontrolluar, pasi nuk ndodhte vetëm në një doganë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *