• |
ide | kryesore

Putin në Beograd, loja që Rusia po luan në Ballkan

F1, Lajme, Planet



Sido që të jetë situata në Rusi, vendi ku Presidenti Vladimir Putin do të jetë një yll që shkëlqen është Serbia.

Putin u kthye në Serbi për vizitë pas 4 vitesh dhe është po aq popullor sa herën e fundit. Më 17 janar, më shumë se 30 mijë njerëz nga e gjithë Serbia brohorisnin për ardhjen e një miku dhe aleati të dashur në qendër të Beogradit. Turmat u rritën në ekstazë, ndërsa dy krerët e shtetit hynë në katedralen neo-bizantine të Shën Savës. Me 7.000 policë në patrullim dhe trafikun e Beogradit të bllokuar, dita e djeshme do të mbahet mend.

Mikpritja që Putin mori në Beograd sinjalizon faktin se Rusia ka ende influence në Ballkan, edhe pse përjetoi një seri dështimesh në rajon përgjatë dy viteve të fundit.

Mali i Zi, një mik i vjetër i Moskës, u bashkua me NATO-n në qershor të vitit 2017. Kundërshtimi i Rusisë dhe taktikat shkatërruese të saj, duke përfshirë një komplot të mbështetur nga inteligjenca ushtarake ruse për të përmbysur qeverinë malazeze, nuk mundën të ndalnin zgjerimin e aleancës në Ballkan.

Sot, Republika e Maqedonisë së Veriut ka realisht një shans për t’u bashkuar me NATO-n. Koalicioni pro-perëndimor në Shkup arriti të ndryshojë kushtetutën e vendit për të ratifikuar marrëveshjen e kompromisit të nënshkruar me Greqinë, e cila lejoi zgjidhjen e çështjes së emrit të vendit. Kryeministri grek Alexis Tsipras ka marrë mbështetje parlamentare për të ratifikuar marrëveshjen e Prespës, sikurse mori edhe miratimin për të pranuar Maqedoninë e Veriut në NATO.

Për të qenë të qartë, siguria e Rusisë nuk është nën kërcënim. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë larg nga kufijtë e Rusisë. Por në këtë epokë të politikës, çdo fitore për Perëndimin është një humbje për Moskën, sado simbolike qoftë ajo.

Kjo është arsyeja pse ka rëndësi që Serbia të vazhdojë të ushqejë lidhjet e saj me Rusinë. Serbia mund të quhet aleati i Rusisë në Europë, përtej hapësirës post-sovjetike. Formalisht i angazhuar për një politikë neutraliteti, Beogradi përfiton nga një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen me Moskën dhe merr pajisje ushtarake nga Rusia. Beogradi refuzon të bashkohet me vendet perëndimore për ti vënë sanksione Rusisë, pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme për tu anëtarësuar në BE.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Putin po diskutojnë për ndërtimin e TurkStream 2, një gazsjellës që lidh Rusinë me BE-në përmes Serbisë. Thuhet gjithashtu se po punohet për marrëveshjen tregtare midis Beogradit dhe Bashkimit Ekonomik Euroaziatik të drejtuar nga Rusia (EEU). Por më e rëndësishmja është se Putin po mbështet Serbinë lidhur me mosmarrëveshjet mbi Kosovën. Në Beograd, ai kritikoi ashpër shqiptarët e Kosovës për krijimin e ushtrisë, e cilas sipas tij është në shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili u miratua pas luftës së vitit 1999. Putin insiston se perëndimi po destabilizon Ballkanin.

Për më tepër, Serbia është portë e Rusisë në ish Jugosllavi. Në Beograd, Putini u takua me Milorad Dodik, një anëtar serb i presidencës tre-palëshe të Bosnjës, i mbështetur nga Moska. Ai drekoi me krerët e Frontit Demokratik, opozitarë në Mali të Zi, kritikë të vrazhdë të anëtarësimit në NATO. Para vizitës, Putin kritikoi perëndimin për presionin ndaj Maqedonisë për të ndryshuar emrin, duke i bërë jehonë argumenteve nacionaliste në vend kundër kompromisit me Greqinë. Në të kundërt, theksoi Putin, Rusia do të nderojë çdo zgjidhje për çështjen e Kosovës, të negociuar nga Beogradi dhe Prishtin, pa ndërhyrje të jashtme.

Por, çfarë kërkon përfundimisht Putin të arrijë në Ballkan?

Me gjithë tërheqjen e saj emocionale për Serbinë, Malin e Zi dhe më gjerë, Rusia nuk është as e gatshme dhe as e aftë të dominojë në këtë rajon. BE-ja është tani lojtari më i rëndësishëm ekonomik në Ballkan. Edhe për sektorin energjitik, influenca e Moskës është e limituar. Për shembull, suksesi i projektit TurkStream varet nga miratimi i Komisionit Europian, i cili ka autoritetin për të vendosur nëse ndërmarrja është në përputhje me rregullat e konkurrencës së BE. Dhe serbët janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë realitet. “Rusia mund të jetë në zemrën tonë, por si destinacion kemi Mynihun,” thonë ata. Ndërsa sa i përket sigurisë, jo vetëm që NATO po zgjerohet në ish-Jugosllavi, por gjithashtu ka trupa në terren, ndryshe nga Rusia. Shpresa më e mirë e Kremlinit është të luajë me asetet e saj në Ballkan për të fituar një avantazh në garën më të gjerë që ka me perëndimin.

Për të gjitha këto arsye, fituesi i qartë në këtë situatë duket të jetë Presidenti Vuçiç. Duke marrë nga Putini nderimin “Urdhëri i Aleksandër Nevskit”, Vuçiçit i rritet popullariteti i brendshëm.

Për javë të tëra Presidenti serb është përballur me demonstrata të mëdha që bashkojnë thuajse të gjithë spektrin politik, nga liberalët e deri tek të djathtët nacionalistë. Ata akuzojnë Aleksandër Vuçiçin se po kontrollon të gjitha degët e pushtetit. Por, tani duke u mbështetur tek Putin, Vuçiç formoi një turmë të vetën. Mijëra mbështetës të tij u mblodhën nga të gjithë cepat e vendit për ardhjen e Presidentit rus.

Rusia gjithashtu duket se po mbështet planet e tij për të arritur një marrëveshje me presidentin kosovar Hashim Thaçi, potencialisht bazuar në një shkëmbim territoresh mes vendeve. Për Serbinë, njohja e Kosovës si shtet sovran do të ishte e dhimbshme. Por, do të zhdukte gjithashtu pengesën më të madhe për anëtarësimin e vendit në BE.

I mbështetur nga Putin, Vuçiç del si një burrë shteti dhe patriot, jo një tradhtar I kombit. Ai pushtoi titujt e gazetave kur i dhuroi Putinit një qen. Por, dhurata e vërtetë iu bë atij, nga Putini.

Al Jazeera, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



2 Comments

  1. …dhe , nese Vuciq mendon se me ndihmen e Moskes mund ta aneksoje Veriun e Kosoves e ka shume gabim edhepse gjitha parapergaditjet e tij te dy-tri viteve te fundit kane qene ne kete drejtim. Biles , edhe nese Vuciq ka arritur per projektin e tij ti pervetesoje Ramen dhe Thacin por , te shofim se si do ti dalin Vuciqit keto hesape te vjetra te shtepise se tij kure ai ato hesape ti qete ne pazar
    Qe tani Vuciq duhet ta kete te qarte se ne shqiptaret e Kosoves paguam nji fature shume te larte per keta kufij aktual te Kosoves pikrishte nga regjimet serbe te 100 e ca viteve te fundit andaj ,ai ne te ia ve gishtin kokes se kesaje radhe do te jete Serbija qe do ti pesoje rende, shume me rende se Kosova edhe nese Vuciq mendon se me keto kombinatorika paranoike serbe te cilat kishim rast ti shofim edhe nga lider para ardhes serb , mund te mendoje se kesaje radhe mund ti dele ne krye kessje pune …!
    ” te gjithe ujqerit do te jene te ngopur dhe , gjitha delet do te jene ne numer “

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *