• |
ide | kryesore

Kosova duhet të flasë gjermanisht (deri në raportin e Robert Mueller)

Blog
berat.jpg



E lexova – me shqetësim – komunikatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejtuar bartësve të institucioneve te Kosovës, por që, në mes tjerash, u ishte bërë me dije edhe ‘komentatorëve’ qe analizat e tyre për krizën e fundit në vend nuk po kalojnë pa u vërejtur, për të mirë ose për të keq.

Të polemizosh më Ambasadën Amerikane, ose Zoti mos e dhashtë, ta kundërshtosh Ambasadën Amerikane, ka qënë vetëvrasja më e sigurt politike. Ne që jemi që një kohë pjesë e debateve publike, ose që e përcjellim politikën që 15-20 vjet, mund t’i numërojmë me precizitet varret e atyre që e kanë humbur jetën (metaforikisht), kur e kanë kundërshtuar një pikëpamje amerikane, ose një interes amerikan.

Amerikanët çka mendojnë për këtë punë?

Ata nuk po pajtohen!

A po a, i paska vdekë nana kësaj pune – le krejt, mos u bon budallë. 

Kaq të thjeshta dhe të qarta kanë qënë gjërat, prej së paku vitit 1992, kur në skenë kishte dalë për herë të parë George Bushi i Vjetër, duke e kërcënuar Sllobodan Milloshevicin që të mos e shkelte vijën e kuqe në Kosovë, në atë që tash njihet si kërcënimi i Krishtlindjeve.

A na ka ra keq ndonjëherë që e kemi dëgju Amerikën?

Jo, jo.

Ani mbylle pra, mos e zgjat.

Këqyre çka e gjetë Nexhat Dacin që u prish me amerikanë.

Dhe vërtet, në përgjithësi kështu ka qenë. Pas Bushit të vjetër erdhi Klintoni i ri. Në Kosovë ky ndryshim na kishte frikësuar paksa. Na dukej pak axhami krahasuar me reputacionin e Ronald Reganit, një anti rus i përbëtuar, i cili thuhet që e kishte fituar mandatin e dytë me reklamën dedikuar Bashkimit Sovjetik “There is a bear in the woods”, pastaj reputacionin e Bushit të Vjetër, posaçërisht pas Stuhisë në Shkretirë, kur për disa ditë e gjunjëzoi aleatin e Rusisë në Lindje të Mesme, Irakun. Mirëpo frika jonë doli të ishte e ekzagjeruar. Billi i ri, lozonjar, kur ishte në pyetje mbrojtja e nderit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qoftë në Ballkan, apo edhe në vende të tjera të botës, ishte po aq i vendosur dhe po aq patriot sa edhe Regan e Bush, e Bushi i Ri e Obama. E ndoshta nuk e kishin fatin që të ishin president, por do të ishte mëkat që të mos ishin këtu në këtë mes edhe Robert Dole, Joe Biden, McCain, Albright, Holbrooke  etj.

 

Amanet: Me Amerikën edhe me Zotin mos u prish!

Përpara se të filloja ta komentoja një komunikatë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të publikuar sot pasdite, ia rikujtova vetës në pika të shkurta këto dromca nga e kaluara e jonë me këtë superfuqi. Mirëpo, fatkeqësisht, asnjë nga këto nuk mjaftoi që unë të vazhdoja ta mbaja gojën e mbyllur. Këtë herë është ndryshe. Këtë herë Amerika ka nevojë për ndihmë, ndoshta më shumë se sa kemi ne.

Të rikthehemi tash te komunikata

Kjo është ndoshta hera e parë që Ambasada Amerikane i komenton, përveç politikanëve, edhe komentatorët. Jam paksa i frikësuar që kjo nuk do të jetë hera e fundit. Trendi më i ri, i vendosur nga Presidenti Amerikan, në kundërshtim flagrant me vlerat e vërteta amerikane, siç është liria e plotë e medias – madje edhe liria për ta pasur gabim – nuk është shpresëdhënës.

Sido që të jetë, ne si gazetarë, por edhe si komentatorë, vazhdojmë që ta kemi pikë referuese demokracinë amerikane, minus Presidentin Trump dhe rrethin e tij të ngushtë, që në afat rekord është duke e minuar një punë të ndërtuar me sakrifica të mëdha, për më shumë se 200 vjet.

Tash të kthehemi konkretisht në temën për të cilin edhe u lëshua komunikata: marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e orkestruar nga Presidenti Thaçi dhe Presidenti Vucic, dhe – si duket – e aprovuar edhe nga Shtëpia e Bardhë.

Personalisht, si komentator, e konsideroj krejtësisht të rrezikshme dhe me pasoja të mëdha për vendin tonë, por edhe për rajonin, idenë e dy presidentëve, që për t’i rënë shkurt problemit i kanë rikthyer në tryezë idetë e shekullit të kaluar, të cilat sa herë janë përdorur kanë sjell vuajtje dhe gjak. Nuk e di pse dikush duhet ta bëjë prapë të njëjtën rrugë për të shkuar te i njëjti rezultat? Kanë qënë vitet e 90’ta, lufta në Bosnje dhe Hercegovinë sapo kishte nisur, kur presidenti serb, më i madhi kriminel në Evropë që nga Adolf Hitler, dhe Presidenti kroat Franjo Tugjman, ishin argëtuar me idenë e zgjidhjeve të shpejta dhe ‘efikase’ në mes këtyre dy etnive, me rivizatim të kufijve. Kemi qenë dëshmitar okular të rezultateve të kësaj ideje. Qindra mijëra civilë të vrarë dhe miliona të shpërngulur. Pas këtyre skenave të horrorit, ka pasuar një përkushtim i pashoq i administratave të katër presidentëve amerikanë, Bushit të vjetër, Klintonit, Bushit të Ri, Obamas, që t’i shmangën tundimit të krijimit të shteteve etnike.

Pastaj, ndoshta është e kotë ta ripërsërisim se autorët e kësaj ideje, Thaçi dhe Vucic, janë çdo gjë tjetër përvec liderë kredibilë. Që të dytë këta, për aq vite sa i sundojnë banorët e shteteve të tyre, kanë demonstruar zell për autoritarizëm, keqqeverisje dhe korrupsion. Kredibiliteti i tyre, për cfarëdo gjëjë, e edhe për paqe, ka kohë që është komprometuar.

Mirëpo ky nuk është problemi i vetëm.

Aq sa janë shqetësues akterët lokalë, aq është shqetësues edhe akteri kryesor global, në këtë rast Presidenti Trump dhe këshilltari i tij për Siguri Kombëtare, John Bolton.

Ne të gjithë jemi dëshmitarë të zhvillimeve dramatike për, dhe rreth, fatit të Presidentit Trump, posaçërisht në kontekstin e hetimeve për lidhjet e tij me Rusinë, për zgjedhjet e fundit (sot u arrestua një bashkëpunëtor i ngushtë i tij) të cilat po zhvillohen nga prokurori Robert Mueller.

Ajo çfarë kemi parë deri më tash, dhe kemi lexuar, për Presidentin Trump dhe rolin e tij në kontinentin Evropian nuk është aspak shpresëdhënëse për ne. Agjenda e tij anti evropiane është e paprecedent në 100 vitet e fundit. Dëshira e tij për ta dobësuar Bashkimin Evropian, për të provokuar kriza, për t’i mbeshtetut partitë radikale nacionaliste në kurriz të partive liberale evropiane, për t’i anatemuar emigrantët, janë vetëm disa prej angazhimeve të tij, ose të të deleguarit të tij joformal për Bashkim Evropian, Steve Bannon.

Trump misionin e tij anti Bashkim Evropian e kishte nisur duke u bërë palë agresive në debatin e zhvilluar në Britani të Madhe, të njohur si Brexit, duke u rreshtuar në krah të një politikani si Nigel Farage, duke e sulmuar hapur Kryeministren e Gjermanisë Angela Merkel, apo edhe mbështetja që ai u jep figurave më joemblematike në BE, siç është Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, apo flirti me Marin Le Pen në Francë dhe Salvini në Itali – të tretë këta që i përmenda ironikisht janë miq edhe të Presidentit Putin. Të mos flasim pastaj për qasjen e tij ndaj NATO’së, dëshirën e tij që SHBA ta braktisë këtë aleancë. Kurse asnjëherë deri më sot nuk e ka fshehur admirimin që e ka për vozhdin rus. Historikisht Ballkani ka qënë thembra e Akilit për kontinentin Evropian. Prandaj asgjë nuk do ta dobësonte më shumë Bashkimin Evropian se sa një konflikt i ri në këtë territor. Është e tepër të thuhet se këtu ka filluar një Luftë Botërore, e sa e sa luftëra të tjera rajonale me pasoja shumë më të gjëra. Prandaj t’i qasesh sot zgjidhjes së problemit të Kosovës me Serbinë, në një formë kaq blatante, dhe kaq të patakt, është pak a shumë sikur të provosh të lavrosh arën me tren. Problemet e Ballkanit janë aq delikate, sa secila prej fijeve të problemit e ka një histori të komplikuar. Prerja e secilës prej fijeve, duke e konsideruar të kotë, mund ta çojë në ajër gjithë rajonin. Kështu që Trump, dhe administrata e tij, nuk e kanë as ekspertizën e as memorien për këtë rajon dhe për problemet këtu. Kjo bëhet edhe më dramatike nëse kihet parasysh që pjesë e procesit të zgjidhjes së problemit në mes të Kosoëvs dhe Serbisë nuk janë aleatët tradicional të Kosovës, siç janë Gjermania dhe Britania e Madhe. Të vetmit të interesuar për ta rihapur nga e para problemin e Kosovës, për ta shtruar për diskutim, duken rusët dhe serbët. Mirëpo, rusët janë shumë më të interesuar për ta hapur se sa për të mbyllur problemin e Kosovës, në mënyrë që në Evropë të hapet edhe një problem më tepër dhe në mënyra që Rusia ta ketë edhe një chip më tepër në pokerin global. Kurse Serbia në anën tjetër, çfarëdo dialogu të këtyre përmasave që do ta nisë me Kosovën, do ta propagandojë të shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e edhe te ato që e kanë njohur se “kjo është një çështje e hapur.”

Pra, pyetjet që shtrohen janë këto: Çfarë nëse nuk arrihet kjo marrëveshje historike? Çfarë nëse palët nuk pajtohen? A do të thotë që statusi i Kosovës mbetet i hapur përseri? A do të thotë që bisedat dhe tentativat për paqe do të vazhdojnë pafundësisht? A do të luftojmë pastaj për t’i rifituar ato fshatra që i kemi dhënë?

Janë shumë pyetje që askush nuk ka përgjigje. Nuk i ka as administrata e Donald Trump. Kjo administratë në këto dy vite nuk ka zgjidhur probleme. Ajo ka shkaktuar probleme, posaçërisht në Bashkimin Evropian. I vetmi shtet i kënaqur me këtë administratë është Rusia, e cila tash e disa kohë nuk ka nevojë të bëjë asgjë. As të kritikojë NATO’në. As Bashkimin Evropian. E as Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka kush e bën këtë.

Kështu që e gjitha bota demokratike, bota demokratike e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, ajo liberale, po e pret vetëm një gjë: Raportin e Robert Mueller. Atë duhet ta presim edhe ne. Deri kur të zbardhet ai raport, i cili do të zbardhë shumëcka, Kosova nuk duhet ta heq taksën ndaj Serbisë, Kosova nuk duhet të bëjë asnjë përparim drejt arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë. Kosova duhet të flas gjermanisht.

p.s.

Një ditë, jo shumë larg, të gjithë do ta pyesim vetën: çfarë kam thënë unë kur ishte në pushtet

Berat Buxhala/Gazeta Express



2 Comments

  1. Berat,analize me kembe ne toke.Por bota sot,pervec avioneve,po punon qe te bejne edhe autoveturat,te fluturojne.Dhe njerezit,po kujtojne se edhe ata duhet te fluturojne,pra te jene me kembe ne “hava”.dhe prandaj,nuk te kuptojne.As nuk dine te te komentojne,dhe pse?A i shikon njerezit,ne pergjithesi,por vecanerisht rinija,hecin rrugeve,me syte tek celulari dhe mendjen tek ekrani i tij.Nuk shohin se cfare behet rreth tyne.Celulari,e vetem ai,me sellfijet qe bejne,as nuk marrin vesht se c’ndodh ne kete dynja!Edhe me kosovaret,po ashtu.Shikoji,gjate luftes rrefugjuan,anekend botes,me i shpetue luftes.Dhe bota i hapi dyert.Por shume prej tyne,mbasi e volen-mikpritesin-kerkuan te kthehen ne vendin e tyne,”per ta rimekemb ate mbas luftes”.Mire bene,por nuk i zuri “bytha”vend.Mendun se e munden Serbin,dhe jane ma te zotet e ballkanit,bile duhet te jene ata qe duhet ta drejtojne ate -Ballkanin-dhe fillun me u hallakat gjithkund,ku u jepej mundesia,duke fillu nga Serbia e me tej.U Shperndane anekend,”keshilltare” gjoja per ceshtjet e rajonit-se i njihnin ma mire se te tjere-hapen media ne Shqipni,u ngujun me shtepi e katandi,bile po e furnizojne ate eshe me kuadro te larta.me zevendesa e me ministra,a thu se humbi Shqipnija per drejtuesa,e ka mbete keq,per ato ish rrefugjatet e dikurshem,qe nuk i ka xane bytha vend.Por ,kjo duket si perdja,perpara nje skene teatri,tjeter kund fshihet lepuri.Keta kosovaret,qe na u bane ministra ne Tirane,mbasi rregullun punet e brendshme te Kosoves,tani,nepermjet detyrave te marra ne Tirane,po kerkojne qe te rregullojne edhe punet e jashtme te Kosoves,duke fillu me Serbine,qe Kosova te kete kufij te “sigurte” (sigurisht nga serbet),Por,kur qenkan kaq te zott,pse nuk qendrojne ne vendin e tyne,me i rregullue punet e veta,por ata i lene ne dore te amerikaneve dhe te BE dhe vijne ne Tirane,me na rregullue edhe neve,jo vetem me boten,por eshe me kulturen ,arsimin e kush e din se deri ku jane fut.Prandaj kur Kosoven po e bajne lamsh,vete kosovaret “e globalizuem Berat-vellai,mos qorto amerikanet apo evropen,se edhe vete ata,po hutohen,prej veprimeve te kosovareve,e nuk po orientohen se cfare me ba!!!

  2. po mos te ishte rama trump do te ishte i qmendzri numer nji.por ne fatin kemi te keq ne amerik ligji nuk e len trump te bej qfare te doj,kurse ne shqiperi dhjerja e stalinit rama e ben ligjin vet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *