• |
ide | kryesore

Zbardhet dosja e prokurorisë/ Si u godit makina e policisë në Elbasan

Lajme, Të fundit



Prokuroria për Krime të Rënda përfundoi hetimet lidhur me sulmin e rëndë ndaj policisë së Elbasanit, në shtator të 2017, në hyrje të tregut Agro-Ushqimor të këtij qyteti.

Marjus Lulaj alias Suel Çela, djali i pronarit të tregut dhe dy miqtë e tij, Enea Bekteshi e Kelmend Xhaferri, do të përgjigjen përpara drejtësisë, për akuzën e “vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit” mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim. Më poshtë një pjesë nga dosja e prokurorisë ku shpjegohet ngjarja.

“Mesditën e 18 shtator 2017, të pandehurit Bekteshi dhe Kelmendi, punonjës të tregut, përcollën për në Rinas, djalin e pronarit Marjon, bashkë me familjen. Drejt aeroportit, ata udhëtuan me dy automjete, njëra tip Audi me targë, AA478 PV dhe tip RANGE ROVER, me targa AA 040 OJ, në pronësi të biznesmenit Petrit Çelaj. Në kthim, përpara se të hynin në tunelin e Krrabës, policia rrugore ndaloi për verifikim automjetit tip Audi, që drejtohej nga Kelmend Xhaferri. Pas kësaj ata vijuan rrugën.

Në këtë kohë, në tunelin e Krrabës, drejt Elbasanit, udhëtonte edhe një automjet tip Fiat Punto, që drejtohej nga Kristaq Peqini, dhe si pasagjer Sokol Tola. Brenda tunelit, ata vunë re se drejt Elbasanit po udhëtonin njëri pas tjetrit 3 automjete. Pasagjerit në mjetin e fundit tip Golf 6, ata i kishin parë në dorë, një armë zjarri pistoletë, me të cilën godiste xhamin e makinës së tij në formë kërcënuese ndaj tyre, duke e përsëritur këtë veprim disa here. Duke u ndjerë të kërcënuar, pasi u është afruar edhe drejtuesi i automjetit Range Rover, Sokol Tola i ka telefonuar punonjësit te Policisë, Ervin Ballaci.

“Koli jam më ndihmo, se më kanë dalë dy makina e më kanë bllokuar rrugën ne brendësi të tunelit. Është një Range Rover dhe një Audi me ngjyrë të zezë. Jam i frikësuar”, – ka thënë ai.

Pas këtij njoftimi shërbimet e policisë kriminale që udhëhiqeshin nga zv.drejtori i policisë, Elbasan, Gjergj Oshafi, të cilat mbështeteshin edhe nga dy grupe Shqiponja, dolën në Aksion, duke bllokuar hyrje-daljet kryesor të qytetit.

Në rrugën para tregut Agroushqimior, punonjësit e policisë konstatuan në lëvizje në kah të kundërt me ta, automjetin Range Rover dhe i bënë shenjë të ndalonte. Nga krahu i pasagjerit zbriti një person me një radiomarrëse në dorë, të cilën tentoi t’ja linte rojës së tregut.

Por veprimi u ndalua nga policia. Nga verifikimet rezultoi se automjeti ndodhej në pronësi të biznesmenit Petrit Çela dhe personat që udhëtonin në të u identifikuan si Ledio Zabeli dhe Endri Copja. Policia vendosi ti shoqëronte, edhe pse ata kundërshtonin ashpër. Në këto momente, mbërrin me shpejtësi një automjet tip Audi, me targa AA 795 EP, e cila hyri me shpejtësi mes makinave të policisë, duke goditur njërën prej tyre. Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se në drejtim të këtij mjeti ishte Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela. Pas këtij momenti, dera e Tregut u kyç, për disa kohë derisa mbërriti pronari” – thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Këto veprime, – sipas prokurorisë – vunë në rrezik jetën e oficerëve të policisë, të cilët ndodheshin në detyrë, e për këtë arsye të pandehurit, duhet të japin llogari përpara gjykatës.

Në dosje bie në sy fakti, se të pandehurit, Çela, Kelmendi dhe Bekteshi, janë hetuar edhe për dy ngjarja të tjera kriminale të ndodhura në Elbasan. Bëhet fjalë për masakrën e 3 shkurt 2016, ku në lagjen Emin Matraxhiu janë vrarë me armë zjarri, Agron Çapja, Eno Bedalli, Ardit Sinakolli dhe janë plagosur disa persona të tjerë, si dhe ngjarjes, e datës 6 qershor 2016, ku u plagosën, Bledar Muca dhe Matilda Kermezo. Por, prokuroria nuk ka gjetur prova për implikimin e tyre në këto krime të rënda.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *