• |
ide | kryesore

Ndotja e lumit Gjanica/ Banorët e Fierit nisin betejë ligjore me autoritetet

Lajme, Të fundit



Pas shumë protestave dhe ankesave për ndotjen e lumit Gjanica, 3 banorë nga Patosi në Fier, kanë vendosur të nisin një betejë ligjore ndaj autoriteteve. Ata kanë kërkuar që institucionet të ndërhyjnë në mënyrë që lumi të rehabilitohet.

Një prej kërkesave të tyre është dhe që të sekuestrohen operatorët që po kryejnë ndotjen.

Shtetasit Bashkim Hasanbashaj, Feim Kalemaj dhe Lefter Arapaj i kërkojnë Gjykatës Administrative që të detyrojë Inspektoratin Shtetëror që të ndërhyjë dhe të sigurojë kontroll efektiv të Gjanicës nga ndotjet.

Qytetarët kanë bashkangjitur mjaft dokumenta, por dhe statistika shtetërore për të treguar se sa i rrezikshëm është ky mjedis i ndotur për banorët.

Nga të dhënat e dorëzuara nga Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik Fier, vetëm për 9 muajt e parë të vitit 2017 janë regjistruar me probleme shëndetësore 391 shtetas për sëmundje onkologjike, endokrine dhe të frymëmarrjes.

Tre paditësit përfaqësohen falas në gjykim nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që shton në kërkesë edhe raportin e monitorimit të KSHH-së, në të cilin tregohet se ndotja është alarmante, veçanërisht në Mallakastër dhe Fier.

Në raport thuhet se burimet e ndotjes vijnë prej operatorëve që përpunojnë hidrokarburet në këtë zonë.

Banorët u kanë lënë mbi tryezë gjyqtarëve edhe vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, veçanërisht çështja Guerra kundër Italisë dhe Lopez Ostra kundër Spanjës, në të cilën GJEDNJ shprehet qartë se ndotja e rëndë e mjedisit ka ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, por edhe i ndalon ata të gëzojnë jetën private si edhe shtëpitë e tyre.

GJEDNJ vlerëson më tej se shteti duhet të ndërhyjë me rregulla të qarta për mjedisin në mënyrë që jeta e qytetarëve mos të rrezikohet. Në fakt, në këtë rrezik gjenden banorët që i janë drejtuar Gjykatës Administrative.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *